MENU
klinika

Gëzuar, mjeshtrit!

Kadare: gjeniu mes Lindjes e Perëndimit

28.01.2021 - 13:14

       Në 85-vjetorin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, del nga shtypi edhe libri më i ri për të, “Kohë për rrëfim” nën logon e botimeve “Onufri”. Kadare vjen në një dialog me Alda Bardhylin, ku rishihen, kohë e ngjarje, të moteve të ndryshme, duke sjellë në vëmendje, momente të vështira e përjetime prej tyre. Disa detaje nga libri, i zbulon për mediet, vetë shkrimtari.

“Rrëfime të ndryshme nga jeta. S’ka emër tjetër në shqip. Rrëfime është fjalë shumë e bukur. Bashkëpunimi i lehtë dhe komod. Aty janë Ismaili njeri dhe në letra, janë të pandarë”, thotë ai.

Një film artistik franko-belg për të, bazuar në kujtimet e Helenës nën titullin “Kohë e pamjaftueshme”, do të sjellë tërë jetën e shkrimtarit, në Shqipërinë komuniste dhe në terrin që diktonte tirani, duke rrokur botëkuptimin brenda kufijve dhe letërsinë që thyente kufijtë.

Kadare rrëfen edhe emocionet e marra, si rrallëherë, në një takim me të rinjtë që lexojnë çka ngjall shpresë për një të ardhme, kur letërsia ka më shumë hapësirë dhe shoqëria, më shumë mendje të lira.

“Mora gëzimin që letërsinë e duan njerëzit dhe do ta duan gjithmonë”, tha ai.

85-vjetori i shkrimtarit të “Gjeneralit”, “Pallatit të ëndrrave”, “Kronikës në gur”, “Dimrit të madh”, “Koncertit në fund të dimrit”, “Pashallarëve të kuq”, “Piramidës”, “Nëntorit të një kryeqyteti”, “Prillit të thyer”, Kështjellës e “Kush e solli Doruntinën”, “Kukullës”, “Mosmarrëveshjes” e “Bisedës në studio”, fitues i Man Booker Prize, a Princi i Asturias, ka një përkushtim edhe për gruan që ishte pranë tij në çdo kohë, Helenës, që duke ruajtur një raport të kujdesshëm mes dritës e hijes, diti të jetë gruaja e një shkrimtari të madh.

“Roli i Helenës i pazëvendësueshëm nga asgjë tjetër. Pa atë e kam të vështirë ta përfytyroj jetën time”, thotë Kadare. Shkrimtari që i dha zë vendit në kohët e mbylljes së madhe, ka shenjuar epokën e tij, ndonëse jetoi në një luftë të vazhdueshme mes Lindjes që e ndalte e Perëndimit që e grishte.

***

85 vite më parë, 28 janar të vitit 1936, u lind në Gjirokastër Ismail Kadareja, shkrimtari i shquar shqiptar.

Ditëlindja e Kadaresë, nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë, pasi letërsia e tij është përkthyer në më shumë se 45 gjuhë. Kadare, ka qenë disa herë kandidat për NOBELIN në letërsi dhe së fundmi, iu akordua dekorata më e lartë franceze, si “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi, si dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Në vitin 1996, Kadare bëhet anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Më 1992, vlerësohet me “Prix Mondial Cino Del Duca”; më 2005, fitoi “Man Booker International Prize”, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015, Çmimin Jeruzalem, ndërsa më 2016-ën, presidenti francez i akordoi titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën mes Francës e Shqipërisë.

Kadare njihet si shkrimtari i cili, në veprat e tij, në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist dhe si i tillë, veprat u përkthyen e u vlerësuan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal, por me rrënjët thellë në tokën shqiptare. Ismail Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

Është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca”. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë, si: Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë, me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”. Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll “Princi i Asturias” për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010, Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”. “Çmimi “Lerici Pea 2010” autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez, me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të huaj, të cilët, kanë botuar vepra dhe studime në gjuhët amtare: Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix (frëngjisht), Piet de Moor (hollandisht), Peter Morgan (anglisht), Jose Carlos Rodrigo Breto (spanjisht). Ky i fundit e ka vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XX, sio dhe shkrimtarin më të rëndësishmin e shekullit XXI.