MENU
klinika

“Mundësitë janë të gjitha në fuqi..."

Skënder Brataj: Mbyllja është gjithmonë një opsion

02.12.2020 - 19:55

Vendimi nëse Shqipëria do të shkojë drejt shtrëngimit të masave apo jo do të merret duke u bazuar tek indikatorët që tregojnë për përhapjen e sëmundjes. Këtë gjë e shpjegoi kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në një intervistë.

Brataj deklaroi se mbyllja është gjithmonë një opsion, nëse të dhënat përkeqësohen dhe virusi del jashtë kontrollit. Megjithatë, ai sqaroi se masat aktuale në fuqi janë të mjaftueshme për të menxhuar pandeminë, nëse ato zbatohen.

“Opsionet janë të gjitha në fuqi, si gjithmonë, siç bën çdo vend, ashtu bëjmë edhe ne, nuk bëjmë asgjë ndryshe. Janë indikatorët që përcaktojnë masat, Kemi kaluar tek masat e mesme. Transmetimi i infeksionit rreth shifrës 1 është i kontrollueshëm.

Nuk ke numër të pakufizuar burimesh në shtretër, spitale, aparatura, në njerëz, personel mjekësor.

Sepse dhe në kushte normale, sikur ta kesh 100 përqind të plotësuar të gjithë organikën, ka një kufi. E dyta, sa më shumë të përhapet infkesioni, aq më shumë do të ketë të sëmurë. Prandaj duhet të respektohen masat.

Mbyllja u diskutua që në fillim qe u mor si masë drastike që në mars. Është gjithmonë një opsion, njerëzit duhet të thonë si është e vërteta.

Ne duhet të themi që këto janë indikatorët, që tregojnë se nëse do të kalojmë 500 të infektuar në 100 mijë banorë, numri i të sëmurëve në ditë kalon një numër x, atëherë shkojmë tek mbyllja.

Por jo tani, njerëzit duhet të ndërgjegjësohen tek një gjë, që këto masa nëse respektohen janë të mjaftueshme për të përballuar pandeminë dhe për ta kontrolluar. Ne duhet të bashkëjetojmë me koronavirusin edhe për disa muaj”, deklaroi Brataj!

I pyetur nga gazetari Aleksandër Furxhi nëse do të ketë lehtësim masash për festat e fundvitit, siç po bëjnë vende të tjera, Skënder Brataj tha se Shqipëria nuk ka çfarë të lehtësojë. Sipas tij, shtetet që po hapen për festa kishin masa strikte për 2-3 javë.