MENU
klinika

Bedri Islami/ Gurët e vegjël, humbja e radhës?

Loja e madhe e 25 prillit dhe partitë e krijuara nga Patozi, Topalli, Murrizi, Hajdari

02.11.2020 - 15:29

Dalja e vrullshme e disa partive të reja politike, përgjithësisht me liderë ose figura të njohura të së djathtës, e ka turbulluar dhe lëvizur skenën politike dhe si duket, në lojën e madhe që do të luhet deri në 25 prill të vitit të ardhshëm, shumë gjëra do të kenë një pamje tjetër, përplasje të furishme, mallkime dhe shantazhe janë shfaqur që tani, të cilat do të rriten në progresion gjeometrik, sa më shumë të afrojë dita e zgjedhjeve.

Partitë e krijuara nga Patozi, Topalli, Murrizi apo Hajdari mund të jenë guri nën rrota i partisë ku deri pak viteve ose tani së fundi ishin ndër liderët më kryesorë apo deputetë të saj, por duhet të jetë diçka që e ka rrokullisur këtë gur dhe e ka vënë në mesin e rrugës.

Patozi dhe Topalli në vitin 2017 krejt papritur u flakën nga lista Basha dhe u ndodhën në udhëkryqin e tyre. Kishin qenë nënkryetarë të partisë që i largoi, Topalli në tetë vite kryetare e Kuvendit dhe aspak tolerante, Patozi – drejtues i Grupit parlamentar dhe aspak i vullnetshëm për të sjellë idetë e reja në një parti që po plakej marramendshëm shpejt, sëbashku me liderin e saj. Asnjëri e as tjetri nuk kishin as karizmën, as forcën, as vullnetin e Berishës, por që të dy, veç e veç e sëbashku e përbuznin Bashën, si një riosh i ardhur nga rruga që befas ka në duar fatin e tyre. Ata e dinin se pas tij ishte hija e madhe e familjes Berisha, më shumë një fustan se sa një kostum, por nuk e besonin se do të gjendeshin në boshllëkun e tyre politik.

Murrizi dhe Hajdari, dy figura që dolën në pah nga mungesa e të tjerëve, aq sa është interesant i pari, aq është demode dhe kopje e prapshtë e dyta.

Topalli dhe Patozi janë në të drejtën e tyre të krijojnë parti, lëvizje, shoqata, të rrinë në shtëpi, të jenë në media, të kenë qëndrime kundër drejtuesit të PD-së, ta shohin atë si të përkohshëm etj.

Kjo nuk i bën ata të ndryshëm dhe as objekt linçimi politik, aq më tepër nga organi mediatik që në fillim synoi të krijonte imazhin e lirisë dhe ku Patozi ka qenë kryeredaktor. Të kërkosh armiq dhe të shpallësh armiq, vetëm se nuk duan shefin apo synojnë të mbijetojnë politikisht, kjo nuk e bën askënd armik, dhe nëse shefi kërkon armiq, ai duhet fillimisht të shohë se kush i krijoi ato.

Basha për shembull, zgjodhi si kanditat për deputet një figurë politike që ka lëvizur sa majtas, sa djathtas, e gjitha për mbijetesën e tij, në një parti hije, Nard Ndokën, që e vendosi të pestin në listën e deputetëve të Shkodrës në vitin 2017, dhe e përjashtoi Topallin nga roli i saj në këtë qytet. Ai vendosi përballë saj Gurakuqin, njeri i vyer, nga një familje më e njohur se Çobajt nga vinte Topalli dhe kjo mund t’i qetësonte gjërat, por bojkoti i qytetit ishte sinjali i qartë se gurët kishte filluar t’i hidhte vetë Basha.

Edhe tani në këtë qark zë një vend të veçantë, të sigurtë, një ish deputet i çartur, më tepër skandaloz se sa i mendjes, si Spahia, ndrësa Gurakuqi, prijës i listës katër vite më parë, doktor i shkencave, figurë interesante në mendimin politik, pavarësisht se personalisht nuk jam i një mendje me të, qëndron në pritje.

Katër nga aleatët e tashëm të Bashës, sëbashku, nuk kanë elektorat se mund të kishte e vetme zonja Topalli apo sëbashku me Patozin. Ndoka, Dule, Shehu e Duka përbëjnë krahët e thyer të opozitës, të cilët, në vetminë e tyre mund të vegjetojnë gjatë, dhe nëse futen në “shtratin” politik të PD-së. Vegjetojnë me kënaqësi të madhe. I vetmi nga liderët rreth Bashës që ka mendim, është besnik në bindjet e tij, dhe që në fakt ka më shumë mendim politik edhe se vetë Basha, për më tepër me hyrje të lirshme në shumë figura të njohura të politikës së lartë amerikane, është Mediu, që edhe ai një ditë mund të jetë jashtë listës.

Të gjithë “kryengritësit” e tanishëm të së djathtës po cilësohen si të blerë nga Rama.

Nuk e di se si është e vërteta. Mund edhe të ketë ndodhur që përkulja të jetë bërë dhe marrëveshjet të kenë ndodhur. Në fund të fundit, megjithëse e përjashtoj si meritë, Rama është futur në një betejë që për të, duhet thënë, vetëm lojë nuk është. Rama mund të jetë pjesë majtas e djathtas, megjithëse të majtën si nocion dhe si praktikë thuaj se e ka shkrirë, PS po bëhet një forcë pragmatike, ama nëse ka ende njerëz që përthyhen, aq sa është faji i tij, aq është i të thyerve dhe i atyre që u zunë të gjitha rrugët e përfaqësimit.

Jam i bindur se largimi i disa figurave të njohura nga radhët e PD-së, qoftë në qershorin e vitit 2017 apo edhe më vonë nuk është se ka hequr virtytin prej saj. Thuajse asnjëri nuk ishte i virtytshëm në atë shkallë se mund të kishe besim të plotë se po lind një forcë e re, por, duke parë çfarë ka mbetur dhe çfarë është grumbulluar rreth shefit të partisë, të larguarit mund të duken normalë dhe me një përvojë të thekur politike.

Topalli ishte forca e së djathtës së vjetër në PD dhe nuk mund të zëvendësohet, të themi nga Gjata, babai i të cilit ka dënuar ashpërsisht njerëzit e lidhur me familjen Topalli e Çobaj. Murrizi është vërtet një gjemb në asfiksimin e së djathtës, por është një gjemb i dobishëm që vërtetë sjell një çalim, por ecën pastaj më shpejt. Në fund të fundit, më mirë një zë ndryshe brenda strukturës, se sa figura të partizave të vogla që sillen rreth kryetarit si fluturat pas dritës, dhe fluturat dihen se sa jetojnë.

Kur disa figura të së majtës, të cilët mendonin ndryshe nnga Edi Rama, u larguan nga ai, PD-ja i shpalli herojtë e mendimit të lirë dhe Kastriot Islamin e bëri deputet, Malajn e ngriti në piedestal, duke harruar se çfarë kishin thënë më parë për të, ndërsa Blushin si një kryengritës brenda kampit të së majtës, të cilin tani e kanë përsëri hasëm.

Në PD ka pasur edhe herë të tjera plasaritje të tjera dhe të larguarit e dikurshëm disa mbi tank, disa nën sqetullën e Doris Pakut, ishin për pak kohë tradhtarë dhe u linçuan, kur u kthyen u bënë ministra, janë përsëri në listat e deputetëve, të afërt të kryetarit dhe bishta të të tjerëve që askush nuk e di se për çfarë merite janë në drejtimin e saj,

Mund të ndodhë që edhe partitë e reja që po krijohen të kenë të njëjtin fat, domethënë të shuhen ngadalë dhe të kthehen përsëri në gjirin e familjes si djemtë plangprishës, duke marrë postet ministrore dhe të shndërrohen nga të linçuar në heronjtë e saj.

Në fund të fundit skena politike sillet e sillet pa pushim dhe askush nuk e di se kur dhe ku do të ndalet. Njeriu që po e vërvit këtë skenë është në kryeministri dhe askush nuk mund të mendojë se ai do të luajë me gurët që i jep opozita.

Aq më tepër një opozitë që tash disa muaj bën gjumin e madh, nuk ndërton strukturat e saj që diku-diku po shemben dhe që mendon se vetëm denoncimi është rruga e pushtetit.

“Gurët e vegjël” që po rrokullisen në këmbët e saj janë shenjat e para që shumë gjëra do të jenë ndryshe dhe mund të ndodhë që pikërisht prej tyre do të vijë edhe humbja e radhës.