MENU
klinika

Humanisti vizionar

Çingiz Aitmatov: Si të kemi paqen?

28.12.2020 - 17:37

         Shkrimtari, përkthyesi, gazetari dhe diplomati i mirënjohur kirgistan, një republikë e vogël e Azisë Qendrore ish-sovjetike në kufi me Kinën, ishte po aq i rëndësishëm për Kirgistanin, sa edhe Vaslav Havel për Rumaninë. Çingiz Aitmatov, autori i mirënjohur kirgistan dallohet pa dyshim për shkrimet elokuente, të cilat kanë udhëtuar nëpër botë dhe, falë tyre, shumë vende kanë zbuluar ekzistencën e vendit të tij. I përkthyer në më shumë se 150 gjuhë, Çingiz Aitmatov i ka lënë botës vepra artistike të pashembullta, të cilat i këndojnë bukurisë dhe ashpërsisë së vendit dhe popullit të tij. Historitë që ai rrëfen na çojnë nëpër një udhëtim në Kirgistanin sovjetik, duke treguar me ndershmëri të metat e regjimit dhe guximin e heronjve të tij./Konica.al/Historitë rrëfejnë po aq për politikën, sa edhe për dashurinë e pastër, revoltën, jetën e përditshme, fluturimin, traditat, familjen, forcën e grave, arsimin dhe shumë më tepër; e gjithë kjo, në telajon e maleve të larta dhe stepave të Kirgistanit verior. Një shkrimtar i admiruar në gjithë botën.“Gjithçka që ndodh në botë, i ndodh secilit prej nesh personalisht”, fjali e marrë nga një tregim i Aitmatovit, do bëhej parulla e Kombeve të Bashkuara, shprehet Alison Smale, në çeljen e një ekspozite kushtuar shkrimtarit kirgistan në Nju Jork, më 2018.

Çingiz Aitmatov ishte shkrimtar humanist dhe vizionar, foli për ndryshimin e klimës, humbjen e traditave dhe feminizmin përpara kohës së tij. Ai shkroi po aq mirë në gjuhën amtare, kirgize, sa edhe në rusisht, një gjuhë që e zotëronte shumë mirë. Është shkrimtari më i dekoruar sovjetik, duke përfshirë tre çmime shtetërore dhe çmimin “Lenin”, si dhe çmime të shumta ndërkombëtare. Pak para vdekjes Turqia ishte përgatitur ta nominonte për çmimin “Nobel” në Letërsi. Mes veprave të shumta “Mësuesi i parë, “Dita zgjat më shumë se një njëqind vjet”, “Djamila”, etj. “Kjo është historia më e bukur e dashurisë në botë”, pikërisht me këto fjalë Luis Aragoni, përkthyesi madhështor i “Djamila”, e përshkroi këtë vepër të shkëlqyer të Çingiz Aitmatovit.  Po ashtu, Aitmatov ka një karrierë të rëndësishme politike. Ndër të tjera ishte këshilltari i Mihail Gorbaçovit (edhe mik), më pas ambasador i Kirgistanit në Bashkimin Evropian, në NATO, Luksemburg, Belgjikë dhe Hollandë.

TË MBROJMË PAQEN

Kurrë dhe askush deri më tani, nuk është gjendur përballë një kërcënimi kaq të jashtëzakonshëm, kaq të paparashikuar dhe kaq të paimagjinuar. Si ta mbrojmë paqen?/Konica.al

Prej kohësh njerëzimi është i shqetësuar për fundin e botës dhe me dritën e vetëdijes, është përpjekur ta parashohë këtë fund, madje t’i japë formë. Në Bibël është përmbytja e madhe, gjetiu janë të gjitha mynxyrat natyrore të mundshme dhe të imagjinueshme. Por, para së gjithash, në histori askush nuk do të mund të parafytyronte dhe askush nuk e ka parafytyruar, se fundi i botës do të mund të rezultonte me një vetasgjësim, me në vrasje të gjinisë njerëzore, që ka grumbulluar në arsenalin e saj me përmasa kozmike të gjitha llojet e mjeteve të vdekjes.

I përket artistit bashkohor ta bindë njeriun, se duhet të ndiejë, të mendojë e t’i kuptojë të tjerët si veten. I përket atij, t’i drejtohet çdo race dhe fjala të ketë jehonë në çdo zemër. Vetëm kështu mund të shpresojmë, se njeriu do të shpëtojë nga varfërimi shpirtëror, nga kthimi në gjendje të egër, nga barbaria teknokratike, se njeriu nuk do të guxojë ta shtypë butonin atomik tek i cili, varen të gjitha jetët që gjallojnë mbi tokë.

Bota është në pritje. Bota lëkundet si një valëzim i shkumëzuar e i rëndë nga kërcënimi. Megjithatë, shenjat e alarmit, që, fatkeqësisht, transformohen në retorikë të gjendjeve të përditshme të zakonshme, vetëm sa i cekin mendjet, nxitin vigjilencën veç një çast, sepse të gjitha janë mbërthyer nga vorbulla e jetës së tyre, të punëve të tyre, të familjeve të tyre, të shqetësimeve rutinore që e quajmë jeta e përditshme.

Njeriu duhet ta jetojë jetën ditë për ditë. Por, letërsia dhe arti janë thirrur të përpunojnë idetë humaniste, t’i bëjnë të kalojnë nga e përgjithshmja tek e veçanta, me qëllim që secili të shqetësohet për problemet universale, aq sa të preokupohet për problemet vetjake. Këtu qëndron misioni ynë, kjo është detyra jonë./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit