MENU
klinika

Votohet qeveria e re malazeze

Abazoviç bën histori, shqiptari i parë që merr postin e Zv. Kryeministrit

04.12.2020 - 19:10

Parlamenti i Malit të Zi miratoi me 41 vota qeverinë e re me kryeministër Zdravko Krivokapiçin.

Ndërkohë, shqiptari Dritan Abazoviç u zgjodh zv.kryeministër i Malit të Zi pasi mbështeti koalicionin anti-Gjukanoviç përmes nismës civile URA. Qeveria mori 28 vota kundër dhe 1 abstenim.

Qeveria e re do të ketë 12 ministri.

Abazoviç mbajti një fjalim të fortë dje duke theksuar se kërkonin një raport të ri me Serbinë.

“Ju doni të na shtyni në grindje, ne nuk duam. Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë – ne do të fillojmë nga e para. Qeveria e re duhet të ndërtojë marrëdhënie të reja. Ne nuk duam një politikë grindavece. Nëse dikush e dëshiron atë, le ta zbatojë atë. Me të gjitha vendet në rajon ne duam të ndërtojmë bashkëpunimin më të mirë të mundshëm”, tha Abazoviç.

Qeveria e re u mbështet nga deputetët e partisë nga lista “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, e udhëhequr nga Fronti Demokratik, Mali i Zi Demokratik dhe Lëvizja Qytetare URA.

Kundër qeverisë së re ishin partitë opozitare DPS, Socialdemokratët, Partia Social-Demokrate, dy parti kombëtare shqiptare dhe Partia Boshnjake.

Synimi i Krivokapiçit ishte të krijonte një qeveri të ekspertëve që do të përballej me problemet e akumuluara në Malin e Zi – duke e trajtuar gjendjen me COVID-19 dhe duke u përballur me pasojat e krizës ekonomike.

Duke ulur numrin e ministrive në 12, kryeministri paralajmroi racionalizimin e administratës shtetërore.

Shumica e ministrave janë të rinj me arsim të lartë, relativisht të panjohur për publikun e gjerë, të paktën gjysma e të cilëve janë afër Kishës Ortodokse Serbe.

Me sugjerim të Kishës Ortodokse Serbe, Krivokapiç ishte në krye të listës “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, e cila dominohet nga Fronti Demokratik Pro-Serb.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja ç'shkruan Deutsche Welle

Një epokë e re në Malin e Zi