Mbikëqyrësi i barnave i Bashkimit Evropian sot bëri të ditur se aplikimin e parë për miratimin e vaksinës kundër COVID-19 e pret deri në fund të këtij viti.
Zyrtarë nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) për AA theksuan se asnjë nga kompanitë që punojnë për të zhvilluar vaksinën kundër COVID-19 nuk ka aplikuar ende në EMA për miratimin e tregut.
EMA është duke kryer një proces të shpejtë vlerësimi në lidhje me vaksinat për të cilat po punojnë tre kompani, megjithëse nuk ka ende aplikime. Vaksinat janë vaksina e BioNTech dhe Pfizer “BNT162b2”, Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca “ChAdOx1-SARS-CoV-2” dhe “mRNA-1273” nga Moderna Biotech Spanjë.
Të gjitha të dhënat për efikasitetin, sigurinë dhe cilësinë e një vaksine ose të një ilaçi duhet të sigurohen në fillim të procesit vlerësues nga EMA. Në situata emergjente, agjencia mund të fillojë vlerësimin duke përdorur informacionin e marrë nga studimet e vazhdueshme para se të paraqitet aplikimi zyrtar në mënyrë që të përshpejtojë procesin.
Në mënyrë që një ilaç ose vaksinë të vendoset në treg në BE, miratimi i Komisionit Evropian gjithashtu është i nevojshëm pas miratimit të EMA-s. Prodhuesit e vaksinave pritet të aplikojnë për miratim zyrtar në EMA “shumë shpejt”. Prandaj, zyrtarët e EMA-së mendojnë se miratimi i parë mund të jepet para fundit të vitit.
BE-ja ka bërë marrëveshje për të blerë rreth 2 miliardë doza të vaksinës me gjashtë kompani që kanë kryer deri më tani studime “premtuese” të vaksinave.
BE-ja pritet të marrë 400 milionë doza vaksine nga AstraZeneca, 300 milionë nga Sanofi-GSK, 400 milionë nga Johnson & Johnson, 300 milionë nga Pfizer dhe BioNTech, 405 milionë nga CureVac dhe 160 milionë nga Moderna./AA/