MENU
klinika

“Qeveri e vogël”

Kurti tregon planet: Nuk i shmangim bisedimet me Serbinë, por

18.02.2021 - 18:37

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk i nënçmon bisedimet me Serbinë por nuk mund t’i shndërrojë ato në përparësi të punës së qeverisë së ardhshme. Në një intervistë me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Besim Abazi, zoti Kurti renditi ndër synimet e para projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti, fitorja juaj në zgjedhjet e së dieles e bën të lehtë formimin e qeverisë, cilat janë punët e para që e presin realisht qeverinë tuaj?

Albin Kurti: Së pari ne do të duhet që të krijojmë një kabinet të vogël qeveritar, të vazhdojmë punët e mira që i kemi filluar në pranverën e vitit 2020 dhe shumë të tjera të cilat janë edhe më të mira. Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata, gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia, duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet, e gjithashtu janë një mori vendimesh të qeverisë e cila doli të ketë qenë edhe jo kushtetuese, përveç se jo legjitime, e të cilat duhet t’i anulojmë. Por në përgjithësi, prioritetet tona janë drejtësia dhe punësimi, me ç’rast kurrë nuk duhet të harrojmë pandeminë COVID-19 e cila nuk ka shkuar.

Zëri i Amerikës: Cila do të jetë mënyra e përballjes suaj me pandeminë? Edhe kur jeni rrëzuar nga qeveria në pranverë ka qenë në mes të pandemisë, kjo pandemi është ende këtu prandaj si do të përballeni me të?

 

 

Albin Kurti: Ne kemi qenë qeveria e cila e ka menaxhuar në mënyrë shembullore pandeminë në pranverën e vitit të kaluar dhe për këtë jemi lavdëruar jo vetëm në Evropë. Me 24 maj të vitit 2020 nuk ka pasur asnjë rast të ri të infektuar në Kosovë, pra me mbylljen që patëm bërë ne dhe hapjen e mençur graduale, patëm arritur që me 24 maj ta zbresim në zero numrin e të infektuarëve të ri. Në dy javët e fundit kur unë kam qenë në detyrë, të cilën e kam përfunduar me 3 qershor, ka pasur 139 raste të reja në dy javët e fundit dhe vetëm një i vdekur. Me tre qershor, kur e kam liruar zyrën, kanë qenë 30 të vdekur. Sot jemi të shifra diku 1550, pra mbi një mijë e 500 që atëherë. Kishim një datë të zezë diku në gushtin e vitit të kaluar, nëse mbaj mend mirë ishte 7 gusht, me 215 të infektuar në ditë dhe me 16 të vdekur. Ne do të nxjerrim mësimet nga qeverisja jonë shembullore në menaxhimin e pandemisë dhe nga keqqeverisja e pastajme, por synimi jonë do të jetë alokimi i fondeve, programacioni i prioriteteve për shtresat shoqërore për vaksinim të rreth 60 për qind të popullsisë në këtë vit.

Zëri i Amerikës: Si mendoni ta realizoni këtë, ku do t’i merrni vaksinat duke pasur parasysh se tash ka një diplomaci vaksinash në botë që është mjaft e ashpër?

Albin Kurti: Ne këtë e shohim plotësisht vetëm në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të ulemi me Brukselin dhe do të diskutojmë se si Kosova e cila ka një lidhje të fuqishme me Brukselin, pa çka se është larg integrimit dhe antarësimit atje, ta bëjë mënyrën më të mirë për vaksinim sa më të madh dhe më të shpejtë.

Zëri i Amerikës: Ka pasur një ofertë nga Beogradi që t’i ndihmojë Kosovës me vaksina meqë Serbia është shumë përpara në rajon me këtë proces. Jeni i gatshëm për këtë apo a do ta pranonit një ndihmë të tillë?

Albin Kurti: Këtu janë dy probleme; së pari raporti i Serbisë me Kosovën është një raport i agresionit diplomatik në rastin më të mirë, në rastin më të keq është më shumë se kaq, janë sulme të ndryshme edhe kriminale që bëhen në Kosovë nga strukturat e saj. Në anën tjetër është edhe aspekti i aleancave globale ku ne fare nuk pajtohemi me Serbinë ajo çdo herë e më shumë po i forcon lidhjet me federatën ruse dhe me Kinën, që ne nuk i shohim në të ardhmen si partnerë apo aleat tanë. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja, ky është orientimi ynë çdo herë për gjithçka.

Zëri i Amerikës: Në pranverë kur ju ishit kryeministër morët rreth një mijë teste nga Serbia, ku është dallimi? Nëse i keni pranuar ato pse jo vaksinat?

Albin Kurti: Atëherë ishin një mijë teste në një situatë të paparë humanitare, të rrezikimit të shëndetit të përgjithshëm të popullsisë dhe ne e kemi bërë atë në mënyrë që në njërën anë i kemi marrë si shtet. ku nuk do të ju ndahen vetëm njerëzve sipas përkatësisë kombëtare në Kosovë, dhe në anën tjetër ka qenë një dialog me ministrin e shëndetësisë nga Serbia i ministrit tim (Arben) Vitia, ku rezultati ishte fantastik – gjysmë milionë euro ndihmë për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Ajo ishte një kurthë në të cilën ne nuk kemi rënë. Po të mos i merrnim ne ato një mijë teste, atëherë do të propagandohej një krizë humanitare te serbët në Kosovë e cila sigurisht që ishte inekzistente dhe ne kemi vepruar në mënyrë të mençur.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti sapo i përmendëm aleancat dhe orientimin tuaj natyrisht drejt Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një nga sfidat që juve ju pret edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare është ajo e bisedimeve me Serbinë. Ju keni pohuar se nuk është përparësi për ju, por aleatët kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë thirrje që të shndërrohen në përparësi. Si do të veproni ju?

Albin Kurti: Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellur drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë COVID-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se cfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë, unë do të mund ta bëjë le të themi një koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet. Pra, nuk dua ta nënçmoj por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti. Kur kemi parasysh që zgjedhjet u mbajtën me 14 shkurt, pra në vigjilje të 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne jemi të bindur që këto janë ditët kur duhet të flasim shumë më tepër për pavarësinë sesa për Serbinë.

Zëri i Amerikës: Por, pavarësia vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj, ndërkaq vazhdon të mbështetet fuqishëm nga aleatët e Kosovës siç janë Shtetet e Bashkuara. Ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Biden që bënë thirrje që të vazhdohet me bisedimet me Serbinë, përfundimi i të cilave do të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë. A ndikon kjo?

Albin Kurti: Ajo ishte një letër shumë e mirë dërguar presidentit të Serbisë. Ne kemi shumë besim te administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Joe Biden është njohës i mirë i historisë së Ballkanit, ka përvojë të madhe politike dhe diplomatike, edhe me familjen e tij ai ka lidhje të fuqishme me Kosovën dhe unë dua që të punoj shumë ngusht me presidentin Biden. Jam optimist se dialogu i ardhshëm me Serbinë do të jetë transformues për nga natyra, jo transaksional siç është provuar në të kaluarën. Gjithashtu mendoj se do t’i vjen radha edhe dialogut. Ne do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vetëm më duhet ta theksoj se shteti i Kosovës është bukur i dobët, duhet ta forcojmë shtetin dhe edhe dialogu ecën shumë më mirë pastaj. Nuk po them që nuk e kemi parasysh, por duhet vënë theksin drejtësisë dhe punësimit sepse shteti i pavarur i Kosovës kur është shpallur i tillë, 13 vjet më parë, ka qenë evidente se nuk do të njihet nga Serbia dhe do të kundërshtohet nga Serbia, pra ne nuk e kemi shpallur pavarësinë duke besuar që do të na njohë Serbia. Andaj, kjo është një betejë e vazhdueshme politike ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë kryesor.

Zëri i Amerikës: A keni drojë se, siç thonë kritikët, fitorja juaj dhe qëndrimet tuaja mund të ndërlikojnë jo vetëm synimet e perendimit për ta zgjidhur çështjen midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj?

Albin Kurti: Absolutisht jo. Nuk mund të gjeni një subjekt politik më pro perendimor, më demokrat, më të thellë në mendim gjithnjë në kuadër të orientimit perendimor euroatlantik dhe evropian.

Zëri i Amerikës: Si e shihni ju megjithatë, kurdo që ndodhë, epilogun e bisedimeve me Serbinë? A keni drojë nga ringjallja e ideve të vjetra të cilat ju i keni kundërshtuar fuqishëm?

Albin Kurti: Idetë e vjetra janë ide të vjetra, me kalimin e kohës vjetërsia shtohet, pra, idetë e vjetra bëhen edhe më të vjetra dhe nuk besoj që do të mund të shndërrohen në projekte të reja. Projektet e vjetra kanë dështuar dhe nuk kemi nevojë për rigjenerim të tyre.

Zëri i Amerikës: A është projekt i vjetër edhe ideja juaj e bashkimit me Shqipërinë e cila përgjatë fushatës së këtyre zgjedhjeve është përdorur pikërisht nga rivalët e juaj?

Albin Kurti: Së pari ai nuk është projekti i imi fare, domethënë është projekt i atyre që na kanë bërë këta që jemi, pra shqiptarë si komb në Ballkan, dhe kudo që ndodhemi në botë ekziston intenca e natyrshme historike e shqiptarëve për bashkim për shkak se ata janë të ndarë me dhunë dhe nga jashtë. Natyrisht ky është një problem i vjetër, mirëpo i cili ka pasoja edhe sot e kësaj dite. Prioritetet tona do të jenë drejtësia dhe punësimi ndërsa unë nuk ja mbyll derën në të ardhmen as intencës historike të kombit në njërën anë dhe as popullit si vullnet gjithnjë përbrenda kornizave paqësore e demokratike.

Zëri i Amerikës: E ritheksuat sërish se drejtësia dhe punësimi janë përparësitë e juaja, por për t’i realizuar të gjitha këto natyrisht që duhet të keni pushtetin. Bërja e qeverisë nuk duket problem për juve megjithatë fitorja juaj nuk siguron vota të mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri, derisa dështimi për ta zgjedhur atë rrezikon zgjedhje të reja. A keni menduar si do ta menaxhoni këtë situatë?

Albin Kurti: Unë jam më optimist se para mbajtjes së zgjedhjeve me 14 shkurt se do të mund të zgjedhim edhe presidentin e ri për shkak se ka një reflektim te të gjitha partitë politike për rezultatin e zgjedhjeve. Ky reflektim do të mundësojë edhe refomimin e tyre, por aktualisht besoj se do të sjellë një atmosferë racionale në parlamentin e Republikës së Kosovës, ku ata nuk do ta braktisin sallën kur të zgjedhet presidenti i ri, meqë ne kemi nevojë për konsolidim të institucioneve dhe në të dy fushat për të cilat presidenti duhet të jetë kompetent e me integritet, në atë të politikës së jashtme dhe drejtësisë, kolegia ime dhe presidentja në detyrë është treguar në nivel të lartë secilën herë. Kur kësaj i shtohet fakti që nëse nuk e zgjedhim presidentin e ri duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, besoj se do të kontribuojë që perveç se është e logjikshme të zgjidhet presidenti, është edhe në interesin e atyre të cilët do të mund të votojnë kundër.

Zëri i Amerikës: Përse? Opozita është gjithmonë e interesuar ta rrëzojë qeverinë?

Albin Kurti: Në situatë kur zgjedhjet janë zgjedhje, por kur zgjedhjet janë referendum e të cilat i fiton një subjekt politik me një mbështetje kaq të madhe popullore që sa vije rritet, nuk besoj që është në interesin e tyre të përsëriten zgjedhjet.

Zëri i Amerikës: A keni drojë që mund të ketë përpjekje që të vihet në pikëpyetje zgjedhja juaj si kryeministër për të njejtat arsye që u pengua kandidimi juaj në parlament?

Albin Kurti: Nuk ka bazë legale juridike për një gjë të tillë. Unë kam respektuar vendimet, mirëpo ne kemi shumë funksione në shtetin e Kosovës që zgjidhen nga kuvendi pa qenë deputet dhe pa ju referuar çështjeve të kontestueshme që janë trajtuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit të kaluar. /Voa/