MENU
klinika

Cili deputet votoi kundër?

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet/ SPAK ‘merr’ në dorë krimet zgjedhore!

14.12.2020 - 12:34

Komisioni i Ligjeve ka miratuar me shumicë votash ndryshimet në ligjin për Organizimin e Prokurorisë, si pjesë e marrëveshjes se 5 qershorit.  Sipas ndryshimeve të reja, SPAK do të hetojë krimin zgjedhor.

Kundër këtij ligji votoi vetëm deputeti Ardiatik Alimadhi, i cili tha se edhe në Kuvend ka votuar kundër marrëveshjes së 5 qershorit mes partive politike. “Këto subjekte politike e kanë shpikur fenomenin e vjedhjes së votës”, u shpreh Alimadhi.

Ligji parashikon që kryeprokurori dhe prokurori të kenë kompetenca të gërshetuara në një çështje hetimi për raste të korrupsionit zgjedhor.

Në amendimin e ligjit, SPAK-ut i jepet e drejta të hetojë shitblerjen e votës kurse prokuroritë në rrethe do të ngrenë grupe të posaçme.

Ndryshimet

Megjithatë, ndryshimet ligjore përkatëse që erdhën nga Këshilli Politik nuk do të shkojnë në Parlament plotësisht ashtu siç erdhën. Pas kontestimit të herës së kaluar nga deputetët e maxhorancës, në draftin që miratohet sot është hequr detyrimi që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK-u t’i japin informacion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Prokurori i përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas juridiksionit përkatës, detyrohen me ligj t’i japin informacion KQZ-së, brenda 15 ditësh nga kërkesa e kësaj të fundit, për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Informacioni jepet me të dhënat për çështjet penale, personat nën hetim, kohëzgjatjen e hetimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për kërkesat e prokurorisë për gjykim, kohëzgjatjen e gjykimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për ankimimin e vendimeve gjyqësore, shkakun e ankimimit, si dhe të dhënat për faktin nëse çështjet janë gjykuar në apel ose në Gjykatën e Lartë dhe rezultatin e këtij gjykimi.

Pjesë e informacionit duhet të jetë dhe informacioni për ekzeku-timin e dënimeve”, thuhet në relacionin e projektligjit. Por ky ndryshim nuk do të miratohet, dhe sipas burimeve, SPAK-u dhe prokuroria do të funksionojë si me të gjitha organet e tjera.