“Mua nuk më kthen asgjë në televizion, përveçse mund të ndodhë ndonjë çudi shumë e madhe”, – ka thënë Xhemi Shehu në intervistën e saj për revistën “Ëho”.
Megjithë spektaklet e ndryshme, emrin e Xhemit të gjithë e lidhin vetëm me “Portokalli”-në. Dhe asaj nuk i vjen fare keq për këtë, përkundrazi. U shfaq fillimisht aty vetëm në një sezon, bashkë me Agron Llakajn dhe Amarda Toskën në 2006-ën, për t’u rikthyer në mars të 2015-ës, dy muaj pasi kishte lindur Gabrielin, djalin e dytë. E ndanin prapë skenën tre, bashkë me Salsano Rrapin dhe Eneda Tarifën, por kështu nga jashtë duket që ajo dhe Salsano jo vetëm kanë kimi skenike, por duket të jenë edhe shokë të ngushtë.
“Po, është e vërtetë, kam pasur kimi me Salsanon, veçse s’mund të them që javët e para. Por u lidha më shumë pasi iku dhe Eneda për në ‘Eurovizion’. Atëherë patëm më shumë mundësi që të punonim me njëri-tjetrin dhe u bëmë shokë të ngushtë”. “Me Enedën? Me Enedën kam tentuar që të jem shoqe, por nuk ishte e thënë. Kështu që e kam thjesht kolege. Dhe tani nuk e kam asgjë, sepse nuk besoj që do punoj ndonjëherë më me të”.
Pjesa tjetër e kohës së Xhemit, tani që është jashtë ekranit, është si ajo që kemi ne të gjithë. Domethënë shumë kohë në shtëpi. Do të kishte dashur ta shfrytëzonte këtë kohë (ne do vazhdojmë ta quajmë shkëputje, ndonëse ajo thotë ikje nga ekrani), për t’u marrë me bizneset e saj që ajo ka drejtuar: palestra, qendra estetike dhe parukeria tek Kodra e Diellit, por kjo mesa duket nuk është koha më e mirë për punë.
“Nuk është periudha më e mirë për bizneset, prandaj jam munduar ta marr me qetësi. Po i kushtoj më tepër kohë dhe vëmendje familjes dhe jam me shpresë e sipër që gjërat do rregullohen vitin që vjen ku mund të impenjohem 100% me të gjitha këto, gjithmonë nëse do jemi mirë”-ka thënë këngëtarja.