MENU
klinika

Kategoria e Parë, Java 6

Dinamo fiton derbin dhe merr kreun e grupit

10.12.2020 - 15:30

Kanë përfunduar ndeshjet e javës së gjashtë në Kategorinë e Parë. Në Grupin A u luajt derbi i kryeqytetit mes Partizanit B dhe Dinamos. Në takimin e zhvilluar në Pezë-Helmës, triumfuan blutë 1-2 dhe tashmë marrin edhe kreun e renditjes.

Të dy golat u shënuan nga Almeida, fillimisht nga një gabim i portierit të Partizanit në 27’ dhe në pjesën e dytë në 59’ dyfishoi. Pak para golit të dytë, të kuqtë kishin mbetur me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq të kapitenit Peqini. Bërdufi ngushtoi në 87’.

Dinamo kryeson tashmë me 13 pikë (po kaq kanë edhe Burreli me Korabin), 9 gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar. Blutë e kryeqytetin hedhin kandidaturën për t’u ngjitur në Superligë.

Në Grupin B, Flamurtari fiton 1-0 në Cërrik ndaj Elbasanit. Golin e vetëm të takimit e shënoi Ribaj me penallti në 25’. Vlonjatët siglojnë kështu fitoren e dytë dhe shohin para me pretendimet e tyre. Ndërsa Elbasani mbetet pa asnjë pikë, madje ende nuk ka shënuar golin e parë këtë sezon.