MENU
klinika

"Për Kosovë e për Shqipëri"

Anton Çeta, ky profet i dashurisë

03.01.2021 - 11:25

       Prof. Anton Çeta, gjakovari madh, intelektuali i ndritur, mbledhësi shquar i folklorit, shkrimtari njohur e pajtuesi i palodhur i hasmërive të gjakut, punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e dha kontribut të veçantë, në përforcimin e rrugës për liri dhe pavarësi të Kosovës./Konica.al

Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë, më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë. Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.

Pikërisht letërsisë gojore popullore shqiptare i kushtoi përpjekjet më të mëdha të jetës. Prof. Anton Çeta la pas si autor apo si bashkautor 20 vëllime, bazë e rëndësishme për studimin e folklorit.

Ai u bë i njohur edhe si poet i letërsisë fëmijnore dhe si përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e serbo-kroatishtja. Nga gjuha frënge përktheu disa prej veprave të Alfons Dodesë e të Gi Mopasanit; nga gjuha italiane, vepra të Edmond D’Amicis e Alberto Moravias. Nga kjo gjuhë përktheu edhe veprën lirike të Pashko Vasës “Trëndafil e gjemba”.

Që nga viti 1990 prof. Anton Çeta u vu në krye të aksioni mbarë popullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare e pajtimin e njerëzve duke zgjuar ndërgjegjësimin për vlerën e paçmueshme që është jeta, dhuratë e Zotit. Prof. Anton Çeta u bë kështu, që për së gjalli, institucion i urtisë së popullit shqiptar, zbulues i thesarit të tij e i shpirtit të tij.

Anton Çeta qe njohës i thellë i shpirtit e i thesareve të kombit shqiptar, studiues e hulumtues me horizont të gjerë i kulturës e posaçërisht letërsisë shqiptare, në mënyrë të veçantë iu kushtua mbledhjes dhe studimit të folklorit shqiptar. Shkrimtar, mbledhës e studiues i letërsisë popullore, përkthyes i jashtëzakonshëm, prof. Anton Çeta mes tjerash shkroi: “Në prehën të gjyshes”, “Tregime popullore të Drenicës”, “kërkime folklorike” etj.
I saktë, i njerëzishëm, i drejtë, fisnik, atdhetar e besimtar

Mbeti në kujtesën e njerëzve e të historisë: i saktë, i njerëzishëm, fisnik e dinjitoz, i dashuruar me kulturën e popullit të vet: të vjetër e të re, të pashkruar e të kultivuar, ashtu si dhe me kulturën perëndimore e me gjithçka bën pjesë në thesarin e krijuar nga mendja e zemra njerëzore. Prof. Anton Çeta punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve e dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Vdiq më 2 nëntor 1995.

Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Këngë dasme” I-II, Anekdota I; “Vajtime, gjëmë dhe elegji”. “Rapsodi e një poeme shqiptare” të De Radës; “Në prehën të gjyshes” (1955); “Tregime popullore të Drenicës” I-II(1963); “Kërkime folklorike” (1981); “Nga folklori ynë I-II” (1983-1989).

Mes punës së pareshtur e misionit më fisnik, atij të pajtimit mes njerëzve, sjellim në vëmendje jehonën e veprës së tij humane nb shtypin e huaj. Më 7 prill të vitit 1990, në gazetën prestigjioze “New York Times” kishte zënë vend shkrimi për faljen e gjakut dhe punën që po bënte Anton Çetta.

Lajmi fillon më përshkrimin e familjes Dragacina dhe Betushi, ku dy anëtarët e familjes së tyre – Libibe Dragacina dhe Beslim Betushi i zgjatin dorën njëri tjetrit për t’ia falur gjakun e vrasjes.

Artikulli tregon se deri tani, që nga 1 shkurti janë pajtuar rreth 150 familje dhe se organizatorët janë të bindur se do të zgjidhen edhe 450 deri në 550 raste të mbetura.

“Në këtë situatë e cila ka qenë e vështirë për shqiptarët, ne dëshirojmë që të kemi të paktën një reduktim të kësaj të keqe” – është shprehur Anton Çetta, nismëtari i kësaj iniciative, për New York Times.

“Në kohë të vështira, është ligj natyror që njeriu dëshiron të ndjehet i sigurt” – ka theksuar Çetta.

Më tej, artikulli tregon se për të marrë gjak, duhet që të vritet një nga burrat e familjes, duke treguar se vrasësi është i pari që mendohet të vritet, por nëse nuk mundet që të vritet ai, atëherë vritet një anëtar tjetër i familjes, mashkull.

Në artikull është përfshirë edhe Ismail Haradinaj, familja e të cilit po ashtu po diskuton për të falur gjakun pasi i vëllai ishte vrarë.

Anton Çetta për New York Times ka treguar se grupi i tij po përpiqen të ndryshojnë këtë traditë duke u thirrur në çështje patriotike në këtë kohë trazirash kur shumë shqiptarë po i bëjnë rezistencë asaj që ata thonë se është presioni në rritje i qeverisë qendrore në Beograd, ndaj tyre.

Shkrimi tutje diskuton edhe për problemet në mes të serbëve dhe shqiptarëve, dhe pretendimet që kanë serbët për Kosovën duke e quajtur atë tokë të tyre.

“Kur gratë hoqën shamitë ishte e vështirë, por tani ato ulen mes nesh” – u tha Anton Çetta, familjeve të një fshati. “Tani është e vështirë për të falur gjakun, por më vonë do të jetë normale. Duhet të betohemi, se nuk do të vrasim më njëri-tjetrin”.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit