MENU
klinika

Nga Bedri Islami/ Terrori në Vjenë, një listë emrash dhe një dokument

Përfshirja e shërbimit sekret serb në përpunimin e të rinjve shqiptarë drejt radikalizimit

04.11.2020 - 17:46

Në Vjenë ndodhi një akt i shëmtuar terrorist. Vjena u trondit, por po ashtu u tronditën edhe shqiptarët. Një numër i madh mediash vunë në dukje se krimineli që kreu aktin e përbindshëm, pamjet e transmetuara ishin të paimagjinueshme në një mendje njerëzore, ishte Kujtim Fejzullahu, me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, fshati Çollopek, komuna e Bërvenicës.

Fatkeqësisht të pakta ishin mediat që kumtuan se viktima e parë, vrarë barbarisht nga 20 vjeçari fondamentalist, ishte shqiptari Nexhip Vrenezi, gjithashtu me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, fshati Veleshtë, komuna e Strugës.

E po ashtu, krejt pak media të huaja që nënvizon kombësinë shqiptare të terroristit, vunë në dukje se tre nga policët në ndjekje të tij dhe grupit terrorist, ishin po ashtu shqiptarë.

Sido që të jetë, duam apo nuk duam, fakti që njëri nga terroristët është shqiptar, pavarësisht trojeve nga vinin prindërit e tij dhe se ai vetë kishte lindur në Vjenë, është tronditës për të gjithë. Nëse dëshmohet se në grupin e tij kishte edhe shqiptarë të Kosovës, kjo e bën përmasën e së keqes për kombin tonë, edhe më tragjike dhe të dhimbshme.

Çfarë ndodhi kështu me shqiptarët, sado të paktë, që krejt befas nga praktikues të besimit islam në një traditë tolerante dhe tejet njerëzore, të kenë mes vetes grupe të radikalizuara, të cilat janë përfshirë që nga radhët e ISIS-it, ku mendohet se kanë qenë rreth 300 shqiptarë të Kosovës, 200 nga Shqipëria dhe ndoshta edhe më shumë nga Maqedonia?

Çfarë ndodhi që ekstremistë nga një popull i shquar për tolerancë bëhen vrasës gjakftohtë dhe radikalizohen kaq thellësisht?

Kujtim Fejzullahu është rasti më ekstrem në përshfaqjen e terroizmit islamik në Perëndim. Radikalizimi i tij nuk ka ardhur në një ditë dhe as për një kohë të shkurtër. I nisur drejt ISIS-it, i kapur dhe i dënuar me 22 muaj burg, i liruar para kohe, ai kishte të gjitha shenjat e njeriut që kishte kaluar në kampin e egërsisë.

Një lum i tërë propagande ekstremiste, shumë degë të së cilës të çojnë në Serbi (të financuara direkt prej saj) ka gjetur në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri, shtratin e vet prej kohësh.

Më poshtë, disa të dhëna ku e mbështes këtë pohim:

Që në vitin 2001, pas ngjarjeve të marsit të këtij viti, qeveria serbe ka ngritur një Komitet të Posaçëm për Kosovën, në përbërje të së cilit janë akademikë, studiues, njohës të mirë të jetës dhe traditave shqiptare, ushtarakë, teologë, gjeografë, gjeologë, politologë, pjesë të shërbimit inteligjent. Ky Komitet udhëzon veprimtarinë e qeverisë serbe në ndërlidhjet e saj me Kosovën dhe jo vetëm me të, por edhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetin shqiptar.

Njëri nga projektet themelore të këtij Komiteti është radikalizimi i shqiptarëve, për t’i paraqitur ata në sytë e opinionit publik ndërkombëtar si pjesë të lëvizjes ekstreme vehabiste dhe salafiste. Ideja diabolike lindi së bashku me aksionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur ekstremitetin fetar si veti të shqiptarëve.

Fondet e vëna në shërbim të këtij Komiteti vijnë nga buxheti i shtetit; ata kanë të drejtën e fshehtësisë së punës së tyre dhe shpesh herë përdorin me shqiptarët të njëjta metoda që patën sukses në radikalizimin e mendimit islam në Bosnje Hercegovinë.

Rrjeti i tyre, i infiltruar në organiazata islamike, ka qenë dhe vazhdon të jetë i dendur dhe efikas. Figura të mendimit ekstrem në Kosovë e kanë pushtuar tashmë thuajse krejt lëvizjen islame, duke e radikalizuar atë.

Imamë të tillë si Mazllam Mazllami, Ekrem Avdiu, Shefqet Krasniqi janë bërë pushtues të Bashkësisë Islame, së bashku me Naim Tërnavën.

Shefqet Krasniqi, më radikali dhe më i zëshmi, deri vonë, edhe pse shtetas i Kosovës, lëviz me pasaportë serbe dhe megjithëse në të paktën një rast në makinën e tij u kapën armë, ndërsa kalonte në kufirin e Kosovës drejt Preshevës, ai nuk u ndëshkua. Serbët e dinin mirë se në cilat adresa do të shkonin armët.

Serbi Vladimir Jaksimoviq nga Gjilani, i lindur në vitin 1975 është pjesë e inteligjencës serbe. Me financimin e saj ai rekrutoi shumë shqiptarë të zonës së Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit, për në ushtrinë e ISIS.

Krahas agjitimit të parreshtur duke përdorur disa imamë radikalë, ai financoi jo vetëm udhëtimin, por edhe ndihmat për familjen që mbeteshin në Kosovë, duke shpenzuar qindra mijra euro. Shumë prej atyre që shkuan atje nuk u kthyen më, por edhe ata që arritën të rikthehen, nuk u bënë më pjesë e shoqërisë.

Në vitin 2007, serbi Milutin Jovanoviç, banues në Suedi, me paratë e shërbimit inteligjent serb ka blerë ëebsiten “Bota islame“ dhe e ka kthyer atë në një makineri lufte. Investimi që bën shërbimi i fshehtë serb në këtë faqe të njohur interneti është disa qindra mijë euro dhe, jo vetëm kaq: Përmes Jovanoviçit bëhet edhe shpërndarja e mjeteve financiare për zëdhënës të saj në botë.

Përmes këtij portali bëhen thirrje për luftë të shenjtë, për xhihad, për mbështetjen e sivëllezërve islamë në Siri dhe në botën arabe. Milutin Jovanoviç jeton në Sigtuna, Suedi dhe siç thashë është pronari i kësaj faqeje (shih dokumentin bashkëngjit) ndërsa menaxhimi i faqes bëhet në Kragujevac, prej shtetasit Jovan Jovanoviç. Do të ishte naive të mendohej se serbët këtë faqe urrejtje e nxitjeje në gjuhën shqipe e kanë ngritur për hobi, ashtu si do të ishte naive të mendohej se kjo nuk mbështetet nga struktura zyrtare ose jo zyrtare serbe.

Ish-UÇK posedon të dhëna se shërbimi i fshehtë serb në Kosovë, përmes Zdravko Tolimir, Dragan Stojmenoviç, Simon Tomanov (që ishte njëkohsisht edhe zëvendësi i shefit të KOS-it, shërbimit të fshehtë ushtarak) dhe Aleksandër Vasiljeviç, ndërtuan në Kosovë një rrjet bashkëpunëtorësh në mjedisin islam, shqiptar ose jo shqiptar, të cilët, të lidhur edhe me strukturat ushtarake të kohës u bënë më pas edhe pjesë të politikës në Kosovë.

Në shtypin e Kosovës është cituar disa herë Fuat Ramiç, politikan i ditës, si i lidhur me këto qarqe të shërbimit të fshehtë serb. I njëjti është njëri ndër paraqitësit radikal të vijës së ashpër islame në Kosovë, bartës i protestave, i vendosjes së shamisë, përçmimit të besimeve të tjera fetare dhe intolerancës.

Në Kosovë, disa vite më parë, ishte një hoxhë vehabist, me emrin Kastriot Duka, i veshur me pantallona treçerekëshe, mjekër të dendur, sy që i shkëndijonin nga e keqja; me fjalën e tij përcillte hasmërinë dhe urrejtjen ndaj atyre që nuk ishin myslimanë, por edhe ndaj myslimanëve jo praktikantë.

Në të gjitha fjalët e tij ai sillte në vëmendje vetëm një pjesë nga Kur’ani, atë që i interesonte dhe duke e shkëputur nga konteksti, se “Dënimi i atyre që kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij (…) është të mbyten ose të gozhdohen në kryq, ose të gjymtohen, t’u priten duart dhe këmbët e anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo masë ndëshkuese është poshtërim për ta në dynja, dhe në botën tjetër ata do të kenë dënim të madh”. (5:33)

Kur u mendua se u mbush kupa, e përzunë nga Kosova, por bëri strofullën e tij në Shqipëri. Dhe vazhdoi të predikojë hasmërinë dhe urrejtjen. Një figurë e tillë, aspak fetare e aspak njerëzore është e kundërta e asaj që ishte e ngulitur në vetëdijen tonë.

Nuk është rastësi që prej Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë, e gjithë media revanshiste proserbe, por edhe mendimi akademik i saj, në çdo kohë është përpjekur të paraqesë rrezikun islamik në Kosovë si një rrezik për të gjithë Perëndimin, si një vatër nga ku mund të bulojë e më pas të shpërthejë infeksioni islamik ekstrem.

Kjo është edhe arsyeja përse tashmë, në një formë më të sofistifikuar, mllefi i vjetër vjen në një formë të re. Jo pak nga mjekërgjatët dhe pantallonë shkurtërit radikalë, që duken kudo dhe po zënë gjithnjë e më tepër vend në ceremonitë tona fetare, përmes burimeve të dyta, kanë lidhje me strukturat serbe që janë të ngritura posaçërisht për rritjen e radikalizimit islam në Kosovë dhe në Maqedoni, e në disa raste (në rrethinat e Elbasanit), edhe në Shqipëri.

Shërbimi sekret shqiptar mund të deklarojë se janë iks apo y “luftëtarë” të ISIS nga shteti ynë amë, dhe shumë më tepër se kaq janë nga Kosova apo viset shqiptare në Maqedoni, se sa kanë mbetur në kampe apo se sa janë vrarë. Por numërimi i atyre që kanë ikur për të qenë pjesë e luftës kundër nesh apo të vrarëve të mbeturve nuk është një detyrë statistikore për shefin e shërbimit sekret shqiptar, kushdo qoftë ai. Këtë mund ta bënin edhe kryepleqtë.

Shërbimi sekret shqiptar nuk është këtu për të bërë analizën e shkaqeve përse ikin njerëzit e përse vazhdojnë të ikin, por për të parandaluar këtë valë mizore, e cila, ashtu si zbriti në Vjenë, mund të jetë nesër diku tjetër. Dhe përsëri, mos qoftë e thënë, të jetë një emër shqiptari.

Lule në vendin ku u vranë dy nga viktimat e Vjenës

Predikimi i hasmërisë dhe i urrejtjes që është i pranishëm në fjalët e një grupi të caktuar klerikësh myslimanë, edhe në rrethinat e Tiranës dhe të Elbasanit. Ne u kemi lëshuar terren ngado mjekërgjatëve pantallonshkurtër, sepse kemi pasë droje nga egërsimi i tyre, nga lidhja që anë mes njëri-tjetrit për të qenë të dhunshëm, për të marrë primarin e për të bërë ligjin në jetën familjare, nga lindja e deri tek vdekja. Ne heshtim kur ata predikojnë hasmëri, e shohim si një çështje besimi, kur në të vërtetë besimi islam është krejt i kundërt me jetën, qëllimin e mizoritë e tyre.

Ne kemi heshtur kur janë bërë të njohura publikisht lidhjet e lëvizjes vehabiste, ta zëmë në Kosovë, me struktura të posaçme të shërbimit sekret serb, që e përdorin këtë armë, sepse armë është, për të ngritur një vatër të re të krimit.

Por shqiptarët nuk janë shquar për ekstremistë islamë, në të kundërtën ata kanë pasur të theksuar tolerancën, jo vetëm mes rrymave islame, por edhe ndaj besimeve të tjera. Nën hisen e diellit që na takon, në këtë vend të trazuar erërash dhe të historisë, kemi pasur fatin të jemi shumëplanësh në rrafshin e besimeve fetare.

Shumë prej nesh, si edhe unë, kemi pasur të parët tanë, shumë e shumë vite më parë, kristianë të besimit roman, të cilët jeta i ka kthyer në një besim tjetër, por që kurrë nuk janë lëshuar nga betimi në gur, në diell e në hënë, në virtytet e njeriut dhe në besën e tij.

Mund të kem ende në viset e Shkrelit kushërinj të largët, të cilët, në ditët e shenjta ose në ditë të zakonshme, i luten Zotit të tyre, me një emër krejt tjetër që i janë lutur gjyshërit e mi shenjtit që kanë pasur më për zemër, por ngarendjen ndaj të mirës, njerëzores e kanë pasur njëlloj.

Dhe si i tillë, ngulmuar në gjysmën time si një njeri që i takon botës islame dhe në gjysmën tjetër që beson më shumë tek natyra dhe vlerat njerëzore, mund të kisha qenë ditën e djeshme në Vjenë.

Unë mund të isha mbrëmë në Vjenë si një ndër myslimanët që besojnë se përcaktimi fetar nuk ka të bëjë me dhunën dhe se, ajo që shfaqet në distancën mes dy kulturave, perëndimore dhe lindore, mund të jetë vlerë dhe urë bashkimi, e jo shpatë që flakërin, përmes fjalës së urrejtjes.

Jam i bindur se bota perëndimore do e pranonte secilin prej nesh në pikëllimin e parmbrëmjes së djeshme nëse ai do të shkonte me mendësinë e mrekullisë që ka sjellë bota arabe, e më tej ajo islame, në kontinentin e vjetër. Shumë gjëra civilizuese të sotme e kanë burimin në civilizimin islam, ashtu si shumë vlera perëndimore janë përcjellë tek qytetërimi islam.

Ashtu si unë, shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë ndjejnë si të tyren dhimbjen e banorëve vjenezë, duke dënuar ekstremizmin.

Shumë vite më parë, në qytetin e Shkodrës, ku besimet fetare jetonin nën një pullaz dhe në të njëjtën rrugë, ndodhën dy provokime të rënda fetare: U bë dhunimi i një xhamie në qendër të qytetit dhe u shkel në një kishë katolike. Ngjarja ishte e rëndë dhe mund të shkonte drejt vrasjeve, nëse qyteti nuk do të kishte pasur burra të mençur.

Njëri prej atyre që u thirr për të “bërë gjyq” ishte edhe Ded Gjo Luli, atdhetari i shquar. Komisioni disa anëtarësh, me numër të njëjtë katolikë e myslimanë, vendosi se pala fajtore ishte ajo e krishterë. Një i krishterë e ndaloi Ded Gjo Lulin, i cili kishte vendosur ashtu, dhe i tha i zemëruar: Përse or Dedë vendose në favor të myslimanëve? Ded Gjo Luli i qeshi pak dhe i tha serbes:

“E drejta ishte aty, por, po të më kishin thënë zotërinjtë e Shkodrës, që për t’u shuar sherri duhej të isha bërë mysliman, sot do të isha i tillë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Abu Dujanah al-Albani kreu sulmet vdekjeprurëse”

Grupi terrorist merr përsipër sulmin e armatosur në Vjenë