MENU
klinika

"E paarritshme, lumturia"

Franca film artistik kushtuar Kadaresë

24.01.2021 - 12:57

        Në prag të 85-vjetorit të lindjes, shkrimtari ynë i madh mbajti një takim me të rinjtë e klubit letrar, në Kavajë. Gjatë bisedës me ta, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, Kadare iu përgjigj pyetjeve mbi të gjitha veprat e tij letrare, duke nisur nga “Pallati i ëndrrave”.

Shkrimtari i njohur botërisht, tha se “Letërsia e ka të vërtetën me vete dhe sinqeritetin, po ashtu. Kur është letërsi e mirë, them, ajo ka sinqeritetin në vetvete. Ju flisni për “Pallatin e ëndrrave”, që është shkruar në kulmin e diktaturës dhe duhet të ishe shumë i cekët, të mos e kuptoje se kishte të bënte e regjimin që jetonim ne”.

Duke shpjeguar për letërsinë dhe procesin e të shkruarit gjatë regjimit komunist, ai foli për thyerjen e “ligjeve të shenjta”.

Etonnants Voyageurs, Saint Malo. (Photo by Pool ANDERSEN/GAILLARDE/Gamma-Rapho via Getty Images)

“Letërsia ka ligjet e veta, që janë të shenjta e që shpesh, shkojnë kundër ligjeve të jetës e kundër autoritarizmit shtetëror. Realizmi socialist, binte ndesh me ligjet e letërsisë dhe po t’i bindeshe mësimeve të partisë, ishte të vije duart në kokë”, – theksoi, Kadareja.

I pyetur nga të rinjtë, mbi poezitë e tij dhe veçanërisht, poezinë ku i drejtohet Pushkinit, ai, duke kujtuar vitet studentore rrëfeu ndihmën që kërkotne nga poeti rus.

”Ajo është një poezi që në mëyrë metaforike, i jam drejtuar Pushkinit, për ndihmë. Doja ndihmë që të ruaja idetë e mia, nga ato që dëgjoja në leksione, doja ndihmë të shpëtoja nga parrullat e propangada” – u shpreh, shkrimtari.

Gjatë takimit me të rinjtë dhe drejtoren pranë Qendrës së Librit, Alda Bardhyli, Kadareja si rrallëherë, foli edhe për lumturinë.

”Lumturia është e pagjendshme, e paarritshme. Ndonjëherë, jemi të lumtur dhe e kuptojmë më vonë, sidomos kur shkruajmë letërsi”.

Kohët më të vështira për çiftin Ismail e Helena Kadare, kanë qenë ato të botimeve të romaneve “Dimri i madh”, “Pashallarët e kuq” dhe “Pallati i ëndrrave” .

Sipas Helena Kadaresë, sidomos pas “Pallatit”, ata kaluan një torturë të vërtetë.

Ndërkaq, 85-vjetori i shkrimtarit tonë që i përket botës tanimë, mësohet se Franca ka blerë të drejtat e librit me kujtime të Helenës, “Kohë e pamjaftueshme”, për ta sjellë në kinema.

“Ju e dini që kam botuar një libër, me kujtimet tona. Na kanë kërkuar të drejtat, për ta bërë film në Francë. Do të jetë një film artistik. Po merren me gjetjen e aktorëve, tani. Sigurisht, ata e dinë si do ta trajtojnë, do të zgjedhin vetë, pjesët që duan” – ka thënë, Helena Kadare.

Takimi me të rinjtë u mbajt në Qerret, pranë shtëpisë ku prej muajsh, çifti Kadare po kalon periudhën e pandemisë.