“Shën Mëri Eleusa” është një prej ikonave të ekspozuara pranë MKAM, të Nikolla Onufrit, në pavijonin që mban emrin e të atit. Muzeu i Artit Mesjetar thekson se “ikona është pikturuar nga Nikolla Onufri, për ikonostasin e kishës së Shën Mëri Vlahernës në Berat, në vitin 1578”.
Nikolla, i biri dhe nxënës i Onufrit, ka ndjekur gjurmët artistike të mjeshtrit jo vetëm në stil, por edhe në mënyrën e të pikturuarit.
Në fund të ikonës mbi një sfond të kuq, piktori ka lënë të shkruar mbishkrimin “lutje e shërbëtorit të Zotit, konteshë dhe grua e priftit, Amin”.
Virgjëresha paraqitet me Krishtin fëmijë në dorën e majtë dhe me dorën tjetër, tregon fëmijën e saj. Krishti paraqitet i qetë, duke mbajtur një pergamen të mbledhur në dorën e majtë dhe jep bekimin me dorën e djathtë.
Piktor i shek. XVI, Nikolla Onufri ishte i biri dhe pasues i të atit, Onufrit. Zhvilloi veprimtari krijuese në fushën e pikturës murore dhe të ikonës.
Trajtoi ciklin e festave të mëdha, figura të veçuara shenjtorësh strategë, murgj e subjekte të rralla, si Krishti trifytyrësh. Stili dhe mënyra e tij e të pikturuarit ngjajnë me pikturat e Onufrit, por edhe dallohen prej tyre, nga një varg tiparesh origjinale. Për Nikolla Onufrin janë karakteristike figurat me përpjesëtime të zgjatura, të diferencuara nga portreti, veshjet e gjera me palëzime, ngjyrat dekorative, rrëfimi disi i zvargët, elementi etnografik.
Nikolla Onufri është autori i pikturave të kishës së Shën Mëri Vllahernës në Kalanë e Beratit (1578) dhe i një vargu ikonash. po në atë qytet. Ka pikturuar së bashku me piktor Joanin, afresket e kishës së Shën Kollit në Kurjan të Fierit dhe të Shën Gjergjit në Arbanas të Bullgarisë (1561).
Dorës së tij, i përkasin edhe afreske të shek. XVI në kishën e Shën Naumit.