MENU
klinika

Pas 20 muajsh pauzë

Dialogu me Serbinë rifillon pas zgjedhjeve në Kosovë!

29.01.2021 - 12:41

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë kanë futur edhe në një fazë pauze dialogun e rifilluar pas një kohë të gjatë me Serbinë.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka konfirmuar për Klankosova.tv se dialogu do të rifillojë pasi në Kosovë të jetë formuar qeveria e prodhuar nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ne nuk po vendosim afate artificiale, puna për dialogun vazhdon, takimet duhet të rinisin kur qeveria e re në Kosovë të jetë në pushtet”, ka thënë shkurt Stano.

Pas 20 muajsh pauzë, bisedimet Kosovë Serbi në kuadër të dialogut kishin rinisur më 16 korrik të 2020-ës.

Nën lehtësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell u takuan vetëm një herë kryeministri kosovar Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Ndërkaq, për çështjet teknike u formuan grupe punuese nga të dyja palët. Skënder Hyseni i priu delegacionit kosovar, ndërsa Marko Gjuriç dhe më pas Petar Petkoviç përfaqësuan serbët në takimet e Brukselit.