Ndërsa shkencëtarët dhe studimet shpjegojnë se si bëhen vaksinat e reja dhe ekspertët po shprehin besimin e tyre në sigurinë që kanë, shumë mite dhe teori të pabazuara në fakte po qarkullojnë.
Mitet për vaksinat e tjera kanë qarkulluar për vite e dekada me radhë. Megjithatë, disa prej tyre sot, janë ndër shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit.
Shihni 5 prej miteve që s’duhet të besoni dhe si qëndron e vërteta, bazuar në fakte shkencore:
Mit: Marrja e një vaksine kundër Covid, në fakt do t’ju japë Covid.
Jo! Një vaksinë kundër Covid, nuk do t’ju infektojë. Sipas CDC*, asnjë nga vaksinat në zhvillim në Shtetet e Bashkuara nuk përdor virusin e gjallë që shkakton Covid-19. Në vend të kësaj, vaksina Pfizer, e cila sapo fitoi autorizimin e përdorimit emergjent, dhe vaksina Moderna, e cila po e kërkon atë tani, janë bërë prej ARN-së dërguese (mARN), nga e cila është bërë materiali gjenetik i koronavirusit.
mARN-ja, në thelb, mëson sistemin imunitar se si ta njohë dhe ta luftojë virusin, para se trupi ta hasë atë. Ky proces, mund të shkaktojë simptoma të tilla si ethet, por kjo është një shenjë normale që tregon se trupi po ndërton imunitet ndaj virusit dhe jo se ju po infektoheni.
*CDC – Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) – një institut amerikan i shëndetit publik, pjesë e Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.
Mit: Një vaksinë nuk do funksionojë, nëse keni patur Covid.
Edhe ata që e kanë kaluar Covid-19, përsëri do të përfitojnë nga vaksinimi. Kjo për shkak se, ekziston gjithnjë një mundësi e dytë për infektim edhe pse ri-infektimi është sigurisht, më i rrallë.
Pas çdo sëmundjeje, trupi juaj zhvillon antitrupa që mund të luftojnë infeksionin e ardhshëm të virusit. Ky quhet imunitet natyral. Sidoqoftë, ekspertët thonë se nuk mund të mbështetemi 100% te ky imunitet.
“Ne dimë raste ku njerëzit janë infektuar dy dhe tre herë, kështu që ju mund ta merrni një herë, dhe trupi juaj do ndërtojë disa antitrupa, por duke qenë se ka disa lloje të ndryshme antitrupash, ju mund ta merrni atë për herë të dytë dhe të tretë”, thotë Robert Hawkes, mjek në Florida.
Pra, imuniteti natyror nuk ju jep mbrojtje të plotë. Një vaksinë rekomandohet ende për parandalimin e sëmundjes.
Mit: Vaksia e gripit parandalon dhe Covid-in.
Megjithëse të dyja sëmundjet kanë simptoma të ngjashme, ato janë viruse të ndryshme dhe nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimin se marrja e vaksinës së gripit do të shërbejë si mbrojtje nga COVID-19.
Sidoqoftë, është e mundur të sëmureni me grip dhe koronavirus njëkohësisht, gjë që do të shkaktonte një tendosje të madhe në trup dhe në shëndetin tuaj të përgjithshëm. Kjo është arsyeja pse zyrtarët e shëndetësisë theksojnë nevojën për bërë edhe vaksinën kundër gripit më shumë se kurrë.
Mit: Vaksina kundër Covid po “bëhet me nxitim”, prandaj s’është e besueshme
Kompanitë farmaceutike kanë investuar një sasi të konsiderueshme burimesh në zhvillimin e një vaksine për Covid-19 në kohën e duhur.
Rrethanat emergjente të pandemisë globale kanë lejuar rritjen e fondeve dhe përpjekjet, me përparësi që nuk janë parë për vaksinat e kaluara, duke e zhvilluar vaksinën për rreth tetë muaj, krahasuar me 5-10 vite që janë marrë për vaksinat zakonisht.
Sidoqoftë, koha e shkurtuar në treg nuk është arritur përmes anashkalimit të protokolleve ose eliminimit të testimit të plotë.
“Urgjenca e situatës është një presion që mendoj se është thelbësor mbi të gjithë ne”, tha Stephen Hahn, komisioner i FDA (Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave). “Stafi ynë i karrierës e pranon atë dhe po punon me shpejtësi të madhe. Por gjithashtu kemi ruajtur një angazhim për përdorimin e të dhënave dhe shkencës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë.”
Mit: Vaksina do të zgjidhë gjithçka
Ashtu si shumica e vaksinave, shkencëtarët parashikojnë që vaksina COVID-19 nuk do të jetë 100% efektive.
Dhe për fat të keq, një vaksinë nuk do të jetë një zgjidhje e shpejtë për pandeminë.
Për më tepër, shpërndarja do të marrë kohë dhe furnizimet fillimisht do të jenë të kufizuara.