MENU
klinika

Denaj nga Kuvendi: Janë 7 sisteme të cialt...

“Fiskalizimi, baza e miradministrimit fiskal”

01.02.2021 - 15:25

Ditën e sotme në Kuvend u diskutua projektligji “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin për parandalimin e evazionit fiskal, ratifikuar me ligjin nr. 62/2014”.

Në fjalën e saj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se, fiskalizimi dhe ligjet e miratuara nga Qeveria Rama janë baza e miradministrimit fiskal. Gjithashtu, shtatë sistemet, që do të gjejnë zbatim në 2021, do të sigurojnë rritjen e të ardhurave e shërbimeve edhe në mandatin e tretë të qeverisjes.

“Janë shtatë sisteme, të cilat këtë vit do gjejnë zbatim si rezultat i ligjeve që kemi kaluar në parlament vitet e shkuara dhe me kënaqësi unë konstatoj njëkohësish se, këto ligje duke filluar nga fiskalizimi dhe ligje të tjera janë sot në bazë të reformës së miradministrimit fiskal. Një reformë, e cila vlerësohet edhe nga PD-ja, ku mbështetja në programin e saj, të deklaruara së fundmi me më shumë se 50% të paketës së financimit, vjen nga miradministrimi fiskal”, theksoi Denaj.

___________________

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj:

E nderuar Kryetar i Seancës,
Të nderuar Deputetë,
Të nderuar Qytetarë,

Përpjekja e Qeverisë Shqiptare në krijimin dhe zbatimin e një kuadri të plotë ligjor në respekt të funksionimit të sistemeve tatimore dhe luftës kundër evazionit fiskal është një detyrë e përbashkët e të gjitha institucioneve ligjzbatuese në Republikën e Shqipëri, por jo vetëm.

Për të arritur këtë objektiv, Qeveria Shqiptare prej kohësh ka rritur bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare dhe prej vitit 2019 u miratua marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Organizatës Për Bashkëpunim Dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), kjo për aderimin e Republikës së Shqipërisë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS)”.

Përmes miratimit të kësaj marrëveshjeje Qeveria Shqiptare siguroi një instrument për të adresuar shmangien e taksave dhe për të siguruar që fitimet të tatohen aty ku kryhen aktivitetet ekonomike që gjenerojnë fitimet dhe aty ku krijohet vlera.

Përpara një viti kemi diskutuar dhe më pas kemi aprovuar në këtë parlament edhe Ligjin për Shkëmbimin Automatik të Informacionit, i cili e ka bërë të zbatueshëm dhe detyrues prej janarit të këtij viti realizimin për shkëmbin automatik të informacionit në kohë reale me disa administrata tatimore në shumë vende të botës.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në rolin e saj si politikbërëse dhe përmes institucioneve të varësisë, mbetet totalisht e angazhuar në përmirësimin tërësor të luftës kundër evazionit fiskal, por njëkohësish të luftës kundër evazionit fiskal apo parandalimit dhe pastrimit të parave.

Kujtoj këtu, të gjithë paketën Moneyval, ato ligje që kaluam në vitin 2019, por njëkohësisht edhe dy ligje të rëndësishme, që kaluam në vitin e kaluar, të cilët detyrojnë Ministrinë e Financave dhe institucione të tjera realizimin e regjistrave, të cilët do të mundësohen brenda 76 mujorit të parë të këtij viti.

Qeveria Shqiptare zbaton aktualisht 41 Marrëveshje të ratifikuara nga Kuvendi “Për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e Evazionit Fiskal”.

Projektligj “Për Ratifikimin e Protokollit Ndryshues të Marrëveshjes, mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, vjen në parlament pas mbledhjes të dy qeverive, Shqipëri-Kosovë dhe ndryshimet konsistojnë:

Në zgjidhjen e vështirësive të zbatimit në praktikë të parashikimeve të lidhura me Dividentët duke saktësuar se: të drejtën e taksimit e ka edhe vendi i burimit të të ardhurës.

Së bashku me Kosovën do të plotësojmë standardet minimale ndërkombëtare në kuadër dhe të projektit ndërkombëtar BEPS të sipërpërmendur.

,Më lejoni të flas edhe për pikën 9 të rendit të ditës, i cili lidhet me, Protokolli ndryshues i marrëveshjes mes Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal.

Ky projektligj synon: Amendimin e nenit 26 “shkëmbimi i informacionit” të marrëveshjes, në kuadër të ndryshimeve që Modelet, që përmendëm pak më lart, të detyruara nga marrëveshja me OECD kanë kërkuar.

Gjithashtu, ky nen garanton se çdo informacion i marrë nga një Shtet Kontraktues trajtohet si sekret, në të njëjtën mënyrë si informacion i marrë nën legjislacionin e brendshëm të atij shteti, i cili ruhet dhe përdoret vetëm për qëllime tatimore.

Protokolli parashikon edhe masat për parandalimin e abuzimeve apo përfitimet e padrejta nga marrëveshja, përmes Nenit 27 “E drejta e përfitimeve”.

Sigurisht kjo paketë vjen, siç e thashë pak më parë, si një nevojë e marrëveshjeve të firmosura prej vitit 2019 me organizata ndërkombëtare, por me qenë se kam pak minuta më lejoni e nderuar drejtuese e seancës dhe të nderuar deputetë dhe qytetarë të them që masat për të luftuar evazionin fiskal, masat për të luftuar parandalimin e pastrimit të parave janë masa, të cilat me ligje ky parlament i ka aprovuar në vitet e fundit.

Është pikërisht qeverisja socialiste, Qeveria Rama, e cila në dy mandate solli ligje të rëndësishme, të cilat na përafrojnë me kuadrin e legjislacionit ndërkombëtar dhe atë të BE-së, por jo vetëm. Gjithashtu, është punuar për të realizuar me sisteme luftën kundër këtij evazioni.

Janë shtatë sisteme, të cilat këtë vit do gjejnë zbatim si rezultat i ligjeve që kemi kaluar në parmalent vitet e shkuara dhe me kënaqësi unë konstatoj njëkohësish se, këto ligje duke filluar nga fiskalizimi dhe ligje të tjera janë sot në bazë të reformës së miradministrimit fiskal.

Një reformë, e cila vlerësohet edhe nga PD-ja, ku mbështetja në programin e saj, të deklaruara së fundmi, me më shumë se 50% të paketës së financimit, vjen nga miradministrimi fiskal.

Faleminderit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Negociojmë 2020-ën për transaksionet

Denaj: Më 2021, të gjitha faturat elektronike!