Hyji Apolon, e njohur më mirë, si Dea e Butrintit, është një nga kryeveprat që manifeston skulpturën antike shqiptae. Punimi është vlerësuar si skulpturat e shkollës apolloniate. Koka është simbol i shumëfishuar në shumë botime e kartolina, si një nga simbolet e trashëgimisë së lashtë të vendit.
U zbulua në vitin 1928, nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini, gjatë gërmimeve që sollën edhe zbulimin e teatrit të lashtë të Butrintit, në pikën më jugore të Shqipërisë. Fillimisht, Ugolini e quajti perëndesha e Butrintit (Dea di Butrinto).
Busti i përket periudhës së shekullit të katërt para Krishtit dhe cilësohet si Hyji Apolon, që glorifikon bukurinë mashkullore edhe femërore njëkohësisht. Në pjesën ballore duket sikur i ngjan një vajze, por në profil studiuesit thonë, se i ngjan një djali.
Skulptura është punuar në mermer dhe përkufizon një punim në formë vezake që shquan më së miri, mjekrën e rrumbullakuar me një gropëz në mes, vetulla të holla e të harkuara bukur, sy të mëdhenj e pasionantë, gojë të vogël dhe buzë të trasha. I gjithë punimi në kompleksitet është një skulpturë unike që bashkon artin, finesën dhe adhurimin për portretin gjysmënjeri e gjysmëhyjni. Hyji Apolon është vendosur në Pavijonin e Lashtësisë të Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Butrinti është një emër dhe vend, që lidhet me shumë ngjarje a legjenda, ardhur nga lashtësia. Një prej legjendave të famshme të qyetit në skajin jugor, shkruar nga Moikom Zeqo, është: Vdekja e Hyut Pan
Vdekja e Panit dhe britma e nimfave të liqenit
Plutarku ruan në librat e tij, një legjendë për një ngjarje që ka ndodhur në zonën e Butrintit.
Ai thotë se Epitersi, babai i oratorit Emiliani, tregonte si njëherë duke lundruar në drejtim të Italisë, ishte në një anije plot me njerëz dhe të ngarkuar plot me mallra.
Gjatë udhëtimit në një mbrëmje pushoi era dhe kështu anija që kishte arritur pranë ekinadeve, filloi të lëvizte sipas rrymës së ujit në det, duke u afruar tek një nga ishujt e Paksosit, që gjenden në jug të Korfuzit.
Udhëtarët në anije ishin akoma zgjuar.
Disa po pinin verë. Papritur u dëgjua një zë këlthitës, që thirri nga njëri prej ishujve Paksos “Thamos, Thamos!”
Zëri ishte kaq i fortë sa që të gjithë u çuditën. Në të vërtetë në anije ishte një djalë i quajtur Thamos, që qe egjiptian dhe qe piloti, ose më saktë timonieri i anijes.
Thamosi u përgjigj.
Ahere zëri misterioz tha në horizont: “Kur të arrish pranë liqenit Palode (qyteti i sotëm i Butrintit) lajmëro se Pani i Madh ka vdekur”.
Epitersi shton se të gjithë ata që e dëgjuan këtë zë u tmerruan.
Shumica e udhëtarëve u frikësua dhe nuk donte që anija të afrohej në liqenin Palode.
Thamosi vendosi ta drejtonte anijen aty. Kur anija arriti në liqenin Palode, era dhe deti u qetësuan. Thamosi u drejtua nga toka e Butrintit dhe thirri duke lajmëruar me zë të lartë “Dëgjoni, Pani i Madh ka vdekur!”
Sapo mbaroi fjalën u dëgjua një vajtim i tokës dhe i ujërave, një vajtim kozmik, jo një vajtim i një njeriu por i shumë qenieve njerëzore dhe hyjnore që ulërinin së bashku dhe sidomos zëri i nimfave të liqenit.
Ky lajm i tmerrshëm arriti në Romë.
Perandori romak Tiberi u shqetësua, e thirri vetë Thamosin, i bëri përshtypje tregimi i tij dhe çoi njerëz që të interesoheshin në zonën e Butrintit pse dhe si vdiq Pani i Madh.
Kjo legjendë e jashtëzakonshme, për të cilën unë kam shkruar disa herë, tregon fundin e paganizmit politeist dhe fillimin e triumfit të krishtërimit.
E meriton Pani i Madh t’i ngrihet një përmendore buzë liqenit të Butrintit.