MENU
klinika

"Edhe nëse nuk nënshkruhet....dëmi është bërë"

A është e gabuar marrëveshja BE – Kinë?

10.01.2021 - 17:45

Analistët thonë se marrëveshja e re e investimeve e Bashkimit Evropian me Kinën, i heq Brukselit mekanizmat e presionit mbi Pekinin, ky opinion bie në kundërshtim me politikën e unionit për të punuar ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara në lidhje me Kinën, dhe tallet me angazhimin e Evropës ndaj vlerave.

Erik Brattberg drejtor i programit të Evropës, dhe bashkëpunëtor në “Carnegie Endowment për International Peace”:

Pas marrëveshjes tregtare paraprake që arriti presidentit amerikan Donald Trump me Pekinin, dhe paktin aziatik të Tregtisë dhe Partneritetit Ekonomik Rajonal të Përgjithshëm, BE-ja nuk do që të mbetet pas. Por koha e arritjes së kësaj marrëveshje përpara marrjes së detyrës nga administrata e re e presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden më20 janar, nuk është ideale.

BE-ja po tallet edhe me veten, nëse e merr të mirëqenë faktin që Pekini do t’i përmbahet domosdoshmërisht angazhimeve të marra në këtë marrëveshje, dhe nëse supozon se është i mundur më shumë “bashkëpunim” dhe “mirëbesim” ndaj regjimin kinez.

Ky pakt mund të zhgënjejë disa zyrtarë në Uashington, dhe të ndërlikojë perspektivat e një rivendosje të shpejtë të marrëdhënieve të ngushta transatlantike me ekipin e ri të Biden. Por ajo nuk duhet të përjashtojë hartimin e një axhende të fortë të përbashkët transatlantike ndaj Kinës, gjatë viteve të ardhshme.

Aty duhet të përfshihen të drejtat e njeriut – ku instrumenti i ri i BE-së në stilin e Aktit Magnitsky në SHBA për të drejtat e njeriut, mund të jetë një mjet i dobishëm duke pasur parasysh goditjet e reja të Pekinit ndaj Hong Kongut- kontrollin i investimeve dhe kufizimet e teknologjisë.

Në fakt, këshilltari i sigurimit kombëtar të Biden, Jake Sullivan, tashmë i ka zbutur mosmarrëveshjet me BE-në, dhe ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar një axhendë të përbashkët për shqetësimet e përbashkëta ndaj Kinës.

Theresa Fallon, drejtore e Qendrës për Studimet mbi Evropën, Rusinë dhe Azinë;

Për Kinën, marrëveshja nuk është një gabim, por një sukses i madh strategjik. Pekini ia doli të inkurajojë investimet e vazhdueshme evropiane, për të mbështetur zhvillimin e vet ekonomik dhe teknologjik; për të forcuar legjitimitetin e regjimit, pavarësisht nga abuzimet e të drejtave të njeriut në Hong Kong, Xinjiang dhe gjetkë; dhe ndoshta më e rëndësishmja, për të vendosur një pykë midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, duke parandaluar një front të bashkuar Bruksel-Uashington kundër Kinës, nën administratën Biden.

Megjithatë, për BE-në marrëveshja është një hap i gabuar. Nga njëra anë, lëshimet e kufizuara të Pekinit për qasjen në tregun kinez, nuk e ndreqin çekuilibrin e madh tregtar që anon aktualisht në favor të Kinës. Nga ana tjetër, BE-ja iu kundërvu SHBA-së.

Aktualisht marrëveshja është vetëm në formën e saj një marrëveshje politike, dhe nuk është nënshkruar ende në detaje. Por edhe nëse nuk nënshkruhet dhe nuk ratifikohet kurrë, në Parlamentin Evropian po kundërshtohet zëshëm, dëmi është bërë.

Në të ardhmen,BE duhet të synojë një politikë më të qëndrueshme ndaj Kinës, në të gjithë zonat ku ajo e cilëson Kinën si një partnere, si konkurrente, apo si një rivale sistematike. Ajo duhet të marrë më mirë parasysh pasojat gjeopolitike të veprimeve të saj.

Jakub Janda, drejtor i Qendrës Evropiane të Vlerave dhe Politikën e Sigurisë:

Në formën aktuale, marrëveshja BE-Kinë është e keqe në katër aspekte. Së pari, koha. BE nuk u konsultua dhe koordinua me administratën e ardhshme të Joe Biden, gjë që duhet të bëjë një organ i fokusuar tek multilateralizmi me aleatin e tij kryesor. Kjo nuk është një autonomi por një idiotësi strategjike.

Së dyti, kjo marrëveshje investimesh është e vetmja gjë që dëshiron vërtet Pekini nga Evropa, duke e vendosur BE-në në një pozitë shumë të fortë negociuese. Kjo është arsyeja pse Brukseli duhet të përfshijë si një kusht të detyrueshëm, që marrëveshja të hyjë në fuqi vetëm pasi Kina t’i japë fund punës së detyruar dhe kampeve të përqendrimit. Pasi BE-ja është aktori i vetëm, që mund t`a detyrojë Kinën të sillet në një mënyrë të civilizuar.

Së treti, BE duhet të shtojë një klauzolë në marrëveshje, që do të lejonte mbrojtjen e shpejtë kolektive përmes sanksioneve, në rast se Pekini do të shantazhonte strategjikisht një nga vendet anëtare të BE-së, siç po bën tani me Australinë.

Së katërti, spiunazhi kinez kundër demokracive evropiane është shumë i përhapur. Prandaj, Brukseli duhet të vendosë një tjetër klauzolë, që t’i japë mundësinë t`a ndëshkojë Kinën menjëherë për çdo rast specifik të spiunazhit, në mënyrë që ta` dëmtojë atë realisht. Kjo do të zbehte vullnetin e qeverisë kineze, për të rrezikuar ndërmarrjen e operacioneve të mëdha të spiunazhit kundër vendeve anëtare të BE-së. /Përktheu: Alket Goce-abc

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e Guvernatorit të Bankës Qendrore

“Kina po përgatitet për më të keqen”


"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?