MENU
klinika

COVID në Shqipëri

Më shumë të infektuar, por më pak shtrime në spital

07.12.2020 - 07:58

Javët e fundit kanë sjellë shtim të rasteve pozitive me COVID-19, por s’mund të thuhet e njëjta gjë për shtrimet në spital.

Edhe pse shifrat ditore në të shumtën e herëve kanë kapërcyer mbi 800, në spital numri i pacientëve nuk i ka tejkaluar 500. Dita me numrin të lartë të shtrimeve ishte e marta e 1 dhjetorit me 491 të shtruar, nga ku për shkak të mbingarkesës dhe ezaurimit u njoftua hapja e spitalit COVID 4 (ish-Universiteti “Kristal”).

Aktualisht, referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, teksa jemi me mbi 20 mijë të infektuar aktivë, në spital po trajtohen 479 pacientë, 35 në terapi intensive, 9 pacientë të intubuar. Vetëm përgjatë 3 ditëve të fundit kanë qenë mbi 800 raste ditore pozitive me COVID-19, ndërsa shtrimet në spital kanë ardhur në rënie. Kështu, nga 483 të shtruar që ishin të premten, të shtunën u raportuan 469 dhe një ditë më parë 479 pacientë. Por ndërkohë që numri i shtrimeve në spital ka ardhur në rënie, rastet fatale janë rritur ndjeshëm. Edhe të dielën u regjistrua një tjetër ditë me bilanc tragjik viktimash si pasojë e COVID-19.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 16 qytetarë me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 2 qytetarë nga Pogradeci, 2 qytetarë nga Fieri, 2 qytetarë nga Berati, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 51-86 vjeç”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

Teksa kemi hyrë në muajin e 10-të të pandemisë, zyrtarisht është bërë me dije se janë 905 persona që kanë humbur betejën me sëmundjen, ndërsa opozita ka hedhur dyshime se kjo shifër është edhe më e lartë. Lidhur me rastet e reja, edhe të dielën është regjistruar një tjetër ditë me numër të lartë të infektuarish. Kështu, nga mbi 2300 teste të kryera, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 840 persona.

“Në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë 840 qytetarë nga 2374 testime. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 345 raste në Tiranë, 75 raste në Shkodër, 52 raste në Fier, 47 raste në Berat, 42 raste në Vlorë, 33 raste në Kavajë, 24 raste në Gjirokastër, 23 raste në Lushnjë, 22 raste në Pogradec, 19 raste në Lezhë, 18 raste në Krujë, 17 raste në Korçë, 15 raste në Kolonjë, 14 raste në Mirditë, 11 raste në Kuçovë dhe Skrapar, 10 raste në Mat, 9 raste në Gramsh, 8 raste në Kukës, 7 raste në Sarandë, Malësi e Madhe, Peqin, 6 raste në Tepelenë, 5 raste në Librazhd, 4 raste në Devoll, 3 raste në Durrës, 2 raste në Mallakastër, 1 rast në Bulqizë, Tropojë, Has, Elbasan”, thuhet në raportin ditor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Sipas BE, kufijtë mund të hapen me vendet që…"

Epidemiologu: Rritja e temperaturave dhe e lagështisë ul infektimin nga COVID