MENU
klinika

"Gjerësia nuk ndikon në përcaktimin e vijës së kufirit"

Ish-kreu i Forcave Detare: Nuk ka asnjë efekt nga zgjerimi me 12 milje

28.12.2020 - 11:55

Ish-kreu i Forcave Detare, Artur Meçollari, ish-anëtar i grupit negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë, shprehet se zgjerimi i Greqisë me 12 milje nuk sjell asnjë përfitim të Greqisë në negocimin e një marrëveshjeje të re për detin mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Meçollari shprehet se gjerësia e detit territorial nuk ndikon në përcaktimin e vijës kufitare mes dy vendeve. “Në vitin 2009 Shqipëria u fut në marrëveshje me Greqinë me ZERO gjerësi të detit territorial dhe Greqia me 6 milje detare. Sot, po të kemi një marrëveshje me Greqinë do futemi të dyja shtetet me 12 milje detare të detit territorial.

Që të kuptojmë problemin mjafton t’iu përgjigjemi pyetjeve: Çfarë përfiton Shqipëria me zgjerimin nga ZERO në 12 milje detare të detit territorial në një marrëveshje të mundshme në krahasim me 2009-ën? Çfarë përfiton Greqia me zgjerimin nga 6 në 12 milje detare të detit territorial në një marrëveshje të mundshme në krahasim me 2009-ën?

Përgjigja për të dyja pyetjet është ZERO. Gjerësia e detit territorial nuk ndikon në përcaktimin e vijës delimituese, pasi shtetet delimitojnë det territorial deri në 12 milje larg secilit breg duke supozuar se i kanë gjerësitë e deteve territoriale 12 milje detare”, shkruan Meçollari. Përmes një statusi të dytë, ai sqaron gjithashtu se palët e treta që nuk janë dakord gjatë negocimit të një marrëveshjeje, nuk mund të ndërhyjnë në të, por vetëm në gjykatat ndërkombëtare.

“Kur Shqipëria dhe Italia firmosën marrëveshjen për delimitimin e shelfit kontinental në 18 dhjetor 1992 nuk pyetën as Greqinë dhe as ish-Jugosllavinë e mbetur, kjo pasi një marrëveshje dypalëshe nuk mund të cenojë interesat e një pale të tretë. Nëse një shtet, palë e tretë, verifikon cenim të interesave nga një marrëveshje dypalëshe, ka mekanizma si zgjidhen mosmarrëveshjet brenda një afati kohor të pranuar. Por nuk është detyrim që kur realizohet një marrëveshje të përfshihen palët e treta. Marrëveshjet e realizuara së fundmi në detin Mesdhe, ItaliGreqi, Greqi-Egjipt dhe TurqiLibi kanë qenë dypalëshe, por mund të jenë kontestuar më pas sipas mekanizmave të parashikuar nga e drejta ndërkombëtare…”, shprehet Meçollari.