MENU
klinika

Konflikti për karikaturat e Profetit Muhamed

Turqia akuza Francës: Rikthehen “kryqëzatat” kundër islamit

29.10.2020 - 09:13

Presidenti i Turqisë tha në një deklaratë gjatë kësaj jave se vendet perëndimore që tallen me Islamin donin të “rikthenin kryqëzatat”, duke shtuar kështu tensionet me Francën rreth karikaturave të Profetit Muhamed që kanë nxitur zemërimin në vendet me shumicë myslimane.

Në një fjalim para ligjvënësve të AK Partisë së tij në parlament, Presidenti Taip Erdogan tha se qëndrimi kundër sulmeve ndaj Profetit është “një çështje nderi për ne”, duke sugjeruar që Ankaraja po tenton të mbajë “qëndrim” që do zgjatë në kohë kundrejt Francës.

Grindja me Francën u shtua edhe më tepër pasi një mësues francez i cili u tregoi nxënësve karikaturat e Profetit të botuara në të përjavshën satirike franceze Charlie Hebdo iu pre koka në Francë këtë muaj. Karikaturat konsiderohen blasfemi nga myslimanët.

Si shenjë e përhapjes së zemërimit ndaj mbrojtjes që Franca i bëri të drejtës për të botuar karikaturat, demonstruesit reaguan kundër Francës në protesta në rrugë në disa vende me shumicë myslimane.

“Poshtë Franca, ajo ofendoi Profetin tonë”, thirrën protestuesit në kryeqytetin, Somali Mogadishu.

Duke nxitur edhe më zemërimin turk, Charlie Hebdo publikoi një karikaturë në kopertinën e saj që tregon Erdoganin të ulur me një bluzë të bardhë dhe mbathje, duke mbajtur një pije të konservuar dhe duke ngritur fundin e një gruaje të veshur me një hixhab islamik për ta parë të zhveshur.

Ministria e jashtme turke telefonoi të ngarkuarin me punë në ambasadën franceze mbi kopertinën e revistës.

Erdogan tha se nuk e kishte parë karikaturën “sepse e konsideroj të gabuar të shikosh këto botime imorale” dhe se zemërimi i tij ishte për shkak të mosrespektimit ndaj Profetit sesa “sulmit të neveritshëm drejtuar meje”.

Perëndimi po shkon “edhe një herë drejt një periudhe barbarie”, tha ai, duke përshkruar fuqitë koloniale si “vrasëse” lidhur me të dhënat e tyre në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

“Ata fjalë për fjalë duan të rinisin Kryqëzatat. Që nga kryqëzatat, farat e së keqes dhe urrejtjes kanë filluar të bien në këto toka (myslimane)”.

Qeveria franceze, e mbështetur nga shumë qytetarë, e pa sulmin me thikë të 16 tetorit të të cilin një burrë me origjinë çeçene i preu kokën Samuel Patyt, një mësues i cili u kishte treguar nxënësve karikaturat e Profetit në një orë mësimi për qytetari, si një sulm ndaj lirisë së fjalës.

Macron ka thënë se do të dyfishojë përpjekjet për të ndaluar besimet konservatore islamike që përmbysin vlerat franceze.

Media shtetërore turke tha se prokurorët turq kishin filluar një hetim ndaj drejtuesve të Charlie Hebdo. Drejtoria e Komunikimit e Turqisë tha se beteja kundër “këtyre sjelljeve të vrazhda, me qëllim të keq dhe fyes” do të vazhdojë deri në fund.

Protestat në Somali, Mali

Erdogan kritikoi ashpër Macron në fundjavë, duke thënë se lideri francez kishte nevojë për një kontroll të shëndetit mendor, duke e shtyrë Francën të tërheqë ambasadorin e saj nga Ankaraja. Të hënën, Erdogan kërkoi një bojkot të produkteve franceze.

Ministria e jashtme e Francës lëshoi ​​të martën këshilla për sigurinë për qytetarët francezë në Indonezi, Turqi, Bangladesh, Irak dhe Mauritania, duke i këshilluar ata që të tregojnë kujdes. Atyre iu tha që të qëndrojnë larg çdo proteste për karikaturat dhe të shmangin çdo tubim publik.

Në Kajro, Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi tha se liria e shprehjes duhet të ndalet nëse ajo ofendon më shumë se 1.5 miliard njerëz.

Imami i Madh i universitetit al-Azhar të Egjiptit, një nga vendet më të shquara në botë të të mësuarit myslimanë suni, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të kriminalizojë veprimet “anti-muslimane”. Në kryeqytetin Somali Mogadishu, qindra demonstrues kryesisht të rinj u mblodhën duke brohoritur parulla anti-franceze dhe duke djegur flamuj francezë. Ata u pohuan se do u përgjigjeshin thirrjeve për të ndalur dhe dënuar Francën dhe bojkotuar produktet franceze.

“Ne do të përdorim forcat tona për të mbrojtur Islamin,” tha një burrë në moshë mesatare, Mohamed Ahmed, i cili ishte në demonstratë, kur u pyet pse po merrte pjesë. “Ne u kërkojmë njerëzve të djegin çdo produkt të Francës që ata hasin.”

Dhjetëra iranianë u mblodhën në protestë përpara ambasadës franceze në Teheran, raportuan mediat shtetërore. Disa ngritën pankarta me kryqe të kuq mbi imazhe të mallrave franceze.

Në Daka, qindra muslimanë dolën në rrugët e kryeqytetit për të tretën ditë radhazi, duke brohoritur parulla të tilla si “Bojkotoni produktet franceze” dhe duke djegur figurat e Macron, të cilin ata e përshkruanin si një armik të Islamit.

Në një protestë shumë më të madhe të martën në Daka, mijëra persona kishin dalë për një protestë që mbante pankarta të tilla si “Stop Islamofobisë”, “Bojkotoni Francën” dhe “Rrethoni Ambasadës Franceze në Daka”.

Përkthyer dhe përshtatur nga: financial times/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çështjet ku nuk bien dakord…

Pse përplasen Erdogan dhe Macron?