MENU
klinika

Nga Andi Bushati

Analiza: Rama, pse në Durrës?

02.02.2021 - 15:12

Ajo që u paralajmërua në gusht, që fillimisht Edi Rama e përgënjeshtroi e më pas u detyrua ta pranojë me gojën e tij, tani është fakt, ai do të kandidojë për deputet në Durrës.

Po përse kryeministri po e hedh këtë hap? Pse ai po e shpërfill rekomandimin e Komisionit të Venecias që krerët e partive të mos përfitojnë nga avantazhi për të garuar më shumë sesa në një qark?

Ka disa arsye që e detyruan Ramën, këtë fillim jave, të pohonte nga selia e PS se “Vlorën nuk e lë, por Durrësit i kam një borxh”.

Së pari, Durrësi është qarku ku sipas të gjitha sondazheve, sado pak të besueshme qofshin, socialistët humbasin minimumi një mandat. Ata vështirë se do ta ruajnë dot rezultatin historik të 73 mijë votave që i bëri të fitojnë 8 deputetë nga 14 gjithsej. Me vetëm 3 mijë votues më shumë sesa grupimi i partive opozitare (në zgjedhjet problematike të 2017), në rastin më fatlum për PS, rezultati me kundërshtarët do të barazohej.

Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Qarku i Durrësit ishte ai që u prek më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit, ku njerëzit humbën më shumë shtëpi e ku më pas, kjo fatkeqësi e bashkuar me pandeminë shkatërroi më shumë biznese.

Në këtë situatë qeveria Rama dështoi fund e krye.

Atyre që u premtoi se s’do t’i linte kurrë vetëm, janë ende në çadra. Atyre që u premtoi drejtësi për fajtorët, ende nuk i dinë emrat e përgjegjësve për shembjen e dy pallateve në Thumanë.

Familjeve simbol si ajo e Alesios së vogël, që kryeministri e çoi vetë me çarter të pozonte me Kristiano Ronaldon, s’i mbeti gjë tjetër veçse të deklarojnë publikisht se fotografia që mbajnë në mur, as hahet as pihet.

Ata që u entusiazmuan nga butaforia 1 miliardshe e konferencës së donatorëve, sot kanë në gojë shijen e hidhur të shifrave të FMN-së, se qeveria ishte e paaftë të realizonte edhe investimet që pati planifikuar vetë.

E gjithë kjo pakënaqësi, e krijuar nga hendeku mes premtimeve propagandistike dhe realitetit, natyrisht që do të përkthehet në votë.

Ky hendek do të thellohet më tepër edhe për shkak të zbehjes së pushtetit të Vangjush Dakos, që nuk kontrollon më frerët e bashkisë. Makinerinë elektorale të grumbullimit të votës së errët, që të gjithë e dëgjuan si funksiononte përmes përgjimeve të publikuara në Bild, tani s’ka më kush e vë në punë. E gjithë skema e përfshirjes së trafikantëve në blerjen e zgjedhësve, e përdorimit të hipotekave, ndërmarrjeve publike dhe vetë bashkisë, si instrumenta të aleancës së politikës me botën e krimit, tani ka dalë jashtë funksionit.

Edi Rama është nisur drejt Durrësit për ta ripërtërirë këtë lidhje.

Nëse katër vite më parë Dako riskoi për të garantuar që shefi ta kishte i vetëm në duar tepsinë, ky i fundit këtë herë s’ka zgjidhje tjetër veçse të përveshë vetë mëngët. Që Rama nuk ka hequr dorë nga fataliteti i mbledhjes së votave me ndihmën e banditëve, këtë e tregoi qartë edhe përgjigjja që ai i ktheu ambasadores së SHBA-së.

Pikërisht këtë do tentojë të bëjë edhe duke shkuar personalisht në Durrës, për të mbuluar edhe dështimet e qeverisë edhe ngecjen e makinerisë elektorale, me të vetmen rrugë që di, frymëzimin e pasardhësve të Avdylajve.

Pra, në këtë fushatë nuk do jetë çudi që Rama të bëjë edhe Gjushin edhe Edin. Kushdo që do ndjejë nostalgji për të parin, do ketë bonus të dytin./Lapsi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-ministri i Jashtëm mesazh në 70-vjetorin e “Teatrit Migjeni”

“Çdo pushtet e qeveri borxhli karshi Shkodrës”