MENU
klinika

Zgjedhjet në Shqipëri/ "Në 25 prill synojmë ..."

Lëvizja Vetëvendosje del me paralajmërimin surprizë

22.01.2021 - 20:01

Drejtuesi ekzekutiv i Vetëvendosjes në Tiranë, Bojken Abazi shprehet se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe se këtë ndryshim nuk mund ta ketë nga partitë aktuale PS dhe PD. Abazi thotë se këto parti kanë nevojë për ndryshim brenda vetes fillimisht dhe se qytetarët nuk duhet të votojnë sot për nesër, por të kenë një plan më të gjerë për të ardhmen e tyre.

Abazi shfaqi hapur synimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri duke thënë se më 25 prill ata synojnë vetëm të marrin mandate në mënyrë që të mund të krijojnë struktura drejtuese dhe një subjekt politik që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë si parti me kandidatët e saj në të gjitha qarqet e Shqipërisë me shpresën se mund të bëhen faktor politik në vend. Ai thotë se kandidimi në zgjedhjet e 25 prillit është vetëm hapi i parë, pasi ata janë pjesë e një projekti më të madh.

“Me këto kandidatura po bëjmë vetëm një hap të një plani dhe projekti që është shumë më i madh se kaq. Secili prej kandidatëve duhet të mbledhim disa firma dhe ne kemi udhëtuar shumë në Shqipëri dhe kemi bërë dhe ftesë publike që duhet një iniciativë që fillon nga poshtë tek populli dhe duhet që njerëzit duhet ta shprehin vullnetin për ta marrë përsipër diçka të tillë. Ne vendosem që të dalim vetën me dy kandidaturat e para dhe kemi kohë për kandidaturat e tjera dhe përsëris ftesën që kushdo që do t’i bashkohet këtij projekti ne shprehim gatishmërinë si Lëvizje për ti mbështetur dhe të kërkojmë. Jemi brenda një projekti që nuk e kemi nisur ne po rilindësit e vërtetë, ne jemi duke e risjellur në shekullin e 21. Në ketë formë kandidimi nuk po hyjnë në këto zgjedhje për të fituar pushtetin, por për të fituar mandate që të ngremë struktura që në zgjedhjet e ardhshme të krijojmë një subjekt politike dhe të përfaqësohet me lista të plota”, tha Abazi

Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë prezantoi dy kandidatët e saj, Bojken Abazin në Tiranë dhe Iliaz Shehun në Lezhë.