MENU
klinika

Vështirësitë e institucioneve në Kosovë

Arti i sfiduar nga pandemia

19.12.2020 - 13:09

Institucionet kulturore në Kosovë, sidomos ato që aplikojnë artet skenike, duke luajtur në grupe apo formacione më të mëdha artistësh, janë përballur me një varg sfidash gjatë pandemisë së koronavirusit.

Qysh nga mesi i muajit mars të këtij viti, shumica e këtyre institucioneve pushuan aktivitetet e tyre të përditshme publike artistike, për shkak të masave kufizuese, të cilat i futën në fuqi autoritetet e Kosovës.

Artistët që ishin pjesë e këtyre institucioneve kulturore, por edhe drejtuesit e tyre, nisën të kërkojnë dhe zbatojnë forma alternative të kontaktimit me publikun.

Prej tetarit online te salla me publik të paktë

Në fillim të muajit shkurt, Teatri Kombëtar i Kosovës kishte publikuar repertorin e saj për skenën e madhe dhe atë të vogël të këtij teatri, ndërkaq premiera e parë e këtij viti “Zgjimi i pranverës” ishte planifikuar për 19 mars. Më 13 mars, autoritetet e Kosovës vendosën masat kufizuese.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Adrian Morina, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo premierë ishte realizuar në muajin qershor, kur masat kufizuese tashmë ishin lehtësuar. Por, siç thotë ai, për të mos ndërprerë tërësisht punën, menjëherë në fillim të prillit, me nismën e Teatrit Kombëtar i Kosovës dhe në bashkëpunim me teatrot e qyteteve tjera të vendit, kishin nisur të organizonin shfaqjet teatrore online.

“Përgjatë muajit prill dhe muajit maj kemi dhënë gjithsej 56 shfaqje të një kalendari teatror të të gjitha teatrove të qyteteve në Kosovë, duke përcjellë trendin e teatrove të rajonit dhe të Evropës, të cilat në atë kohë jepnin shfaqje online. Por, natyrisht edhe asaj i erdhi fundi dikur dhe ai entuziazëm dhe ajo dashuri që të jesh në komunikim me publikun sa vjen edhe zbehet. Mandej, kah fundi i muajit t’i vazhdojmë provat në teatër, gjithmonë nisur nga vullneti i madh. Premierën e parë kemi arritur ta kemi më 12 qershor, që besoj që është premiera e parë në gjithë rajonin”, theksoi Morina.

Ai shtoi se këtë shfaqje e kishin përcjellë në teatër vetëm rreth 40 persona, për shkak të masave kufizuese. Në fund të muajit shtator kjo premierë ishte shfaqur po ashtu në teatër, por me mundësinë e shfrytëzimit të 40 për qind të hapësirës së teatrit.

“Nuk është ndjenjë shumë e mirë. Por, vullneti shumë i madh i aktorëve që të mos e ndalin punën dhe të kthejnë një lloj optimizmi, na ka shtyrë që të performojmë edhe për numër të vogël të publikut”, theksoi Morina.

Aktualisht, siç thotë Morina, për shkak të shtrëngimit të masave kufizuese, kur lëvizja e njerëzve është e kufizuar që nga ora 19:00 e deri në 5:00, shfaqjet janë organizuar në orët e pasdites, ndonëse me publik shumë të kufizuar edhe për shkak të terminit, si dhe shpeshherë të sfiduar për shkak se disa nga aktorët kanë qenë të infektuar nga koronavirusi.

Megjithatë, gjatë këtij viti, Teatri Kombëtar ka realizuar pesë premiera, dy në skenën e madhe dhe tri të tjera në skenën e vogël të këtij teatri, që nënkupton se ka realizuar gjysmën e planit të paraparë për këtë vit./ Zeri