Pas kalimit të asteroidit pranë Tokës më 2 nëntor, ajo që po ringjall entuziazmin është një njollë diellore, një nga më të mëdhatë e viteve të fundit, që po përgatitet mbi sipërfaqen e yllit tonë, duke kërcënuar të vërë Tokën në shënjestrën e saj në dy javët e ardhshme, njoftuan ekspertët e faqes “Spaceweather.com”.
Njolla diellore e quajtur AR2781, kohët e fundit është bërë e dukshme përgjatë skajit juglindor të Diellit.
Harta më e fundit magnetike e prodhuar nga Observatori i Dinamikës Diellore të NASA-s (SDO) tregon se ajo përbëhet nga të paktën tri bërthama të errëta qendrore, të mëdha sa Toka.
“Nëse kjo njollë diellore do të arrijë të qëndrojë e bashkuar, ajo do të kthehet nga Toka në dy javët e ardhshme, ndërkohë që rrotullohet në sipërfaqen e Diellit, duke u përgatitur potencialisht për një periudhë të zgjatur të aktivitetit diellor”, shpjegojnë ekspertët.
Të martën, prania e saj shkaktoi një shpërthim diellor të klasit C1, me një shpërthim të shkurtër të rrezatimit ultravjollcë, që goditi pjesën e sipërme të atmosferës së Tokës, duke shkaktuar një ndërprerje të vogël të valëve të radios me frekuencë të ulët mbi Oqeanin Indian, të zbulueshme nga marinarët dhe radioamatorët/ANSA.