Pas përplasjes në rrjete sociale mes Kryeministrit dhe Presidentit për investimet që qytetin e Vlorës, kreu i shtetit, Ilir Meta, doli dje në një konferencë për shtyp ku hapi letrat dhe tregoi se çfarë kishte ndodhur në atë çështje. Sipas Presidentit, zanafilla është në 2017 kur qeveria kërkoi plotfuqinë për negocimin me Fondin Saudit për segmentin e rrugës në lumin e Vlorës.
Sipas Metës, në 2017 Presidenti dha plotfuqinë për negocim dhe më pas për lidhjen e kontratës së huas mes Shqipërisë dhe fondit saudit për rrugën në lumin e Vlorës. Ky projekt vijoi deri në fund të vitit 2019. Deri në këtë kohë ishin realizuar tri lote, nga 4 që kishte rruga e lumit të Vlorës. Në vitin 2020, sipas kreut të shtetit, qeveria kishte kërkuar zgjidhjen e kontratës me fondin saudit për atë projekt. Kjo ishte dakordësuar edhe mes qeverisë dhe fondit.
Pas kësaj, Presidenti tha se qeveria kishte kërkuar që të transferohej huadhënia e fondit saudit te një tjetër projekt, por këtë herë në qytetin e Vlorës e konkretisht për trotuaret dhe korsinë e biçikletave nga tuneli i Vlorës në drejtim të Orikumit. Por, sipas kreut të shtetit, në shkelje të Kushtetutës qeveria nuk kishte kërkuar plotfuqi për negociata, por kërkonte direkt plotfuqi për miratimin e huas. Ndërkohë, sipas korrespodencave të publikuara nga Presidenti, Kryeministri binte në kontradikta me ministren e Financave dhe kjo e fundit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Pasi e akuzoi se la punimet në gjysmë në rrugën e lumit të Vlorës, kreu i shtetit hodhi të tjera akuza ndaj kreut të qeverisë se, në shkelje të Kushtetutës, kërkoi të anashkalonte procedurat.
MARRËVESHJA PËR RRUGËN E LUMIT TË VLORËS
Ilir Meta: Kuvendi i Shqipërisë, në datën 9.11.2017, me ligjin nr. 100/2017, ka ratifikuar “Marrëveshjen e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së lumit të Vlorës”. Presidenti i Republikës menjëherë e ka mirëpritur këtë iniciativë për zhvillimin e zonës së lumit të Vlorës dhe menjëherë pas administrimit këtë ligji e ka shpallur Dekretin nr. 10647, datë 15.11.2017. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me shkresën nr. 2350 prot., datë 21.09.2020, i ka përcjellë Presidentit të Republikës ligjin Nr.117/2020 “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së lumit të Vlorës”, ratifikuar me ligjin nr.100/2017″. Ky ligj është miratuar në seancën plenare të datës 17 shtator 2020. Presidenti i Republikës, në datë 22.09.2020, e shpall këtë ligj me Dekretin nr. 11738. Po pse e shpalli këtë ligj Presidenti i Republikës?! Sepse shqyrtoi me vëmendje praktikën parlamentare, nga ku rezultonte se: Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Financave, me shkresën e saj Nr. Prot. 3132, datë 21 shkurt 2020, i kishte kërkuar Fondit Saudit për Zhvillim zgjidhjen e marrëveshjes së huas. Fondi Saudit për Zhvillim, përmes letrës së datës 22 prill 2020, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, i kthen përgjigje, ku i citon se: “Në vijim të letrës së Shkëlqesisë suaj, nr. 3132, datë 21.2.2020, në lidhje me objektin e mësipërm, shpreh kënaqësinë t’ju informoj se pranojmë të përfundojmë/zgjidhim marrëveshjen e huas së lartpërmendur, me vendimin e bordit Nr.2380/125/9. Në këtë mënyrë, Marrëveshja e Huas ndërpritet që prej datës 29.12.2019″. Pra, është e qartë që Fondi Saudit për Zhvillim ka pranuar një propozim të palës shqiptare për të zgjidhur këtë marrëveshje dhe për të hequr financimin e Lotit IV të lumit të Vlorës. Pra, kjo ndërprerje e financimit për segmentin Peshkëpi – Selenicë – Kryq – Levan Tepelenë, me gjatësi prej 16.4 km, është bërë me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe jo të palës tjetër.
KËRKESA PËR PLOTFUQINË E DYTË
Në datën 29 shtator 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i paraqet një kërkesë Presidentit me Nr. 16905/ 6 prot., datë 28.09.2020, me të cilën kjo ministri kërkon autorizim për plotfuqi nga Presidenti për nënshkrimin e një tjetër marrëveshje huaje, por tashmë për një tjetër projekt të ri. “Marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”. Presidenti njihet me faktin që kjo marrëveshje madje ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 745, datë 23.9.2020. Si rezultat i kësaj praktike, rezulton se jo vetëm që Presidentit i kërkohet të lëshojë një autorizim për plotfuqi nënshkrimi të një marrëveshje, për të cilën nuk ishte lëshuar më parë autorizim për negocim (si një hap thelbësor që i paraprin procedurat e tjera); jo vetëm që Këshilli i Ministrave, pa verifikuar aspak procedurën e ka miratuar në parim marrëveshjen, duke kapërcyer fazën e negocimit; por ajo që është po kaq e rëndë, përfaqësues të qeverisë kanë gënjyer Kuvendin, kur kanë thënë se projekti do të vazhdonte në momentin që kanë ndjekur procedurat për zgjidhjen e marrëveshjes së huas për Lotin IV të projektit të rrugës së lumit të Vlorës.
Ata e dinin mirë që ky projekt nuk do bëhej. Ata kërkuan që huan ta transferonin për një projekt tjetër të ndryshuar pa asnjë transparencë dhe çka është më e rënda, duke shkelur kërkesat e Kushtetutës dhe të ligjit, që janë shumë të qarta, që përcaktojnë që një marrëveshje e re huaje, duhet patjetër negociuar përpara se të nënshkruhet
LETËRKËMBIMET ME MINISTRINË E FINANCAVE
Me qëllim mospengimin e procesit të vlerësimit të kërkesës për autorizim për lëshimin e plotfuqisë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kërkojmë nga ana juaj (Ministria e Financave) të na informoni brenda një kohe sa më të shpejt lidhur me të gjitha hapat që janë ndjekur për finalizimin e marrëveshjes, duke filluar nga procesi i negocimit e deri te faza e kërkesës për nënshkrimin e marrëveshjes së sipërcituar, pas miratimit në parim nga Këshilli i Ministrave”. Ministria e Financave i kthen përgjigje Presidentit me shkresën Nr. Prot. 16905/8, datë 15.10.2020, dhe pranon se: “Konkretisht, për marrëveshjen për të cilën kërkohet ky autorizim, nuk ka pasur negociata, pasi asnjë prej institucioneve, të cilat, në varësi të fushës së kompetencave janë palë të saj, nuk ka pasur komente apo sugjerime mbi draftmarrëveshjen e vënë në dispozicion nga Fondi Saudit për Zhvillim”. Presidenti, sërish me durim dhe në mënyrë konstruktive, duke mos dashur të besojë në një shkelje kaq flagrante të Kushtetutës dhe të ligjit, i drejtohet sërish me kërkesë për informacion shtesë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, dhe për dijeni edhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme në atë kohë, z.Rama. Kjo kërkesë mban datën 27.10.2020, me nr. prot. 3306/3. Presidenti nuk mund të mos fshehte tashmë shqetësimin e vënë disa herë në dukje dhe i rikujton ministrit të Financave se, sipas ligjit Nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka detyrimin të negociojë dhe më pas të vendosë për kushtet thelbësore të kontratave të huas në emër të Republikës së Shqipërisë ose të Këshillit të Ministrave, ashtu si dhe të vlerësojë paraprakisht dhe negociojë rregullat për të drejtat dhe detyrimet e palëve, kushtet dhe mënyrat, sipas të cilave shteti shqiptar siguron fonde, qoftë përmes huadhënies.
INFORMACIONI KONTRADIKTOR KRYEMINISTËRMINISTRIA E FINANCAVE-FONDI I ZHVILLIMIT
Në shkresën me Nr. Prot. 202/8, datë 28.8.2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit pranon qartë, ndryshe nga çfarë pretendon Ministria e Financave shkresërisht, se ka pasur negociata. Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se: “Pas diskutimeve që kemi pasur gjatë përcjelljes elektronike të drafteve”. Pra, ka pasur drafte dhe propozime përkatëse të shkëmbyera. Ndërkohë që Presidenti i Republikës shqyrton të gjithë praktikën e dërguar nga Ministria e Financave, Kryeministri, në një shfaqje teatrale të bërë nga Vlora një ditë më parë, deklaron me zë dhe figurë se i paska kryer të gjitha negociatat me palën saudite. Si konkluzion i gjithë kësaj maskarade: Duket qartë se, ose janë kryer negociata në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, të dyshimta dhe për interesa të palës shqiptare, që në çdo rast kane qenë pa autorizimin e Presidentit, siç e konfirmon Kryeministri dhe Drejtori i tij i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ose nuk janë kryer fare negociata, siç thotë me shkresën zyrtare Ministrja e Financave. Ose qeveria lejon negociata të paautorizuara e të paligjshme! Ose qeveria e miraton një draftmarrëveshje të panegociuar! Në të gjitha drejtimet, dhe kushdo qoftë e vërteta, të dyja rrugët janë në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare”.