MENU
klinika

Tirana pa bibliotekë

Kadare i përkthyer keq në Itali

18.12.2020 - 12:49

       Kushtuar autorëve shqiptarë të përkthyer e botuar në italisht, u mbajt takimi nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Ministria e Kulturës. Interesi i pakët për një gjuhë të vogël, përkthimet e dobëta e shtëpitë botuese pa shumë emër, duke se janë kufiri i fundmë për letërsinë shqipe para publikut italian. Ky aktivitet përkon me 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, si dhe me 100-vjetorin e krijimit të Bibliotekës Kombëtare.

Një vit më parë, këta libra treguan rrugëtimin tonë kulturor e historik në Festivalin e Letërsisë në Mantova.

 Nga Jeronim De Rada, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare e deri te shkrimtarët përfaqësues të brezit të ri, të pasviteve ’90-të, ky aktivitet shpalos mozaikun e letrave shqipe për lexuesit italianë. Të pranishëm ishin Elva Margariti, ministre e Kulturës, zv.kryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe Drejtoresha e Qendrës së Studimeve për Arbëreshët, Diana Kastrati.

Të pranishëm gjithashtu ishin edhe shkrimtarët Diana Çuli dhe Vera Bekteshi, si edhe shkrimtari Ylljet Aliçka dhe poeti e përkthyesi Julian Zhara. Ministrja Margariti u shpreh se një vit më parë në “Festivalletteratura” në Mantova, Tirana ishte qyteti-personazh, “una citta tra le righe”. Por sipas saj, prej atij momenti ishte një kërkesë ngulmuese, që atë Tiranë librash ta sillnim në Tiranën tonë.

“Në këtë 100-vjetor të kryeqytetit, 100 libra të autorëve shqiptarë e të huaj për Shqipërinë, në gjuhën italiane, mbërritën në Tiranë”, tha ajo. Në fjalën e saj drejtoresha e QKLL Alda Bardhyli tha se ky fondi i librave do të pasurohet në vazhdim, jo vetëm në gjuhën italiane. “Vetëm gjatë viteve të fundit janë përkthyer në gjuhë të huaj veprat e 20 autorëve shqiptarë. Uroj që ky fond të pasurohet në vazhdim”, u shpreh Alda Bardhyli.

Shkrimtari i njohur Ylljet Aliçka shprehu dhe vështirësitë që hasin autorët shqiptarë për botime jashtë vendit dhe pohoi për një mbështetje institucionale. “Ne që shkruajmë e dimë shumë mirë se sa e vështirë është që të botohesh jashtë dhe për t’u promovuar jashtë. Qoftë një logjikë se sa shitesh, por duhet edhe një mbështetje institucionale”, tha mes të tjerave shkrimtari Ylljet Aliçka.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli tha se këto vite “20 autore shqiptare u perkthyen italisht nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës”.

Ndërsa poeti e përkthyesi Julian Zhara që jeton e shkruan në Itali, duke vlerësuar nivelin e letërsisë shqipe preku thembrën e Akilit, kur tha se “Duhen përkthyes të mirë e botues të mëdhenj që letërsia shqipe të ketë sukses në vendin fqinj”.

Ndërsa Diana Çuli solli përvojën e vet me botimin e librave të saj në italisht dhe Aliçka kërkoi një bazë të dhënash për autoret e botuar, se si një përkthim i dobët ndal edhe një shkrimtar të madh, e shohim përmes Kadaresë.

Sipas përkthyeses Diana Kastrati “Kadare, në italisht është përkthyer nga frëngjishtja, çka ka bërë që të humbë shumë, pasi librat duhen përkthyer nga origjinali”.

100 libra për Tiranën të prezantuar në festivalin e Mantovës, tashmë janë në Tiranë. Por, Tiranës, i mungon një bibliotekë dhe për këtë, ministrja është e vetëdijshme.

Margariti tha se “ne sollëm 100 librat për Tiranën nga Mantova dhe se” duhet një bibliotekë qyteti. Le të jetë qendra, foleja për momentin, por shpresoj të kemi një bibliotekë qyteti”.

Përkthime që lënë për të dëshiruar dhe botues modestë, mund të heshtin edhe zëra të mëdhenj, në një vend, ku botohet letërsia e madhe për lexues të kultivuar. Buxhetet janë një tjetër handikap, që nuk siguron dy cilësitë e kërkuara.