Pas shifrave sporadike të raportuara a denoncuara pjesërisht në media, tanimë kemi një pasqyrë të plotë mbi situatën e infektimeve në shkollat e qarkut të Tiranës që prej 14 shtatorit, kur ato hapën dyert.
Bëhet fjalë për 1320 mësues dhe 850 nxënës të prekur nga COVID-19 në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në pesë qytetet e qarkut: Tiranë, Kamzë, Kavajë, Vorë dhe Rrogozhinë. Të dhënat janë raportuar nga drejtorët e zyrave vendore arsimore dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore në takimin e thirrur nga prefekti i Qarkut Tiranë, Toni Gogu, lidhur me vijueshmërinë e procesit mësimor.
Tryeza vjen në fund të javës së dytë të mësimit, sipas skenarit të dytë të mësimdhënies së alternuar e thuajse tre muaj që nga nisja e shkollës.
ANALIZA
Grafiku i depërtimit të COVID-19 në shkollat e kryeqytetit nuk i përgjigjet kurbës në rritje progresive të infektimeve në rang vendi. Siç mund të vërehet lehtësisht në grafikun sipër shkrimit, pikën më kritike, shkollat e kanë njohur në javën e katërt.
Por rritja është reflektuar më herët, në harkun 29 shtator-2 tetor, fiks dy javë pas fillimit të shkollës, po aq kohë sa është edhe periudha e inkubacionit. Pavarësisht shifrave, zyrat arsimore, sikundër edhe drejtues të tjerë më lart nuk pranojnë që shkolla të jetë vatër e përhapjes së virusit, duke e lidhur me faktin që virusi të jetë marrë në ambientet jashtë saj.
Në përfundim, të gjithë drejtuesit u zotuan se jemi në kushte ku mund të vijojmë normalisht procesin mësimor e madje deri në mbylljen e vitit shkollor. Sidoqoftë, fakt është që viti shkollor nuk ka nisur me zero mësues e nxënës të infektuar. Në ditën e parë, dhjetëra mësues e më pak nxënës nuk u paraqitën fare.
Java e parë regjistroi 84 mësues dhe 14 nxënës, numër ky që “fluturoi” në fillim të tetorit duke u trefishuar. Po brenda muajit erdhi dhe rënia që vazhdoi edhe në nëntor. Ndërkohë, që në vend rriteshin frikshëm të infektuarit, shkollat e Tiranës njohën pikun më të ulët.
Grafiku nuk ka pësuar luhatje të forta në vazhdim, por sidoqoftë, kjo nuk i ndaloi ekspertët shëndetësorë që në bashkëpunim me ata të arsimit të vendosnin kalimin në skenarin e dytë të mësimit të alternuara midis prezencës fizike në klasë dhe shtëpisë.
Grafiku sigurisht paraqet vetëm situatën e infektimeve, por jo atë të fataliteteve. Pavarësisht vendit ku e morën virusin, në rang vendi numërohen më shumë se dhjetë mësues që e kanë humbur betejën me COVID-19. Ashtu si në rang global, nxënësit, edhe pse shumëfish më të lartë në numër se mësuesit, për fat të mirë, rezultojnë më pak të prekur nga virusi.
MUNGESAT
Situata pandemike nxori në pah një kërkesë të shtuar për burime njerëzore. Një mijë mësuesit rezervë nga portali “mësues për Shqipërinë” jo në të gjitha rastet kanë bërë punë. Në zona të largëta apo rurale, midis papunësisë dhe punës, shumë kanë zgjedhur të parën.
Një numër i konsiderueshëm vendesh vakante të krijuara në arsim pas infektimeve apo kontakteve të ngushta me të infektuarit nuk janë plotësuar menjëherë duke krijuar mungesa e vakanca disa javore. Në jo pak raste, të panevojshme e deri edhe abuzive. Ardhja e testeve të shpejta zgjidh një problem që zyrat vendore kanë pasur me mësuesit që nuk paraqiteshin në punë pas izolimit deri në pritje të përgjigjes së tamponit.
Tanimë, me përgjigjen e testit brenda 5 minutash, problemi i mungesës së mësuesve mbetet çështje e kapërcyer. Aksesi në mësimin online, për klasat e ndërmjetme, gjithashtu mori rrugën e zgjidhjes, pas zotimit të prefektit për ta adresuar në institucionin përgjegjës, AKEP dhe operatorët e internetit.
Orët online, stres për mësues e nxënës
Pasi e prekën një herë në tre muajt e vitit shkollor që u përmbyll nën diktatin e COVID-19, mësimi online u kthye në makthin e mësuesve, prindërve e madje edhe nxënësve të mësuar me kontaktin me shkollën. Rikthimi në mësimin online nuk është pritur aspak mirë. Ai i alternuari, më keq akoma. Orët e zhvilluara fillimisht në klasë me një grup për t’i përsëritur pasdite nga kompjuteri në grupin e dytë, të tretë apo të katërt, për mësuesit është kthyer në stres. Jo më pak, për prindërit që duhet t’u sigurojnë akses në internet e pajisjet e duhura. Nga 1760 shkolla në të gjithë vendin, 1360 prej tyre zhvillojnë mësimin sipas skenarit të parë, në mjediset fizike, përfshirë këtu maturantët dhe klasat e para. Ndërsa 155 të tjera, të dëmtuara nga tërmeti zhvillojnë mësim në shkolla të tjera me katër turne deri në 19:45.