Miliarderi Elon Musk ka thyer një tjetër rekord, duke nisur në një mision të vetëm plot 143 anije kozmike.
Raketa “Falcon 9” u ngrit në 10 të mëngjesit ditën e diel, nga “Kompleksi Hapësinor 40”, në Stacionin e Forcës Hapësinore “Cape Canaveral” në Florida. Falcon 9 fluturoi në jug, përgjatë bregdetit lindor të Florida-s, drejt rrugës së saj për në hapësirë, tha kompania e Musk.
Raketa e ripërdorshme transportoi 133 anije kozmike tregtare dhe qeveritare, si dhe 10 satelitë “Starlink” në hapësirë – pjesë e Programit “SmallSat Rideshare”. Kompania shprehet se raketa siguron qasje në hapësirë për operatorët e vegjël satelitorë, të cilët kërkojnë një udhëtim të besueshëm dhe të përballueshëm në orbitë.
SpaceX më parë ka nisur të orbitojë më shumë se 800 satelitë nga disa mijëra që nevojiten për të ofruar internet me bandë të gjerë globale. Ky është një investim prej 10 miliardë dollarësh që vlerësohet se mund të gjenerojë 30 miliardë dollarë në vit, për të ndihmuar në financimin e programit të raketave ndërplanetare të Musk, të quajtur Starship.(Reuters)