MENU
klinika

Arsyeja

Shtyhet seanca për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës!

05.11.2020 - 12:57

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka shtyrë sërish seancën dhe vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit ndaj gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo, i cili disa muaj më parë vendosi të lirojë nga burgimi i përjetshëm, Gerd Gjenerarin (Gjereralin).

Gjatë seancës së sotme, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami bëri të ditur se gjyqtari Markelian Kuqo kishte njoftuar se ai dhe bashkëshortja e tij janë të karantinuar në shtëpi, pasi dyshohet se janë të prekur nga COVID-19. Për këtë arsye KLGJ vendosi të shtyjë seancën për të 12 nëntor 2020.

“I është përcjelle sot Këshillit një kërkesë se për shkak të gjendjes se tij shëndetësore dhe të bashkëshortes, Markelian Kuqo nuk paraqitet dot në seancën e sotme. Dyshohet situatë COVID-19 në familje, pasi bashkëshortja pret përgjigjen e tamponit. Te dy janë karantinor. Shtyhet seanca 12 nëntor ora 12”, njoftoi sot Naureda Llagami.

Ndërkohë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i cili ka nisur kërkesën disiplinore të shkarkimit, ka rënë dakord me shtyrjen e seancës.

“ILD nuk vë në dyshim justifikimin e magjistratit dhe duke vlerësuar sjelljen dhe seriozitetin e deritanishëm të tij, sa i takon prezencës në ketë procedure disiplinore si dhe për të siguruar pjesëmarrjen e tij, jam dakord me shtyrjen e seancës”, ka thënë Metani.