MENU
klinika

Ja çfarë shkruajnë mediat turke

Çështja e “detit” mes Shqipërisë dhe Greqisë, nga marrëveshja e rrëzuar tek pritja për në Hagë

01.02.2021 - 16:33

Çështja e hapur mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare, mbetet një nga çështjet më të diskutuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, duke ardhur përsëri në rendin e ditës pas vendimit të fundit të Parlamentit grek më 20 janar 2021 për miratimin e projektligjit për zgjerimin e ujërave territorialë të vendit nga 6 në 12 milje në Detin Jon, shkruan Anadolu Agency (AA).

Aspektet që janë shoqëruar me debate dhe reagime të shumta në Shqipëri në muajt e fundit, janë në lidhje me atë se sa mund ndikojë vendimi i Greqisë në shelfin kontinental të Shqipërisë, në zonën ekskluzive ekonomike dhe efekti i ishujve grekë në përcaktimin e zonave detare mes dy vendeve.

Aspekti historik dhe konventa ndërkombëtare

Sa i përket aspektit historik, dokumentet që sanksionojnë caktimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë, janë që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, më pas protokolli i Firences më 27 janar 1925 për kufijtë mes dy vendeve dhe akti përfundimtar i delimitimit të kufijve të Shqipërisë, hartuar dhe vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Paris më 30 korrik 1926 dhe i firmosur nga përfaqësuesit e Shqipërisë, Greqisë dhe ish-Jugosllavisë.

Vendimet dhe protokollet në fjalë sanksionojnë vijën kufitare të detyrueshme për Shqipërinë dhe Greqinë, por në dekadat e fundit mbeti e hapur mes dy vendeve çështja e kufizimit të zonave detare, u arrit një marrëveshje që rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, dolën në pah aspektet e konventës mbi të drejtën e detit të OKB-së, si dhe në fund dy vendet vendosën t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për të zgjidhur këtë çështje.

Një nga dokumentet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare të detit është edhe Konventa e OKB-së mbi të drejtën e detit e vitit 1982 (konventa e Montego Bay, ndryshe njohur edhe si UNCLOS) e cila lindi si nevojë për një Konventë të re dhe të pranueshme nga të gjithë, nisur edhe nga zhvillimet që nga konferencat e Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit të mbajtura në Gjenevë në vitin 1958 dhe 1960.

Shqipëria e ka ratifikuar Konventën e Montego Bay në vitin 2003, ndërsa Greqia e ka ratifikuar në vitin 1995. Sipas kësaj konvente, që konsiderohet si “kushtetuta e së drejtës së detit”, çdo shtet ka të drejtën e vendosjes së një gjerësie mbi ujërat territoriale deri në kufirin që nuk kalon 12 milje detare, por konventa në fjalë parashikon edhe përcaktime të tjera që rregullojnë e kufizojnë ushtrimin e kësaj të drejte.

Pikërisht ky përcaktim shkakton edhe debatet dhe interpretimet juridike mbi karakteristikat që kanë brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë, dhe statusi dhe specifikat që mund kenë disa ishuj grekë si ai i Korfuzit, Lazareto, Erikuza dhe Othonoi.

Përtej dëshirës dhe interesave të palëve për ta zgjidhur “çështjen e detit”, është edhe ligji ndërkombëtar ai që imponon disa rregulla dhe parime të detyrueshme për zbatim nga palët nënshkruese të konventave (rasti konkret nga Shqipëria dhe Greqia).

Aspekt tjetër i diskutueshëm është kufizimi i zonës ekonomike ekskluzive, ku në bazë të konventës së detit kërkohet marrëveshje. Sipas konventës së Montego Bay, ku kanë aderuar si Shqipëria ashtu edhe Greqia, caktimi i kufijve të zonës ekonomike ekskluzive ndërmjet shteteve me brigje ballë për ballë ose brigje fqinjë me njëri-tjetrin do të kryhet me marrëveshje mbi bazat e ligjeve ndërkombëtare.

Gjithashtu edhe kufiri i shelfit kontinental ndërmjet shteteve me bregdet ballë për ballë ose fqinjë realizohet me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtar.

Nisur nga përcaktimet e mësipërme të së drejtës ndërkombëtare të detit, por edhe për shkak të specifikave që kanë brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë, zgjerimi i ujërave territoriale kërkon edhe dakordësinë e palëve, sidomos sa i përket statusit të ishujve të vegjël të Greqisë, në raport me detin territorial apo me tokën kontinentale.

Çështja në rastin mes Greqisë dhe Shqipërisë bëhet akoma më e diskutueshme për shkak të debatit dhe vlerësimeve të ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare në Shqipëri se nuk mund të kenë të drejta të barabarta një ishull i vogël dhe toka kontinentale.

Edhe neni 15 i konventës së OKB-së për detin thekson se kur brigjet e dy shteteve janë ballë për ballë ose në afërsi me njëri-tjetrin asnjë nga dy shtetet nuk do të ketë të drejtën, përveç kur është bërë një marrëveshje ndërmjet tyre, për të zgjeruar detin territorial përtej vijave të mesme pikat e së cilës janë të baraslarguara nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të dy shteteve.

Duke qenë se Deti Jon apo edhe Deti Egje kanë shumësi ishujsh që janë afër tokës kontinentale të Turqisë apo tokës kontinentale të Shqipërisë, situata bëhet edhe me komplekse për Greqinë, që në rastin e zgjerimit të ujërave territorialë apo ndarjes së zonave detare do të kërkonte dakordimin e palëve me shtetet që Greqia kufizohet.

Marrëveshja Shqipëri-Greqi e vitit 2009 dhe kundërshtimet rreth saj

Duke qenë se gjatë regjimit komunist (1944-1991) në Shqipëri, “çështja e detit”, kishte mbetur si e neglizhuar, çështja e kufizimit të zonave detare mbeti e hapur pas përmbysjes së regjimit komunist, madje edhe duke nisur zyrtarisht negociata mes palëve për të arritur një marrëveshje. Në vitin 2009, mes Qeverisë së Shqipërisë të drejtuar nga Sali Berisha dhe Qeverisë së Greqisë së drejtuar nga Kostas Karamanlis u nënshkrua një marrëveshje në Tiranë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, marrëveshje e cila u nënshkrua nga ministritë e jashtme të të dy vendeve.

Marrëveshja në fjalë u kundërshtua nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) në atë kohë në opozitë, e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, parti e cila marrëveshjen e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, duke e konsideruar si të “papajtueshme me Kushtetutën”.

Partia Socialiste, përdori disa argumente dhe pretendime për të kundërshtuar marrëveshjen e cila në fund të shqyrtimit u rrëzua dhe nuk kaloi për miratim në parlament, duke theksuar se “Nuk ishte i nevojshëm përcaktimi i kufirit të hapësirave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, pasi ky kufi ka qenë i përcaktuar më parë” dhe se “Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës.”

Partia Socialiste e Shqipërisë pretendoi në atë kohë se nuk është përcaktuar paraprakisht vija bazë nga shteti shqiptar, e cila ka rëndësi në përcaktimin e shelfit kontinental dhe zonave të tjera dhe për faktin se brigjet e Shqipërisë dhe Greqisë nuk janë të njëjta, gjë e cila ndikon edhe tek përzgjedhja e parimit që do të zbatohet për vendosjen e kufirit ujor.

Sipas pretendimeve të PS-së, ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike të përshtatshme për palën greke, pasi futet në hapësirën ujore që duhej t’i takonte shtetit shqiptar. Gjithashtu, sipas PS që ishte palë ankimuese në gjykatë, ishulli Othonoi krijon një tjetër zgjatim verior të hapësirës ujore greke në disfavor të palës shqiptare.

Disa nga argumentet dhe pretendimet e tjera të Partisë Socialiste ishin se delegacioni shqiptar ka pranuar kërkesën e palës greke që gjiri i Korfuzit të trajtohet si gji me statusin e ujërave të brendshme dhe nuk ka bërë përpjekje që të njëjtin status të fitonte edhe gjiri i Sarandës, dhe kjo sipas PS ka çuar në zvogëlimin e hapësirës dhe për pasojë edhe afrimin e pajustifikuar të vijës së kufirit detar në drejtim të bregut të Sarandës, në disfavor të interesave të Shqipërisë.

Një tjetër argument i ngritur nga PS është që Shkëmbit Barketa nuk ka motiv që t’i njihej dhe t’i akordohej e drejta e hapësirës ujore, pasi sipas saj kjo cekëtinë shkëmbore duket dhe zhduket në varësi të fenomeneve baticë-zbaticë.

Nga ana tjetër, marrëveshja u mbrojt në atë kohë gjatë shqyrtimit në gjykatën kushtetuese nga Qeveria e drejtuar nga Berisha. Vetë ish-kryeministri Berisha në vitet e fundit rreth marrëveshjes në fjalë ka mbrojtur qëndrimin e tij se ishte një “marrëveshje nga e cila fitonin të dy palët”.

Rrëzimi i marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë

Pas shqyrtimit, në vitin 2010 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e shpalli të pavlefshme juridikisht dhe antikushtetuese marrëveshjen Shqipëri-Greqi për zonat detare, pasi vendosi të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, në projektmarrëveshjen në fjalë u konstatuan shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.

Ndër konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë ishte se Konventa e Detit dhe praktika ndërkombëtare bashkëkohore përcaktojnë si parim bazë për ndarjen e hapësirave detare atë të “Ekitesë”, synimi i së cilës është të arrihet një rezultat sa më i drejtë dhe i ndershëm ndërmjet palëve. Gjithashtu është theksuar se parimi i “Ekitesë” zbatohet jo vetëm për ndarjen e shelfit kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE), por edhe në ndarjen e detit territorial ndërmjet brigjeve ballë për ballë dhe në afërsi me njeri-tjetrin, pasi me nocionin “rrethana të veçanta”, sipas nenit 15 të Konventës mbi të drejtën e detit, kuptohet prania e rrethanave të tilla si gjatësia e bregut, forma e tij, ekzistenca dhe natyra e ishujve apo masave shkëmbore.

Gjykata vlerësoi se, në kuptim të konceptit “rrethana të veçanta” dhe në funksion të parimit të “Ekitesë”, nga pala shqiptare, në përcaktimin e vijës së kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë, duhej të ishin marrë në konsideratë karakteristikat e bregdetit të të dy vendeve dhe veçanërisht prania e ishujve apo masave shkëmbore në hapësirat ujore objekt delimitimi.

Sipas Gjykatës, duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit, pasi sipas gjykatës marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ndër të tjera thekson se sipas marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental ndërmjet Republikës Greke dhe Republikës Italiane të datës 24.05.1977, ishujve Othonoi dhe Erikuza u është dhënë efekt i pjesshëm.

Nga ana tjetër, sipas gjykatës problem tjetër shumë i rëndësishëm i marrëveshjes së vitit 2009 është trajtimi i masës shkëmbore apo cekëtina Barketa, të cilit rezulton t’i jetë dhënë gjithashtu efekt i plotë, duke e barazuar me dheun kontinental shqiptar, pavarësisht se sipas gjykatës kemi të bëjmë thjesht me një masë të vogël shkëmbore të pabanuar dhe pa jetë ekonomike. Për më tepër, për vetë pozicionin e tij, ai ka ndikuar ndjeshëm në spostimin e vijës kufitare që ndan detin territorial të të dy vendeve.

Në përfundimet e parashtruara në vendimin e saj, Gjykata çmoi se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga presidenti i Republikës së Shqipërisë për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes, mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes, moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm, mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Sa i përket konkluzioneve dhe argumenteve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të reflektuara në vendimin e saj mbeten të detyrueshme dhe që duhet të respektohen nga çdo ekip negociator shqiptar në rast të negociatave të reja të mundshme apo mbrojtjes në gjykatë ndërkombëtare.

Rifillimi i negociatave dhe vendimi për t’u drejtuar në gjykatën ndërkombëtare

Pas rrëzimit në vitin 2010 të marrëveshjes Shqipëri-Greqi për zonat detare çështja kaloi në “heshtje”, por mbeti përsëri një çështje e hapur dhe pa zgjidhje përfundimtare mes vendeve, madje edhe duke shkaktuar debate të brendshme në Shqipëri dhe Greqi.

Në prill të vitit 2018, Qeveria e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri Rama dhe Qeveria e Greqisë e drejtuar nga Alexis Tsipras filluan zyrtarisht bisedimet zyrtare për çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, ndërkohë pas disa raundesh negociatash nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare dhe negociatat u ndërprenë.

Nga ana tjetër, pretendimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave në Detin Jon, kanë shkaktuar reagime të shpeshte edhe të zyrtarëve të lartë të Shqipërisë. Kryeministri Rama ka ripërsëritur disa herë qëndrimet e tij në lidhje me pretendimet e Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon, duke theksuar se “e drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur”.

Kryeministri Rama, në lidhje me këtë çështje ka deklaruar muaj më parë se drejta e 12 miljeve buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit. Sipas Ramës, Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990 të drejtën e saj të shtrirjes në ato milje, “në bazë të asaj konvente ndërkombëtare të vitit 1982.”

Ish-kryeministri Berisha, i cili ishte kreu i qeverisë në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e vitit 2009 e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, në një nga qëndrimet e tij publike gjatë muajit gusht të vitit 2020, ka theksuar se vendimi i Greqisë që të zgjerojë në 12 milje ujërat e saj territoriale, “për Shqipërinë është dëmtues dhe në raport me klimën konfliktuale që ekziston në rajon konkretisht midis Turqisë dhe Greqisë, është problematik dhe me implikime serioze”.

Ndërsa sa i përket çështjes së kufizimit të zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, zhvillimi më i fundit mbi këtë çështje lidhet me vitin e kaluar. Më 20 tetor Shqipëria konfirmoi se është dakorduar me Greqinë që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, shqyrtim i cili në gjykatën ndërkombëtare në Hagë u konfirmua gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Nëse palët do ta mbyllin përfundimisht këtë çështje pritet të shikohet në muajt e ardhshëm, pasi dy vendet të kenë bërë gati dosjet me pretendimet e tyre për trajtimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe pasi edhe kjo gjykatë të ketë dhënë një vendim.

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!