MENU
klinika

E pandehur nga SPAK

Sa vite burg rrezikon ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës?

16.12.2020 - 12:04

Ish-kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami rrezikon të dënohet deri në 7 vite burg, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës”.

Ajo tashmë është njoftuar për akuzën nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili bëri me dije se ka përfunduar hetimet në ngarkim të dhe ka çuar në GJKKO çështjen, duke e marrë të pandehur ish-kryebashkiakken. GJKKO pritet të hedhë shortin dhe seanca e parë ndaj Ramit pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm.

Një tjetër detaj që rëndon akuzën për ish-kryebashkiaken e LSI në Gjirokastër, Zamira Rami, është se veç dëmit ndaj qytetarëve, sipas SPAK ajo ka shkaktuar edhe dëm ekonomik ndaj shtetit pasi qytetarët e dëmtuar kanë fituar gjyqin duke u kompensuar pas prishjes së ndërtimeve me leje pa të drejtë. Dëmi ekonomik është afro 6 milion lekë. Hetimet nga SPAK për Zamira Ramin kanë nisur pasi Prokuroria e Gjirokastrës ka transferuar procedimin e nisur atje. Rami është kallëzuar nga personat e dëmtuar, Dritan Sako dhe Teodorti Xhai

Neni 248 i Kodit Penal

Shpërdorimi i detyrës (Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004; ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007; shfuqizuar pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013)

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.