MENU
klinika

Serie A, Java 17

Juventus bën tri fitore radhazi, “firmos” edhe CR7

10.01.2021 - 22:46

Për herë të parë në këtë sezon Juventus ka bërë 3 fitore radhazi dhe tashmë duket e shtruar rruga për të kapur kreun, për më tepër që Roma dhe Inter u ndalën në barazim mes tyre sot.

Kampionët e Italisë fituan 3-1 në shtëpi përballë Sassuolos. Një sukses jo i lehtë, teksa të 3 golat e sfidës janë shënuar në pjesën e dytë të takimit. Juventus mbetet në vend të katërt, por tashmë Roma dhe Inter nuk janë larg.

Juve zhbllokoi në 51’ me një supergol nga Danilo nga distanca. Skuadra e Pirlos, që në pjesën e parë ka qenë e pafat me dy dëmtimet e Dybala dhe McKennie, luajti me një futbollist më shumë, pasi Obiang doli me të kuq pas ndërhyrjes me taka ngritur ndaj Chiesas.

Sassuolo i përgjigjet menjëherë Juventusit. Edhe pse me dhjetë, skuadra e De Zerbit dhuron spektakël. Locatelli nis aksionin dhe pasi pason për Traore, ky i fundit gjen Defrel brenda zone, që nuk fali.

Juventus rigjeti golin e avantazhit në 82’. Bardhezinjtë finalizuan një aksion nga krahu me Frabotta, që krosoi top të ulët brenda zone, ku Ramsey u ndodh te shtylla e dytë dhe shënoi. Në sekondat e fundit nuk mund të mungonte Ronaldo, që vulos 3-1.