MENU
klinika

Mesazhi që fshihet pas monumentit në Kosovë

‘NEWBORN’ vishet ndryshe për 13-vjetorin e Pavarësisë

17.02.2021 - 19:03

Monumenti Newborn u zbulua 13 vjet më parë në Prishtinë dhe u bë simbol i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ashtu siç është kthyer në traditë edhe këtë vit monumenti ka marrë një pamje tjetër për 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Fisnik Ismaili, autori i monumentit prezantoi në Facebook konceptin e ri të Newborn.

Natën e mirë, ushtarë dhe dëshmorë. Çdo ditë në mendje, sivjet në monument. Newborn 13”, shkroi ai.

Gjatë vitit të kaluar, kur Kosova shënoi 12-vjetorin e pavarësisë së saj, ky monument iu kushtua të mbijetuarve të abuzimit seksual. Ndërsa këtë vit përmes duarve të ngjyrosura dhe të vendosura mbi monument, Newborn ka marrë ngjyrën e uniformave të ushtrisë. Disa ditë më parë, Fisnik Ismaili ftoi të gjithë qytetarët që të ngjyrosnin me pëllëmbët e duarve tyre monumentin dhe kështu të gjithë kanë lënë nga një gjurmë për 13-vjetorin e Pavarësisë.

Shenjat e duarve të lëna mbi monument janë në shenjë respekti dhe nderimi për viktimat e rëna gjatë luftës në Kosovë.

Për vite me radhë monumenti Newborn ka qenë i ngjyrosur me të verdhë, ngjyrë që përfaqëson flamurin e Kosovës dhe atë të Bashkimit Evropian. Monumenti Newborn është i ndërtuar nga një skelet çeliku i mbuluar me shtresë metali 4mm të trashë. Çdo shkronjë është 3 metra e lartë dhe 1 metër e thellë, me peshë prej përafërsisht 1 tonelate. Ndërsa, i gjithë instalacioni është 24 metra i gjere.