Federata Shqiptare e Futbollit ka firmosur sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Qeverinë për bashkëpunim në rindërtimin e katër shtëpive të shkatërruara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, hodhën firmat në marrëveshjen që parashikon realizimin e punimeve për rindërtimin e 4 banesave individuale me donacione të grumbulluara nga Federata në Bashkitë Durrës dhe Shijak.
Në fjalën e mbajtur gjatë nënshkrimit të këtij bashkëpunimi, Sekretari Shulku falënderoi të gjiha federatat partnere, futbollistë të Kombëtares si edhe administratën e FSHF-së, që iu përgjigjën apelit për ndihmë dhe siguruan kontributin e vyer financiar.
“Jam shumë i lumtur që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Presidentit Duka, firmosim sot këtë marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin Ahmetaj për rindërtimin e disa shtëpive të dëmtuara nga tërmeti me donacione të FSHF-së.
Kjo marrëveshje vjen në respekt të angazhimit të FSHF-së për t’u solidarizuar me familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar. Menjëherë pas tërmetit Federata e Futbollit nisi mbledhjen e fondeve për t’u ardhur në ndihmë familjeve të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore.
Thirrjes tonë për ndihmë iu përgjigjën menjëherë partnerët tanë, si Federata e Italisë, Federata e Islandës, Federata e Kosovës, Federata e San Marinos, Federata e Çekisë dhe Federata e Spanjës. Gjithashtu, iu përgjigjën kësaj thirrje përmes donacioneve edhe lojtarë të ekipit Kombëtar, trajneri Edy Reja, administrata e FSHF-së dhe donatorë të tjerë të jashtëm”, – tha Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së.
“Dua t’i falënderoj në mënyrë të veçantë të gjitha këto federata, futbollistët Elseid Hysaj e Thomas Strakosha, si edhe administratën për kontributin e tyre financiar. Falë fondeve të grumbulluara, do të rindërtohen nga e para 4 shtëpi, më konkretisht 2 në zonën e Bubqit, 1 në Durrës dhe 1 në Shijak për t’i ardhur në ndihmë këtyre familjeve, që të rikthehen sa më parë në jetën normale.
Me ndihmën e qeverisë ne shpresojmë që ky proces rindërtimi të nisë sa më shpejt, të mos ketë burokracira, që këto familje të hyjnë sa më parë në një banesë të re”, – theksoi Shulku.
Ndërsa, Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, shprehu kënaqësinë nënshkrimi e kësaj marrëveshjeje dhe vlerësoi solidaritetin e treguar nga Federata Shqiptare e Futbollit me familjet e goditura nga kjo fatkeqësi natyrore.
“Sot nënshkruajmë një tjetër marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të rindërtimit. Më vjen mirë që Federata Shqiptare e Futbollit iu bashkua këtij projekti madhor, që në një vit ka angazhuar mbi 25 vende të huaja donatore dhe një numër të madh sipërmarrjesh shqiptare, të cilat gjej rastin t’i falënderoj sot për solidaritetin e treguar që në ditën e parë pas tërmetit të vitit të kaluar.
Federata Shqiptare e Futbollit do të financojë ndërtimin e katër banesave individuale në Bashkitë Durrës dhe Shijak. Donacioni sipas kësaj marrëveshjeje do t’i nënshtrohet të gjitha parashikimeve ligjore në fuqi për përjashtimet fiskale përkatëse në rastet e fatkeqësive natyrore në kuadër të rindërtimit. E falënderoj edhe një herë Federatën Shqiptare të Futbollit”, – tha Ahmetaj.