MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Nëntë fakte që duhet të dinë politikanët shqiptarë për SHBA

25.02.2021 - 13:22

Shtete e Bashkuara shpesh herë për shkak të spektrialitetit që shfaqin në botë, konsiderohen një shtet në rënie, i dobët dhe me kujtesë të shkurtër. Nuk ka gjë më të gabuar. Një perandori mbijeton për shkak të kulaçit dhe kërbaçit. Ja disa perceptime të gabuara:

1-Amerikën mund ta sfidosh.

Nuk ka gjë më të gabuar. Noriega përfundoi në burg; Sadami i varur; Gadafi i masakruar; Milosheviçi vdiq në qeli. Radha është e hapur.

2-Amerika harron.

Perandoritë i kanë të gjata dorën dhe kujtesën. Mjafton rasti i Abu Abas, i cilësuar përgjegjës për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasve amerikanë në vitin 1985 gjatë rrëmbimit të anijes “Akile Lauro”. Kur e arrestuan në vitin 2001 në Bagdat pas pushtimit të Irakut, oficeri amerikan i tha: Mund të vraposh por nuk mundesh të na shpëtosh. Vdiq në burg.

3-Shërbimet sekrete amerikane janë të paafta.

Një ndër meritat e djallit është se bindi njerëzit që nuk ekziston. SHBA ka 16 shërbime inteligjence me një buxhet prej rreth 70 miliard dollarë dhe personel 110 mijë njerëz. Por kjo është maja e ajsbergut. Shumë njerëz janë të shpërndarë në institucione të tjera dhe shumë agjenci si për shembull NASA, punojnë edhe për shërbimet sekrete. Rasti Eduard Snovden tregoi se mbulesa globale që këto shërbime i bëjnë botës tashmë ka vite që ndodh. Nëse lexoni se një ditë një kundërshtar i SHBA përfundon në fatkeqësi, mos ia lini gjithmonë fatit të keq.

4-SHBA është ekonomi në rënie.

Gabim. Tashmë perëndimi me në krye SHBA janë përqendruar tek ajo që analisti amerikan Fahred Zakharia e quan smile (buzëqeshja), një hologramë në formë U-je. Ku dy ekstremet që janë edhe ato më të lartat dhe me shumë përfitime, janë në një anë kërkimi dhe tjetra realizimi i shitjes (përfitimi). Pjesa e poshtme e U-së, ajo që është më e lodhshme, me më pak përfitim dhe e dëmshme për ambientin, iu është lënë vendeve të varfra, që kërkojnë të zhvillohen.

5-SHBA është fuqi ushtarake në rënie.

Gabim. Sipas Institutit për Paqen me qendër në Stokholm, SHBA shpenzojnë e vetme për mbrojtjen (pa përfshirë shpenzimet për inteligjencën), sa gjithë pjesa tjetër e botës. Pa cituar këtu cilësinë e fuqisë ushtarake. Për herë të parë në histori SHBA është vendi në gjendje të bëjë luftë pa e pasur kundërshtarin shtet kufitar.

6-Historia e SHBA është një histori demokracie.

Kjo është relative. SHBA ka bërë luftëra kolonialiste që nisin me pushtimin e Filipineve dhe Kubës, pa përmendur territore të marra Meksikës. Ka në historinë e saj një luftë të përgjakshme civile dhe kampin e parë të shfarosjes në masë gjatë kësaj lufte, të quajtur “Camp Sumter” dhe komanduar nga Heny Wirz, i cili është edhe amerikani i parë i dënuar me vdekje për krime lufte.

7-Amerika është kampion i të drejtave civile.

Kjo është relative. SHBA ka shembuj të dhimbshëm të shkeljes së të drejtave civile, sikurse shembuj frymëzues për mbrojtjen e tyre. Rasti i afro-amerikanëve është më i njohuri, por ka bashkëshoqërues të tij shtypjen e ital-amerikanëve dhe kino-amerikanëve. E megjithatë mbetet vendi që investon më shumë në këtë drejtim qoftë nëpërmjet softpower (kulturë, Ojq etj) ashtu edhe me strongpower (ndërhyrje ushtarake si në Kosovë).

8- SHBA është e pa zonja të kontrollojë fuqinë e saj.

Një tjetër gabim ky. Ndryshe nga jeta civile në këtë vend që është xheloz për lirinë e individit, administrata amerikane është një ndërtim piramidal që i nënshtrohet vullnetit të presidentit, i cili në vetvete është një monark për nga fuqia por me mandat të kufizuar. Në Shqipëri ndodh shpesh që agjenci përfaqësuese të SHBA duke nisur nga ambasada dhe deri tek ato që nuk janë publike, veprojnë në kokë të vet, sipas interesave personale, një perceptim paraurban ky i shoqërisë shqiptare. Funksionarët amerikanë përveçse janë të zgjedhur nëpërmjet filtrave të fortë, i nënshtrohen një disipline të rreptë ligjore. Shkelësit penalizohen për gjithë jetën.

9-Amerika ka miq.

Amerika ka vetëm aleatë. Mjaft të sjellim rastin e Izraelit ku hera-herës, pavarësisht se është mbështetësi më i madh i këtij shteti, nuk mungojnë njoftimet për goditjet nën brez që i bëjnë njëri-tjetrit, duke filluar nga spiunimi e më tej.