MENU
klinika

Çfarë tregojnë rezultatet paraprake?

Cilat parti fituan zgjedhjet në Mostar pas 12 vjetësh?

21.12.2020 - 12:45

Partitë dominuese boshnjake dhe kroate fituan shumicën e votave në zgjedhjet lokale të Mostarit, tregojnë rezultatet paraprake.

Zgjedhjet në këtë qytet të Bosnjës u mbajtën të dielën, për herë të parë në 12 vjet.

Partitë e vogla, përfshirë Bllokun multietnik të Bosnjës, fituan po ashtu ulëse në këshillin e qytetit, të përbërë prej 35 anëtarësh. Për udhëheqjen e qytetit, kryebashkiaku i ri do të ketë nevojë për mbështetjen e shumicës prej dy të tretave.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 55 për qind. Popullsia e Mostarit prej 100,000 banorësh është kryesisht e ndarë midis kroatëve në perëndim dhe boshnjakëve në lindje, shkruan Rel.

Mostari nuk ka mbajtur zgjedhje lokale që nga viti 2008, për shkak të dështimit të autoriteteve për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës – të vitit 2010 – i cili ka vlerësuar se struktura e ndarjes së pushtetit të qytetit është anti-kushtetuese dhe se duhet reformë.

Në mungesë të zgjedhjeve, partitë dominuese, Partia Boshnjake e Veprimit Demokratik (SDA) dhe Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), kanë qeverisur zonat e tyre me shërbime të ndara, me kompani postare, universitete dhe spitale po ashtu të ndara.

Problemi është zgjidhur më 2019, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Bosnjën për dështimin e saj për të ndryshuar Ligjin e Zgjedhjeve dhe për të mundësuar zgjedhjet komunale në Mostar.

Në atë rast, gjykata ka vendosur në favor të mësueses dhe politikanes së Mostarit, Irma Baralija, e cila, në një proces gjyqësor, ka argumentuar se çështja ligjore e pengon atë të votojë ose të kandidojë në zgjedhjet komunale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN