MENU
klinika

“E rrezikshme, mund të kryejë krime të tjera”

Gjykata lë në burg Elona Kaleshën

26.12.2020 - 10:40

Elona Kalesha, e akuzuar për vrasjen e bashkëshortëve Shpëtim dhe Teuta Pasho, prindërit e ish-partnerit të saj, do të mbetet në burg.

Çifti Pasho u zhduk në mënyrë misterioze 5 vite më parë dhe u gjetën ditët e fundit të copëtuar në katër valixhe në një fushë pranë Burgut Solliçiano në Firence. Gjykatësi për hetime paraprake, Angelo Antonio Pezzuti, pasi konsideroi të ligjshëm arrestimin e 36-vjeçares, vendosi lënien në qeli për shkak të rrezikut të arratisjet, por mbi të gjitha mundësinë që ajo të mund të kryente krime të mëtejshme.

Sipas gjykatësit, Elona mund të vrasë përsëri sepse është “e rrezikshme, ka bashkëpunëtorë dhe është pjesë e një qarku kriminal”.

I njëjti mjedis kriminal, në të cilin do të ishte pjekur krimi i tmerrshëm i çiftit dhe në të cilin do të lëviznin bashkëpunëtorët e tij, akoma të lirë.

BASHKËPUNËTORËT

Prokuroria dyshon se edhe dy persona të tjerë vepruan bashkë me 36- vjeçaren për të vrarë Shpëtim dhe Teuta Pashon dhe për t’i fshehur ata.

“Elona Kalesha është e rrezikshme, ekziston mundësia që të kryejë të njëjta krime të ngjashme, si ai për të cilin ne po e procedojmë”, argumentoi gjyqtari Pezzuti në vendimin e tij, duke shtuar se 36-vjeçarja duket se është futur përgjithmonë në një qark kriminal.

“Ka marrëdhënie të ngushta me njerëz me një kalibër të rëndësishëm kriminal dhe me sa duket e ka përdorur punën e bashkëpunëtorëve. Për këtë arsye, mund të konsiderohet se, për sa i përket sigurisë ose probabilitetit të lartë, Elona Kalesha, nëse nuk është e kufizuar në lirinë e saj, do të kthehet për të kryer një krim nëse ekziston mundësia”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

DËSHMITË

Në ndërtesën në Fontana, pastrimi i godinës bëhet të enjten ose të premten.

Për disa ditë, në fillim të nëntorit 2015, banorët gjetën sallën e hyrjes të lyer me një substancë ngjitëse dhe erën e rëndë, duke menduar për praninë e një të vdekuri.

Sa herë hapej dera e një prej apartamenteve, era e keqe përhapej shpejt në të gjithë shkallën.

“Një mëngjes unë u ktheva nga supermarketi dhe nuhata një erë të rëndë, si të mishit të kalbur. Pashë një grua të re që po dilte nga atje me qese letre në dorë, nga e cila dilte një substancë dhe derdhej mbi dysheme. I thashë asaj: ‘Ka ndonjë njeri të vdekur?’, sepse u shqetësova nga era e keqe. Ajo më tha se vinte era e verës së prishur. I thashë se kjo është aromë e mishit të kalbur. Pastaj kjo zonjë, pa u përgjigjur dhe madje e mërzitur, doli nga dera dhe unë e pashë duke hedhur qeset e letrës që po pikonin në koshin e shtëpisë dhe u largua me karrocë”, i ka deklaruar një banor i pallatit karabinierëve.

Për karabinierët, ajo grua ishte Elona Kaleshi dhe ato mbetje që lëshonin erën e vdekjes në të gjithë ndërtesën ishin ato të bashkëshortëve Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52-vjeç, prindër të të dashurit të saj në atë kohë.

Në dyzet faqet e dosjes së arrestimit të firmosur nga prokurorja Ornella Galeotti, gjenden elementët që shqetësuan 36-vjeçaren shqiptare, aktualisht e vetmja e hetuar për vrasjen e dyfishtë, përbuzjen e kufomave dhe fshehjen e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN