MENU
klinika

Proza moderne shqipe

Anton Pashku, zëri i dramës tonë kombëtare

08.01.2021 - 13:21

        “Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has, mirëpo të gjithë, babai, nëna, kushërinjtë, i gjithë farefisi vjen prej atje. Jemi nga Karashëngjergji, një fshat i rrethit të Prizrenit. Aty është i varrosur Shtjefën Gjeçovi. Epo unë s’e përjetova fare Karashëngjergjin.

Kam lindur në Grazhdanik, fshat tre-katër kilometra larg qytetit të Prizrenit, në drejtim të Nashecit. Interesante është se sot vështirë do të më njihnin atje. Gati kurrë se vizitova Grazhdanikun, pas lindjes.

Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?! Sidoqoftë, sipas dokumentit kishtar jam lindur më 1 janar 1937-shit, kurse sipas atij zyrtar-më 3 janar 1937. Mbiemrin Pashku e kam prej gjyshit. Ai quhej Pashk. Përndryshe familja ime u takon Bytyçëve (fis i Thaçit), që banonim përtej Pashtrikut, përmbi Gjakovë. Edhe sot, ai vend quhet Bytyç-Bujani dhe fshatrat përreth….

Ato janë brenda rajonit të Bytyçit. Me të ardhur në Karashëngjergj, të parët e mi themeluan fshatin e vet-të Bytyçëve. Ndërrimi i mbiemrave filloi pas 45-it. Ku ta di pse, ishte dekret zyrtar… I bërë nëpër zyrat e pasluftës.”
(Anton Pashku)

Më 8 janar 1937, në Grazhdanik (fshat afër Prizrenit) lindi Anton Pashku. Nënën, Getën, e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin (bukëpjekës), nga Karashëngjergji (fshat pak më larg Zymit, rrëzë Pashtrikut). Kishte të kryer shkollimin e mesëm – gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në “Rilindje”, njëherë gazetar, mandej redaktor i rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja.

Shkrimet letrare filloi t’i botojë që nga viti 1955. Shkroi prozë dhe drama. Vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995.

Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike; ai i temës së dashurisë, i vetmisë, të kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm; dhe, qarku tematik për dhunën mbi individin. Tregimet e tij antologjike janë: “Nën qarr po rrinte vasha”, “Floçka”, “Kulla”, “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë”, “Dy fjalë për një plak dhe librin e tij kushtuar tymit”, “Kënaqësitë e Megalopolisit”, “Anija e dehur”.

Me vlerat e veta të pakontestueshme artistike, romani “Oh”, erdhi me një ndikim të ngadalshëm, por të fortë në prozën shqipe, që nga koha e shfaqjes së tij.

Dramat e Pashkut: “Sinkopa” e “Gof” janë luajtur në Teatrin e Kosovës, në Teatrin ITD të Zagrebit, në Teatrin e Shkupit dhe në teatro të tjera të shqiptarëve.

Vepra e tij letrare, është bërë vlerë kulturore kombëtare dhe tashmë mësohet në të gjitha nivelet e shkollave shqipe, ku ligjërohet letërsia bashkohore shqipe.

Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqipe.

Çështja bosht në rrëfimin e Anton Pashkut është veçanërisht, vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi. Shtresimin ironik gjatë gjithë rrëfimit, rrëfimtari do ta derdhë e ta përhapë tërthorazi e jo si deklarim të qëllimshëm dhe moralizues. Reflekset ironike dhe aludive përjetohen drejtpërsëdrejti nga lexuesi dhe janë më mbresëlënëse se një fotografi e gjallë e një realiteti absurd.

Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar, që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës, shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare. Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut, që përbën tharrmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon pa reshtur lexuesin, që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën të jetë zëri kryesor.

Poema simfonike, 1958

Qe, ndoshta edhe ajo rrin si unë e humbun
ne shkretinën e paanë të vetmis.
Rrin dhe rrënkon e flet me gjuhën e heshtjes…
Nji barkë u nis prej limanit, atëherë kur deti ishte
plot valë.
Stuhi! Stuhi…

N’at barkë lundronte nji zemër, zemër …
Stuhi…Barka hepohet, barka anohet…
Barka dhe vala…
Ej, oj…Zemra mbi barkë…
Stuhi…

Vala mbi barkë e zemër…
Oj…Zemra u fundos…
Ej, mbi det nji deshirë…
Ah…Valet e muerën…

***

Titujt e veprave

Tregimet, Jeta e re, Prishtinë, 1961

Nji pjesë e lindjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1965

Kulla, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1968

Sinkopa, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1969

Oh, roman, Rilindja, Prishtinë, 1971

Kjasina, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1973

Gof, dramë, Rilindja, Prishtinë, 1976

Lutjet e mbrëmjes, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978

Tragjedi moderne, drama, Rilindja, Prishtinë, 1982

Shtëpia Botuese Rilindja në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime:

Tregime fantastike, Rilindja, Prishtinë, 1986

Oh, Rilindja, Prishtinë, 1986

Tragjedi moderne, Rilindja, Prishtinë, 1986

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit