MENU
klinika

Anton Çehov

“Dashuria tregon se çfarë duhet të jetë njeriu”

29.01.2021 - 16:32

       Një nga autorët më të njohur të Rusisë, Anton Çehov mbetet mjeshtri i padiskutueshëm i tregimit të shkurtër. Megjithëse, nga epoka kur ai vendosi për herë të parë penën në letër, kohët kanë ndryshuar, historitë e mjeshtrit të penës spikatin për aftësinë që e bëjnë lexuesin të qeshë përmes lotëve. Fraza e ditës, me rastin e përvjetorit të lindjes, më 29 janar 1860, në Taganrog, Rusi: “Ajo çka ndiejmë kur jemi të dashuruar mbase është gjendja jonë normale. Dashuria tregon se çfarë duhet të jetë njeriu”, është marrë nga “Fletoret” e Çehovit ose katër fletoret që shtrihen kronologjikisht, nga viti 1891 deri në 1904, që përmbajnë shënime dhe reflektime nga autori, një referencë e çmuar për biografët e Çehovit./Konica.al

Soviet playwright and short story writer Anton Chekhov, circa 1900. (Photo by Bob Thomas/Popperfoto via Getty Images)

Anton Çehovi, piktori i shpirtit njerëzor

Bir i një familjeje të thjeshtë, Anton Çehovi ishte një nga autorët më të dashur rusë. Dramat, së bashku me qindra tregime që burojnë nga pena e tij, janë një enciklopedi e vërtetë e shpirtit njerëzor, por edhe një përfaqësim i përsosur i shoqërisë ruse në fund të shekullit XIX. Në të vërtetë, pas shfaqjes së një shoqërie konservatore dhe monarkike, ishte fshehja e një bote në zhvillim të shpejtë, e mbushur me figura të reja shoqërore, të paafta për të komunikuar me njëri-tjetrin.

Një nga temat që shënon në mënyrë të konsiderueshme poetikën e Çehovit është moskomunikimi, për pasojë keqkuptimi, si rrjedhojë edhe ana komike. Më pas, humorit në veprat e Çehovit i shtohet një shtresë trishtimi dhe personazhet e shohin veten, duke parë dështimin e idealeve dhe aspiratave të tyre. I ndjeshëm ndaj ndryshimeve të kohës, Çehovi kishte aftësinë për të kapur dhe përjetësuar atë botë të re në dramat e tij, mes të cilave kujtojmë më të famshmet si “Kopshti i qershive”, “Pulëbardha” dhe “Xha Vanja”. Lev Tolstoi i krahasoi dramat e Çehovit me një pikturë, në të cilën penelata duket sikur kalon kuturu, “sikur të mos kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën”, ndërsa, nëse e shohim nga larg, “dallohet një tablo e qartë, e padiskutueshme”.

Të biesh në dashuri – një impuls jetësor         

Në tentativën për të mbërthyer dashurinë, personazhet e Çehovit shpesh përfundojnë duke u shpëtuar nga duart, ata janë personazhe që dashurojnë pjesërisht, i shmangen ndjenjës absolute si për të mbrojtur veten dhe zmbapsen, të mbrojtur nga stuhia e dashurisë. Heronjtë e tij janë të bindur, të ndrojtur, përpiqen vazhdimisht ta përmbajnë impulsin jetësor që zien në brendësi të shpirtit të tyre. Mirëpo, Çehovi reflekton në fletoret e tij, ekziston një gjendje që më shumë se çdo gjë tjetër na inkurajon të largohemi nga zona jonë e rehatisë për të jetuar plotësisht të qenit qenie njerëzore: duke rënë në dashuri.

Russian writer and playwright Anton Chekhov posing with his wife Olga Knipper and other people. 1890 (Photo by Mondadori via Getty Images)

Në këtë kuptim, të biesh në dashuri është elektricitet i mirëfilltë, e aftë të na shkundë dhe të na zgjojë nga topitja në të cilën jemi mësuar të jetojmë. Brenda çdo gruaje apo burri të dashuruar, lind spontanisht ndjenja e kërkimit të së panjohurës. Etja e mospërmbushjes i shtyn të dashuruarit të eksplorojnë territore të panjohura, të shkojnë përtej kufijve të normales për t’u ndier të gjallë, tepër të gjallë./Konica.al

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët