MENU
klinika

Kurbinasit në krizë

Largohet Cungu, kandidati kryesor për Laçin

26.11.2020 - 14:05

Armando Cungu nuk është më trajner i Laçit. Në fakt ai u largua në njëfarë mënyre nga stoli kurbinas që pas barazimit me Kastriotin. Nuk doli të fliste para mediave dhe iku në Shkodër pas një debati me presidentin Pashk Laska. U fol për “divorc” që në atë moment, por më pas palët i sheshuan gjërat dhe Cungu vijoi në rolin e tij.

Sot, një ditë pas humbjes me Kukësin, gjërat janë ndarë përfundimisht. Trajneri shkodran nuk do t’i drejtojë më tej kurbinasit, të cilët kanë investuar vërtet shumë në merkato, por në katër javët e para të kampionatit janë larg pritshmërive. Në një situatë të tillë, duket se “kokë turku”, si zakonisht në futboll, është bërë trajneri. Ajo që u nis para pak javësh, pas sfidës me krutanët, është materializuar të enjten.

Humbja me nënkampionët e vendit nuk është kapërdirë nga presidenca e kurbinasve, e cila ka vendosur ta mbyllë këtu bashkëpunimin me Cungun. Për momentin, kurbinasit renditen në vendin e tetë të Superiores, me vetëm 3 pikë, si pasojë e tri barazimeve dhe një humbjeje. Cungu është trajneri i dytë që largohet pas Emanuel Egbo, që u shkarkua pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë.

Pas largimit të trajnerit shkodran, klubi i Laçit është vënë në kërkim të pasardhësit të tij. Burime të Sport Plus bëjnë me dije se kurbinasit janë afër marrëveshjes me trajnerin Shpëtim Duro.

Ky i fundit ka drejtuar në sezonin e kaluar Kukësin teksa tashmë pjesë e kurbinasve janë 2 edhe dy ish-lojtarët e skuadrës  verilindore si Musta dhe Obanor, të cilët Duro i njeh mjaft mirë. Grupi i kompletuar që ka Laçi, duket se do të bindë teknikun kryeqytetas për të pranuar ofertën e drejtuesve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN