MENU
klinika

Muzika sjell paqe

Dhjetori i pianistit të ri, Fatjon Pula

20.12.2020 - 11:00

Muzika është hepuar edhe më, e ka veshur botën me më shumë humanizëm, me më shumë paqe, ka veshur shpirtin me emocion dhe i ka dhënë kolore historive individuale të gjithësecilit. Bota është bërë më e mirë, më unike, sepse vetëm arti e ka këtë magji, këtë forcë të pakufishme të depërtojë e të përkëdhelë atë oaz sa individual po aq edhe social.

Pas 13-të vitesh, binomi mësues&studentë, krenarë për njëri- tjetrin, Marjana Xoxa & Fatjon Pula s`mund të ndalen pa performanca edhe këtë vit, ku bota ka ngadalësuar funksionin e vet, por jo muzika.

S’kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtë vit, me një talent si Fatjoni, që dhjetorin e ka vezulluar me sukseset e skenave me hapat të tij të guximshëm.

 

“Vitet do shkojnë dhe në sfond do të mbetet muzika që mësuam bashkë”- është kjo thënie postulate e mësueses së tij fisnike, që shpreh krenarinë dhe besimin e saj për suksesin e Fatjonit

Pas kurorëzimit me vendin e I në “Fieri Best Talent” 2020, me regji e skenar të P. Laço & B.Laço, me juri K. Bakiu, K.Tusha, M. Kutali, ku Fatjoni u vlerësua për potencën artistike, vështirësinë dhe forcën në luajtjen e pjesëve të veçanta, njëkohësisht për brishtësinë e luajtjes së pjesëve delikate, për përcjelljen e emocioneve në shpërndarjen e tingujve, ai fillon performancën në “Albania got talent” që u ndërpre për shkak të pandemisë, por Fatjoni nuk mund të ndalte udhëtimin e tij artistik.

Pikërisht ishte performanca në “Albania got talent” që u bë nyja lidhëse për pjesëmarrjen në Cult Caravan, nxitur nga artistja Arta Neziri Nuhiu.
Cult Caravan është një Projekt Ndërkombëtar i koncerteve & festivaleve, konkurseve në Poloni, organizuar nga International Culture Caravan dhe Fundacija Benefis, me një sferë të gjerë për mbështetjen e zhvillimin e kulturës, artit, arsimit, sporteve etje që kujdeset për zhvillimin intelektual dhe fizik të shoqërisë.

Këtë vit në Cult Caravan morën pjesë 1056 instrumentistë nga 30 vende të botës ku Fatjoni performon me kompozimin e Ramin Djawadi “Game of Thrones”, sipas performancës më të vështirë të luajtur nëpër botë nga pianisti virtuos Jarrod Radnich. Ishte një shans i madh për Fatjonin për të treguar në këtë edicion online aftësinë dhe talentin e tij para një audiencë të shkëlqyer, duke kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe aq më tepër të diplomohet si një ndër më të mirët e këtij Festivali, duke qene përherë shpërblyes i mundit e përkushtimit të artistes virtuoze fierake, mësueses Marjana Xoxa. Por emocioni nuk mbaron këtu për Fatjonin, ai bëhet më surprizues, më drithërues, i veshur me më shumë krenari, ku së bashku me diplomën e tij, vjen dhe diploma e profesoreshës së tij, që di të flasë vetëm me gjuhën e tingujve e të shpërthejë heshtjet me sukseset e studentëve të saj,vjen diploma e misionares së muzikës Marjana Xoxa me një motivacion aq domethënës.

“Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për kontributin tuaj në zhvillimin e kulturës kombëtare, shkëmbimin kulturor ndërkombëtar, të artit dhe edukimit kulturor. Ne vlerësojmë qasjen tuaj ndaj studentëve, stilin e mësimdhënies, përvojën dhe aftësitë profesionale të cilat së bashku lejojnë promovimin e trashëgimisë e kulturës botërore”.

Një binom i veshur me krenari të ndërsjellë, me emocion drithërues të shpërfaqur gjithëherët, ashtu si vetëm tingujt përcjellin, ashtu janë e do të ecin së bashku në konkurimin e radhës në Festivalit Ndërkombëtar “ EUROKINDS WINTER” në Itali, Marjana Xoxa & Fatjon Pula..
Tashmë janë në pritje të rezultateve të këtij edicioni online, të festivalit të fëmijëve dhe të rinjve në art, i cili përfundon në funddhjetor.

E sigurt se performanca e Fatjon Pula do të jetë befasuese dhe surprizuese për jurinë e përbërë nga emra të shquar të artit, të muzikës, si Guillermo Albelo – Spanja, Paul Crabb- USA, Roberto Maggio- Itali, Rossy Yordanova – Bullgaria, Yvette Moiano- Zvicra, Nuno Figueira – Portugalia, Tetiana Apanasenko dhe Anastasia Voiedilo – Ukrahina, Zorica Ninkovic- Serbia, İbrahim Kılıçlar – Turqia, Pitch Pathnitharn- Tailanda etje.

Përherë dhjetori është festiv, por tashmë për ne, ai nuk mund të vijë pa tingujt e pianos së Fatjonit, pa suksesin e tij.

Kjo është ana tjetër e Fatjonit që nuk ka studiuar në shkollë artistike, por është dashuruar me muzikën dhe ka rendur drejt ëndrrës me pasionin e tij për të na emocionuar sa e sa herë, sidomos pas 2014-ës, ku performon muzikë klasike për herë të parë në sallën e koncerteve të shkollës “Jakov Xoxa” në Fier. Preferencat e tij të moshës ishin “ Nottre dame de Paris” e të madhit Ricardo Cocciante, operetat muzikore si “Belle” e intepretuar nga Garou, “Le temps des cathedrales” “Danse mon Esmeralda” etje .

Në 2015 koncertin e dytë recital “Tingujt e jetës” në një audiencë më të gjerë në sallën e Teatrit “Bylis”, e në 2016 koncerti recital i III-të “Rrugëtim përmes muzikës” po në Teatrin “Bylis” me një repertor më të plotësuar me preferencat e tij muzikore.

Pas performancës së shkëlqyer si finalist në Top Talent Show, ai vjen me koncertin recital spektakolar “Ana tjetër e imja” , në 2019, me një repertor akoma më të përzgjedhur e plot larmi, ku nën tingujt e magjishëm audienca e ekzaltuar shijoi për afro dy orë muzikën e J.Groban, Schubert,A. Çelentano, M. Jackson, Eminem, Liszt por jo vetëm. Në repertorin e përzgjedhur të Fatjonit vend të konsiderueshëm zinte muzika shqiptare, A.Skenderaj, E. Tarifa, F. Mumajesi, E. Deda, Elita 5 etje

Ja, pra, ky është Fatjoni 19-vjeçar, një emër që po konsolidohet gjithnjë e më shumë me historitë e suksesit në art, në muzikë nën përkujdesjen e vazhdueshme të të mrekullueshmes Marjana Xoxa dhe prindërve të tij Arjan & Elvira Pula.

 

Nga: Valentina Dafa – Fier