MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kur krahasimi Kurti-Rama dëmton… Bashën

23.02.2021 - 09:27

MENTOR NAZARKO

Qoftë nga dëshira për t’u frymëzuar politikisht në rajon, qoftë për të nxitur frymën antiRamë me shembuj rrëzimi të partive të vjetra, nga disa opinonistë po sillet në mexhlisin tonë shembulli i fitores së Kurtit në Kosovë. Me gjasë, kjo përpjekje, diku natyrale, diku e sforcuar apo e stimuluar, e nervozon Ramën, i cili është angazhuar fuqishëm në krijimin e universit të vet politik dhe mediatik ku nuk ka vend për kësi krahasimesh. Mirëpo, njëjtë si çdolloj ilaçi, qoftë dhe më i miri, madje edhe vaksinë qoftë, efektet anësore janë të pashmangshme. Sepse edhe krahasimi më i mirë çalon. Ky krahasim, në fakt, na shtyn të krahasojmë jo Ramën me Kurtin, por Bashën me Kurtin. Ja sepse.

Kontekstet historike janë tërësisht të ndryshme. Ardhja e Kurtit në pushtet u favorizua fuqishëm nga një frymë frustrimi ndaj Perëndimit prej brezit të ri të Kosovës, të rritur në izolim, që e votoi atë masivisht; nga dërgimi në Hagë i udhëheqësve kryesorë të Luftës që shënjuan historinë e re të Kosovës; nga fundi i administratës Trump, së cilës ai iu kundërvu fuqishëm etj. Nëse doni, edhe prej zvogëlimit të ndikimit të zonjës Merkel në rajon, kryesisht në Kosovë, apo zvogëlimit të ndikimit të trashëgimisë rugoviste në shoqërinë me moshë të re, ngritjes në këmbë dhe mbajtjes së një aparati propagandistik të fuqishëm e modern prej Vetëvendosjes etj. Rrethanat e opozitës anti-Ramë në Shqipëri nuk ngjajnë as për së largu, që të favorizojnë një parti apo një opozitë koherente në qëndrimet e veta si ajo e Kurtit. Sa për aparat propagandistik modern, posaçërisht në rrjetet sociale, por jo vetëm, Rama ngjan më i favorizuari. Kësisoj dhe me ndikimin te të rinjtë apolitikë, dembelë, me qasje stataliste etj.

Kundër Ramës të vjetër, që tenton të ndërrojë imazh vazhdimisht, në Shqipëri nuk janë parti të reja. Madje, as parti të rinovuara rrënjësisht. Gjithmonë nëse e marrim partinë e Kurtit, të re në ekzekutiv, si parti të re, të pasprovuar në ekzekutiv: PD dhe LSI-ja, janë parti që kanë eksperiencat e tyre në qeverisje për 8 vjet; liderët e tyre po ashtu, me përjashtim të zonjës Kryemadhi që mund të quhet se nuk e ka këtë lloj eksperience. Megjithatë, parë në këtë plan dyshja Kurti-Osmani as nuk mund të krahasohet me dyshen BashaKryemadhi. Kurti mbahet si i pakorruptuar, madje mitizohet si i pakorruptueshëm sepse ka një eksperiencë të panjollë disajavore në ekzekutiv, ndërsa kjo nuk mund të thuhet për Bashën, ndaj të cilit kundërshtarët e vet kanë formuluar shumë akuza, që kanë përfunduar dhe në Prokurori.

Kurti përfaqëson një parti ideologjike, të rreshtuar fuqishëm majtas, kryesisht kundër Perëndimit, megjithë përpjekjet e veta për të moderuar të kaluarën e vet. As PD dhe as LSI nuk kanë prehistori të ngjashme, madje as dhe aktualitet. PD pretendon të jetë parti e qendrës së djathtë. Te rinia e dembelosur nga rrjetet sociale, duam, s’duam ne, jehojnë më shumë idetë e majta, për shtet të fortë dhe punësim në publik…

Në të kaluarën e vet të afërt, Kurti është njohur për qëndrime të veta të fuqishme nacionaliste apo në përgjithësi në temat kundërthënëse, qëndrime të cilat janë moderuar sadopak. Basha nuk njihet për qëndrime të forta nacionaliste, as në të kaluarën dhe as sot. Përgjithësisht nuk ka qëndrime të spikatura në politikën e jashtme, me përjashtim të rreshtimit pro integrimit europian. As zonja Kryemadhi nuk njihet për qëndrime të tilla. Ndërsa Kurti njihet madje për prirjen që të jetë lider panshqiptar apo t’i japë mësime Serbisë, të majtës botërore dhe botës, Basha është modest. Pikë e fortë kjo e tij.

Kurti apo Lëvizja e tij Vetëvendosje njihet për një punë organizative metodike me rininë, madje shumë më para se ajo të fillojë e të votojë. Basha nuk ka në arkivin e vet të veprimtarisë politike, episode apo konsistencë në këtë drejtim. Zonja Kryemadhi shquhet në këtë drejtim madje më shumë sesa PD-ja.

Kurti ka kultivuar në emër të vetes një raport asketik me veset, veshjen, të ngrënët dhe të pirët, ka bërë burg politik, diçka që nuk mund të thuhet për Bashën. Basha nuk është përfolur për vese të caktuara, ndonëse akuzohet për shtëpitë e tij apo për nivelin e pasurisë.

Kurti duket se ka lexime të mira filozofike, ka retorikë të shkëlqyer, këshillohet mirë kur don të dëgjojë këshilla, ndonëse gjithmonë e më pak, ndërsa Basha nuk ka shpërfaqur diçka të rëndësishme në këtë drejtim. Kurti po bën atë që ka bërë Rama me emra tingëllues në ekspertizë nga universitete me famë botërore, diçka që Basha nuk e ka bërë dhe as po e bën. Këshillimi me Berishën, me ekspertë të PR, nuk përfaqëson diçka të krahasueshme as më së paku me këtë qasje të Kurtit sot dhe Ramës në fillim të mandatit apo dhe më vonë. Basha është i moderuar, i qetë, pa ngjyra të spikatura komunikative, linear- pa referenca historike, filozofike, letrare etj. Kurti citon Hegelin, madje duke nxitur Vuçicin ta lavdërojë ironikisht: ti je si Hegeli, filozofi më i më mirë.

Të vendosësh Ramën në një pasqyrë krahasuese ku përballë vetes gjen Kurtin, mbase dhe e dëmton pak atë. Edhe Ramës i mungojnë disa veti që i ka Kurti, njëjtë si Kurtit i mungojnë disa veti të Ramës, për shembull, gjurmët e disa sukseseve në ekzekutiv, për të cilat pritet të shihet. Mirëpo, më së shumti dëmtohet Basha, të cilin qartësisht për rrethana objektive dhe subjektive nuk e gjejnë të pasqyruar te Kurti, as adhuruesit më të mëdhenj të tij.

Kështu që Kurtin më mirë ta krahasojmë me Ciprasin, për shumë aspekte, kryesisht ato ideologjike, apo raportin me kravatën, madje edhe kundër dëshirës së tij. Krahasimi me sivëllezër të një gjaku, që aspirojnë pushtetin prej opozitës, çalon. Dhe nëse mungojnë të ngjashmit politikë, nëse dhe klima kontekstuale është shumë larg, atëherë fryma e ndryshimit nuk mund të ngjallet njësoj. Madje, ky krahasim ndërsa kemi 17% të pavendosur, ndërsa era fryn majtas, ndërsa Basha nuk ka lidership të fortë si Berisha dhe as si Kurti (të majtë sigurisht), Basha dëmtohet. Të ngazëlluar nga hija triumfante e Kurtit, njerëzit e Bashës, madje naivisht kanë braktisur aleaten e tyre historike në Kosovë, LDK ose yshtin Kurtin të zgjedhë Haradinajn President, diçka jo shumë e shëndetshme për Bashën, megjithëse mund të ngjajë si rrethim i Ramës dhe embargo kosovare për të.

Disa cilësi të Kurtit, Basha nuk i fiton dot gjenetikisht; disa është vonë t’i fitojë; disa të tjera madje Bashës as nuk i duhen se i bëjnë dëm.