Historia nuk është renditje epidemish, luftrash apo kataklizmash. Bota mbetet në lëvizje megjithë krizat. Pandemia e koronës na kujton, sesa pak mund ta kontrollojmë, shkruan shkrimtari Stanislaw Strasburger.
Mbrëmje, mesi i nëntorit, jam ulur në një nga lokalet e pakta të qytetit bregdetar në Algarven portugeze, natyrisht me distancë dhe jashtë. Papritur një fishkëllimë mu pranë veshit. Një grup prej 10 grash që festojnë brenda lokalit mbrëmjen e fundit të beqarisë, reagon me hezitim ndaj fishkëllimës së baristit. Njëra prej tyre vazhdon të kërcej në tavolinë, një tjetër bën edhe një rrotullim në shtyllën metalike. Baristi përpiqet t’i ndajë gratë në tavolinë të veçanta, dhe i tërheq karriget nga njëra-tjetra (rregulli publik i COVID-19 thotë, që maksimalisht mund të ulen në një tavolinë gjashtë persona).
Po pse ky kujdes papritur? Atëherë shoh se burri me dy gishtat zgjatur më bie supeve: Ai imiton spaletat e uniformave blu, pas pak do të vijë për kontroll policia. Pasi policia u largua, party vazhdoi. Deri tek kontrolli tjetër. Ky ritual i çuditshëm mund të të zemërojë. Por ta shohësh krizën aktuale si një katastrofë globale, të cilës duhet t’i dalësh ballë me të gjithë fuqinë, shkon sipas mendimit tim me botëkuptimin përkatës: Ta shohësh historinë si një renditje të epidemive, luftërave dhe kataklizmave. Sipas këtij botëkuptimi është detyrë e njerëzve ta mposhtin kaosin. Kështu argumenton gazetarja polake, Eva Wanat: “Nuk ka një botë pas pandemisë, ka vetem një botë në mes të pandemieve.”
Mobiliteti in kohën e krizave
Unë personalisht nuk besoj, se bota është kaos luftarak i fuqive. Më shumë e përfytyroj paqëndrueshmërinë e botës si mobilitet të njeriut dhe natyrës. Që nga tetori e kundroj këtë mobilitet nga Algarve. Përveç më shumë se 400.000 qytetarëve portugezë jetojnë këtu si rezidentë edhe 150.000 të huaj. Kësaj i shtohen qytetarë të tjerë që kalojnë dimrin në këtë rajon. Disa nuk arritën të vinin dot në vjeshtë, për shkak të pandemisë, të tjerët kanë ardhur pikërisht për këtë arsye.
Për shembull: një çift pensionistësh, ai një ish-sipërmarrës me pasaportë holandeze, ajo një edukatore kopshti dhe fizioterapiste me pasaportë daneze. Një suedez, që vlerëson projekte të ndryshme për një sipërmarrje gjermane dhe gruaja e tij nga Mozambiku. U njoha me një artist tatuazhesh nga Angola, një shitëse që flet rusisht në një ëmbëltore, një masazhatore nga Polonia, një berber nga Brazili dhe në fund, një vajzë nga Malaui, që donte të shkonte në Britaninë e Madhe, kur filloi lockdowni në pranverë.
Disa prej këtyre njerëzve besojnë, se Europa pa kufij ka kuptim edhe në kohë krize. Të tjerë nuk preken shumë nga gjendja aktuale: Ata kanë i rënë rrotull globit dhe kanë parë shumë rreziqe. Shumë nga ne i shohin njerëz të tillë si raste përjashtuese të pafatë – si vetmitarë, tek të cilët “diçka” ka ecur gabimisht në jetë, apo si të arratisur me dhunë nga vatrat e tyre. Por edhe nëse një fatkeqësi e caktuar është arsye për mobilitetin, ajo nuk është asnjëherë e vetmja. A nuk është historia e njerëzimit një histori mobiliteti? Mobilitet që nuk kontrollohet dhe nuk kufizohet?
Të kontrollosh dëshirën për kontroll
Pak a shumë, kështu e shohin edhe policë gjendjen këtu. “Qeveria bën sikur mund të kontrollojë gjithçka”, më thotë privatisht një polic, që vazhdimisht del me kolegët për patrullim. “Por, çfarë mund të arrijë ajo? Ti kontrollon në një pikë dhe në tjetrën, del situata nga kontrolli. Përveç kësaj, çfarë do të bëjmë ne, nëse lokalet tona falimentojnë? A duam ne që njerëzit që punojnë këtu, të emigrojnë në Gjermani për të bërë tek ju punë të rëndomta? Apo të jetojnë këtu, pa punë e pa para e kështu të hapin probleme?”
Katastrofat, të vogla apo të mëdha nuk e ndalin mobilitetin. Ato na kujtojnë, se sa pak mund t’i kontrollojmë njerëzit. Çfarë pamje do të ketë bota, pas krizës së pandemisë? A do të udhëtosh vetëm me një pasaportë vaksinimi? Vaksina e COVID-19, nuk është e para që prek në tërësi njerëzimin. Që tani ka vende ku ka detyrim të bësh vaksina shtesë.
Mobiliteti nuk është vetëm privilegji i një udhëtimi me avion, me një vizë në pasaportë dhe kuletën plot. Mobiliteti përfshin edhe ata që më pak apo më shumë përkundër rendit politik botëror ndërrojnë vend. Mobilitet do të thotë shpesh të mos kesh pasaportë udhëtimi apo vizë, dhe një kuletë bosh. E më e rëndësishmja mobiliteti është besimi që bota nuk është vetëm luftë, dhunë, katastrofë, por edhe një jetë, në të cilën ke aq të ardhura sa mund sigurosh një strehë, ushqim dhe shkollë për fëmijët. Po qe se unë rastësisht lind në një vend ku kjo nuk është e mundur, apo thjesht sepse aty nuk më pëlqen, do më duhet të shkoj diku tjetër. Mund të ndërroj vend. Këtë nuk ka për ta ndryshuar as COVID-19.
Kulti i katastrofave
Nëse e harron, se sa e paparashikueshme është bota, mund të hipnotizohesh kollaj nga pamjet e katastrofave. Sa më i fortë të jetë besimi, që ne e kontrollojmë mobilitetin e jetës sonë, aq më të zhgënjyer ndjehemi, kur vërejmë se kjo nuk bëhet. Ky zhgënjim e pikturon realitetin me ngjyra të errëta të dhunës dhe kaosit, që duhet vënë nën kontroll. Ta themi hapur, në fund askush nuk e di se si ecën bota, por kulti i katastrofave të merr përdore drejt zemërimit impulsiv dhe damkosjes së atyre që e përdorin këtë mobilitet. E nëse dikush pyet: Jo, në dhjetor nuk pësuan rritje eksponenciale shifrat e Coronës. Ato madje kanë rënë. Por kjo është një histori tjetër.
Stanisław Strasburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Romani “Tregtari i historive” u publikuar në gjermanisht në vitin 2018, në vitin 2009, në polonisht dhe arabisht. Strasburger ka lindur në Varshavë dhe jeton periodikisht në Berlin, Varshavë dhe qytete të ndryshme mesdhetare. Përveç kësaj, ai është anëtar i Këshillit “Humanismo Solidario”. Ky tekst është një publikim i zgjeruar fejtonit për Radio Cosmo.