MENU
klinika

Ja si dhe ku do të ruhet vaksna

Shefja e Vaksinimit: Sot do marrin injeksionin 60 persona të tjerë

12.01.2021 - 07:58

Shefja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, Erida Nelaj u shpreh në Euronews Albania se të gjithë ata persona që bënë dje vaksinën anti-COVID nuk kanë pasur asnjë shqetësim.

“Deri tani nuk kemi asnjë njoftim për ndonjë efekt. Normalisht me ata që kemi komunikuar kanë thënë që ndjejnë një dhimbje shumë të lehtë në vendin e injektimit, që është normale për çdo vaksinë tjetër. Nuk ka pasur asnjë ankesë”, u shpreh ajo.

Nelaj tregoi se sot do të vaksinohen 60 persona të tjerë. “Mendoj që sot do të vaksinohen rreth 60 veta. Po ecim me ritme të ngadalta sepse është edhe një ushtrim edhe për ne”, tha ajo më tej.

“Sërish do të kemi staf të spitaleve COVID, nga COVID 1 dhe spitalit ‘Shefqet Ndroqi’. Por do të kemi edhe nga ekipet e njësive vendore të Kujdesit Shëndetësor, pikërisht ata që dalin në terren për të marrë tamponët”, theksoi Nelaj, kur foli për grupet që kanë prioritet për t’u vaksinuar.

Shefja e Programit Kombëtar të Vaksinimit dha detaje edhe në lidhje me kushtet në të cilat ruhen vaksinat. “Ajo ruhet në minus 80 gradë, në frigorifer aktualisht në ISHP, pasi kemi disa stacione me frigoriferë minus 80, por gjithmonë në nivel qendror. Nuk do të kemi frigoriferë në pika vaksinimi”, shtoi ajo.

Nelaj foli me siguri se vaksina anti-COVID që po u injektohet shqiptarëve është e Pfizer-BioNTech. “Po ua them me siguri të plotë. Është vaksinë Pfizer-BioNTech. Ruhet në -80 në ISHP dhe sillet aty me termuse. E transportojmë vaksinën të shoqëruar nga forcat e policisë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, vendi ynë aktualisht ka kushte frigoriferike për të ruajtur 30 mijë vaksina. “Ne kemi kapacitet 30 mijë doza njëherë. Po punojmë për të zgjeruar kapacitet. Në përgjithësi i kemi kapacitetet”, përfundoi ajo.