MENU
klinika

Përmbytjet në Lezhë

Ministri Peleshi në terren: Situata drejt përmirësimit

09.01.2021 - 11:11

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka monitoruar nga afër situatën e shkaktuar nga përmbytjet në Kallmet të Lezhës.

Ministri tha se për shkak edhe të stopimit të reshjeve, por edhe punës së mirë të bërë në këto vite situata paraqitet e qëndrueshme.

“Ditën e djeshme është punuar, sepse situata që shikoni sot është totalisht e ndryshme nga ajo që ishte dje. Këtu ku jemi niveli i ujit është tërhequr. Kjo tërheqje e nivelit të ujit dhe ky përmirësim i situatës së përmbytjes, vjen nga puna e bërë shumë mirë në këto vitet e fundit për pastrimin e kanaleve ujitëse e kulluese. Pra, tërheqja e shpejtë e ujit, kur reshjet pushojnë tregon se këto që këto investime funksionojnë dhe dua të përshëndes pushtetin vendor, bashkinë, kryetarin e bashkisë dhe prefektin që po punojnë shumë mire”, deklaroi ministri Peleshi.

Ai tha se së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë ngritur alertin për të gjithë shtabet e bashkive dhe prefekturave të cilat sot janë gjithë kohës në krye të detyrës.

Peleshi tha se situata e tanishme e reshjeve nuk do të jetë kështu në ditët në vijim.

“Nga pasditja dhe ditët që pasojnë do të ketë reshje, vende-vende do të jenë me intensitet më të lartë, por ne shpresojmë edhe sipas përllogaritjeve tona që ulja e intensitetit të reshjeve edhe gjatë ditës së sotme do të na krijojë rezervën që kur të na shtohen reshjet, të cilat arrijnë pikun në datën 11, të kemi rezervë për të mos patur përmbytje të mëdha”, tha ai.

Edhe situata në Shkodër është e njëjtë, tha Peleshi, duke shtuar se reshjet kanë ndaluar dhe situata është drejt përmirësimit.

“Më e rëndësishmja janë jetët njerëzore, të cilat nuk kanë qenë të kërcënuara në asnjë moment. Në qarkun e Shkodrës kemi patur 2-3 evakuime, kemi prezent Forcat tona të Armatosura, Forcat tokësore të Komandës mbështetëse dhe në të gjithë qarqet e rrezikuara të vendit janë rreth 260 forca të specializuara nga FA në mbështetje të shtabeve vendore si dhe mbi 1200 forca të tjera të angazhuara. Rreth 1500 forca të tjera janë angazhuar nga shtabet e bashkive. Pra, prezenca jonë është e lartë. Nuk rrezikojmë jetë njerëzish, nuk rrezikojmë familjet tona, por duhet të ruajmë sa më shumë aksesin, kalueshmërinë”, deklaroi ministri.

Sa I përket situatës në jug të vendit, Peleshi deklaroi se “në rrugën e Vjosës kemi ulje të ndjeshme të prurjeve te ura e Mifolit. Rreth 50 cm ka rënë sot gjatë natës dhe paradites së sotme. Ndërsa treguesi gjithmonë i frikshëm është në Memaliaj, ku ka rënë nga 5.4 metra që ka qenë dje, sot ka rënë në nivelin 4 metra, pra ka një tërheqje të ndjeshme, gjë që reflektohet pozitivisht pastaj edhe në urën e Mifolit dhe ul rrezikun pastaj për përmbytje nga Vjosa”.

I pyetur se çfarë masash janë marrë lidhur me disa banesa që rrezikohen në qarkun e Lezhës, ministri informoi se “në qytetin e Lezhës kemi patur një rrëshqitje masive. Është evakuuar një familje për shkak të kësaj situate. Siç e thashë prezencë uji jo vetëm që ka toka bujqësore, por edhe në oborret e familjeve, por nuk ka familje të izoluara apo të kërcënuara. Për çdo rast, nuk e urojmë, por ju bëjmë të ditur që kemi mjete dhe forca të shumta për t’ju gjendur pranë familjarëve. Në momentin që flasim nuk ka rrezik jete dhe kërcënim të sigurisë së familjarëve tanë nuk ka në asnjë zone”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN