MENU
klinika

Drama e një familjeje

Teatri Kombëtar propozon O’Neill në fundjavë

15.01.2021 - 13:29

         Teatrit Kombëtar ka përzgjedhur një vepër si “Udhëtim i gjatë drejt natës”, për mbrëmjet e ftohta të janarit. 

Teatri po vazhdon me aktivitetin artistik online në rrjete sociale dhe mbrëmjen e të shtunës, do të vijë me dramën “Udhëtim i gjatë drejt natës”, shkruar nga Eugene O’Neill, vënë në skenë më parë, nga regjisori Spiro Duni.

Vepra teatrore ka në role aktorë të njohur të teatrit. Interpretojnë: Yllka Mujo, Artan Imami, Luzim Zeqja, Flaura Kureta, Genti Deçka dhe Gert Ferra. Ndaj këtë fundjavë, në orën 18:00, mund të ndiqet livestream në Facebook.

“Udhëtimi i gjatë drejt natës” sjell historinë e një familjeje, por kjo, drejt rrënimit të saj.

Një kryetar familjeje, koprac, i cili nuk paguan as paratë për spitalin, pasi djali ishte i sëmurë. Duke parë kopracinë e kryetarit të familjes, gruaja, djali i madh dhe ai i vogël, shkojnë drejt rrënimit.

Gjithçka në veprën që i vendos ngjarjet në Amerikë, tregon historinë e një familjeje, që nga mëngjesi deri në mbrëmje përjeton dramën e saj.

Vepra ka në qendër familjen Tyrone, që është e copëtuar dhe secili pjesëtar largohet, izolohet disi nga pjesa tjetër. Ftohja më e dukshme është mes Tyrone dhe Jamie-t, të cilët, të dy e lejojnë hidhërimin të mbizotërojë mbi çfarëdolloj dashurie dhe respekti, që u ka mbetur për njëri-tjetrin.

Një rol që kërkon një forcë të jashtëzakonshme është ai i Mary-t, që luhet nga Yllka Mujo. Nën varësinë e morfinës, gruaja që hoqi dorë nga gjithçka për të ndjekur të shoqin, nuk është asnjëherë e qetë. Gjendja e saj shpirtërore është vazhdimisht e luhatshme. Më së shumti, flasin për të ecejaket pa fund në dhomën e errët. James Tyrone është biri i një babai të alkoolizuar të dy djemve që ndjekin rrugën e tij. Krejt të kundërt në karakter duken dy djemtë e familjes Tyrone. Brishtësia e një poeti përplaset me vrazhdësinë e një aktori, që rrugën ia ka shtruar i ati. Por në fund të fundit, të dy janë viktima dhe pasues të prindërve të tyre.

Kjo shfaqje ishte premiera e vitit 2014, një dramë nga nobelisti amerikan dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Eugene O’Neill.

Nga vetë autori, vepra është cilësuar si “dramë e një trishtimi të hershëm, e shkruar me lot e gjak”.

Për herë të parë në skenën shqiptare, drama erdhi me regjinë e Spiro Dunit, përkthyer nga Artur Lena.

Vepra fituese e “Pulitzer”

Vepra e shkrimtarit irlandezo-amerikan e vlerësuar me çmimin “Pulitzer”, është një dramë me katër akte.

Regjisori Duni, ka bërë zgjedhjet e tij në role, ku janë emra të njohur të teatrit, ndërsa në dy rolet kryesore, janë dy aktorët e karrierës: Yllka Mujo dhe Artan Imami, që do të skalisin personazhet kryesore të dramës “Udhëtim i gjatë drejt natës”, siç e theksuam, premierë në Shqipëri, më 2014.

Yllka Mujo vjen para publikut në rolin e Mary-t dhe Artan Imami, në rolin e bashkëshortit të saj, James.

Por, në kastën e aktorëve nuk mungon dhe Lulzim Zeqja, një nga emrat e spikatur gjatë kësaj kohe në skenën e teatrit me rolet e tij, që këtë herë, regjisori Duni i ka besuar rolin e personazhit  Xhejm, ndërsa kastit të aktorëve i bashkohen dhe Flaura Kureta, Genti Deçka dhe Gert Ferra.

Eugen O’Neill lindi më 16 Tetor 1988 dhe u nda nga jeta më 27 nëntor 1953. Vepra dhe krijimtaria në dramë e O’Neill-it, e bëri botën që të kthente sytë drejt skenës dhe teatrit amerikan dhe ju hapi rrugën dramaturgëve të tjerë si: Clifford Odets, Arthur Miller, Tennese Williams dhe Edward Albee. Eugen Gladstone O’Neill është laureati i parë amerikan fitues i çmimit “Nobel”, më 1936. Dramat e tij të titulluara poetikisht ishin nga të parat që prezantuan teknikat e realizimit të dramaturgjisë amerikane në të njëjtën kohë me dramaturgun rus Anton Cehov, norvegjezin Henrik Ibsen dhe suedezin August Strindberg. Dramat e tij ishin ndër të parat në gjuhën e folur amerikane, duke përfshirë të gjithë personazhet e të gjitha llojeve të shoqërisë, me të mirat e të këqijat, me shpresën e aspiratat e tyre, mes zhgënjimit dhe dëshpërimit, groteskes e farsave sociale, jetës e vdekjes. /J.V

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bardhyl Martiniani rrëfen prapaskenat

“Si e binda Yllka Mujon të bëjë kinoprovën”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit