MENU
klinika

Oratori brilant

Fan Noli, një jetë për Shqipërinë

06.01.2021 - 13:15

        Poeti, studiuesi, përkthyesi, muzikanti, kleriku Fan S. Noli! Pa dyshim, një nga figurat më të ndritura dhe komplekse. Jeta dhe vepra e Fan Nolit, janë lapidar në historinë e mendimit dhe kontributin e rrallë e të pamasë kushtuar vlerave të kombit.  Të tilla personalitete që e përshkuan si meteorë hapësirën mbarëshqiptare, rrallë mund të kuptohen drejtë dhe në kohën e duhur. Kjo, sepse ata i përkasin pakohësisë dhe janë gjithmonë busull. Çdo fjalë ka një mesazh të gjallë ende…

Në fjalimet e Nolit, shihet qartë realiteti i shqiptarit, shprehur prej tij përmes një analize fine dhe objektive, siç ishin mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij./Konica.al

Mes tyre, më i shkoqituri dhe esenciali po ashtu, mbetet një nga fjalimet e tij para Parlamentit të Shqipërisë, në vitin 1924, ku Noli tregon për pesë anarkitë që kanë kapluar Shqipërinë:

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve.

Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.

Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

Më 6 janar 1882, do të lindte Fan Stilian Noli: regjimi zogist, i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit, më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika, për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist, për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë, Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij, në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez: “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”.

Noli në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

Fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, që zotëronte tramvajet me kuaj. Por, nuk i eci mbarë dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji, duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht (që u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri).

Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht, veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt, Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re, duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork, më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat druri, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendësredaktor i gazetës së Bostonit, “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907, ku edhe botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911, Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911, ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe, për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare “Vatra” (në fillim, më 6 janar 1907, shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën), bashkë me organin e saj të shtypit, “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut.

Fan Noli per Faik Konicen

Nga viti 1908 deri më 1912, kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, që i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913, ai mori pjesë në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij, Faik bej Konica.

Në korrik 1913, Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri, ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili, kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë, me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914, Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara, në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918, Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte “The Adriatic Review” (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë, revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen