Publikohet historia e panjohur e Kristo Luarasit, patriotit të famshëm nga Kolonja, i cili pasi mori mësimet e para nga Petro Nini, shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në fshatrat e krahinës së tij dhe pas emigroi në Bukuresht e në Sofje të Bullgarisë, ku bashkë me disa patriotë të tjerë, hapi shtypshkronjën e parë shqipe, duke botuar libra, gazeta dhe revista në gjuhën amtare. E gjithë karriera e tij dhe të birit, Thoma Luarasit, diplomatit të karrierës në periudhën e monarkisë së Zogut që përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, si dhe në selitë diplomatike jashtë vendit për 20 vjet me radhë, në dëshmitë e inxhinier. Genc Luarasit, djalit të Thomait.
Një ndër ata patriotë të shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe asaj të pas shpalljes së Pavarsisë, të cilët gjithë jetën e tyre e vunë në shërbim të çështjes kombëtare, duke mos kursyer asgjë për të mirën e Shqipërisë, padyshim që është dhe Kristo Stefan Luarasi, i cili pasi shërbeu disa kohë si mësues i gjuhës shqipe në fshatrat e krahinës së tij, emigroi në Bukuresht dhe më pas në Sofje të Bullgarisë. Aty ai hapi të parën shtypshkronjë për shtypjen e librave, gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe, të cilat më pas i shpërndanin falas kudo ku kishte shqiptarë. Lidhur me jetën veprën dhe gjithë aktivitetin e tij patriotik, si dhe të birit, Thoma Luarasit, diplomatit të karrierës, i cili për vite me radhë përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, na njohin dëshmitë e ing. Genc Luarasit, djali i Thomait dhe nipi i Kristos.
Kristo Luarasi dhe familja e tij
Sipas dëshmive të inxhinier Genc Luarasit, gjyshi i tij, Kristo Stefan Luarasi, u lind në vitin 1875 në fshatin Luaras të rrethit të Kolonjës, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së babait të tij, Stefn Kicit, varri i të cilit ndodhet edhe sot në fshatin Zvininë të Korçës. Menjëherë pas mbarimit të shkollës, kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç, me interesimin direkt të mësuesit të tij, Petro Nini Luarasi, Kristua ishte një nga ata djem kolonjarë që u përzgjodhën dhe u emëruan si mësues të gjuhës shqipe në nënprefekturën e Kolonjës, duke shërbyer në Vodicë dhe Luaras. Po kështu, edhe gruaja e Kristos, Polikseni, e cila ishte një nga vajzat e vetme që u diplomua në shkollën e djemve në Korçë, shërbeu si mësuese në ‘Shkollën e Vashave’ në qytetin e Korçës. Kristo Luarasi nuk shërbeu për shumë kohë si mësues në fshatrat e Kolonjës, pasi shkollat shqipe u mbyllën nga Porta e Lartë e Stambollit dhe ai u detyrua që të emigronte jashtë Shqipërisë. Fillimisht ai u vendos në Bukuresht të Rumanisë dhe më pas ai shkoi në Sofje të Bullgarisë, ku shqiptarët kishin ngritur koloninë e tyre. Pas disa viteve pune si tipograf në një shtypshkronjë bullgare, me paratë e kursyera, Kristo bleu vetë një shtypshkronjë, të cilës i vuri emrin “Mbrothësia” dhe e ktheu atë tërësisht në shërbim të shtypjes së librave në gjuhën shqipe.
Kristo, shtyp “Kalendarin Kombiar” në Sofje
Pas ngritjes së shtypshkronjës së tij, në vitin 1897, Kristo nisi botimin e ‘Kalendarit Kombiar’ (Kombëtar), të cilin e botoi për 17 vjet me radhë. Për botimin e atij kalendari i cili u shpërnda kudo ku kishte shqiptarë, Kristo bashkëpunoi ngushtë me disa nga patriotët më të njohur shqiptarë të Rilindjes Kombëtare të asaj periudhe, duke botuar dhe shtypur aty gazetat shqipe: “Drita” dhe “Liria e Shqipërisë”, si dhe rreth 150 tituj librash të autorëve të njohur shqiptarë si: Naim, Sami dhe Mit’had Frashëri, Faik Konica, Sotir Qirjazi, Spiro Dine, etj. Në vitet 1896-1920, krahas shtypit periodik shqiptar, në atë shtypshkronjë u shtypën edhe mjaft libra shkollorë në gjuhën shqipe, shumica e të cilave më pas u shpërndanë falas në të gjitha viset shqiptare, dukë përfshirë edhe Kosovën. Gjatë atyre viteve që Kristo Luarasi kishte në pronësinë e tij atë shtypshkronjë, ai mbajti një ngarkesë të madhe, duke punuar edhe si tipograf, botues, drejtor gazete etj., pa u shkëputur asnjëherë edhe nga publicistika, duke qenë një nga mbrojtësit e flaktë të çështjes shqiptare. Në vitin 1809, pas shpalljes së Hyrjetit, Kristo u largua nga Sofja dhe u vendos në Selanik të Greqisë, duke menduar se aty do të ishte më afër Shqipërisë dhe do të ndihmonte më shumë në përhapjen e librave shqipe. Në qytetin e Selanikut ai e shtoi së tepërmi aktivitetin patriotik dhe në shtypshkronjën e tij, arriti që të botonte deri në 60 tituj librash, gazetash dhe revistash në gjuhën shqipe, ndër të cilat edhe atë të Mihal Gramenos. Por, pas disa kohësh, në vitin 1911, ai u rikthye përsëri në Sofje, pasi në qytetin e Selanikut, rrethanat politike që u krijuan, jo vetëm që nuk e favorizonin aktivitetin e tij patriotik, por e pengonin ndjeshëm atë. Një vit më vonë, në nëntorin e 1912-ës, ai përshëndeti shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë, së cilës i ishte kushtuar me të gjitha energjitë që nga rinia e tij. Në vitin 1915, Kristo rinisi botimin e gazetës “Liri e Shqipërisë”, të cilën e mbajti deri në vitin 1920, kur pas mbajtjes së Kongresit të Lushnjes, ai vendosi dhe u rikthye përfundimisht në Shqipëri.
Rikthimi e Kristos në Shqipëri në 1920
Pas kthimit në Shqipëri, Kristo Luarasi u vendos familjarisht në Tiranë, duke u strehuar fillimisht në një shtëpi të familjes së njohur tiranase, Stërmasi. Aty ai banoi deri në vitin 1923, dhe në atë kohë ai bleu një shtëpi në Rrugën e Kavajës. Pasi u stabilizua në banesën e tij, diku afër sajë ai ngriti edhe shtypshkronjën (“Mbrothësia”) që kishte pasur në Sofje, e cila që nga ajo kohë e më pas, filloi të njihej si: Shtypshkronja “Luarasi”. Ashtu si edhe në Bullgari, nga viti 1923 e deri në vitin 1947, në atë shtypshkronjë u shtypën me dhjetra tituj librash dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe, si dhe mjaft nga botimet e enteve shtetërore të qeverive të atyre viteve. Krahas tyre, gjatë asaj periudhe kohe dhe sidomos pas vitit 1934 kur ajo shtypshkronjë mori emrin “Shtëpia Botuese Luarasi”, aty u shtypën dhe u botuan edhe një sërë librash artistikë, gazetash e revistash, si: “Arsimtari”, “Flamuri”, Arsimi” (1922), “Shqiptari i lirë” (1923), “Ku vemi” (1924), “Shqipnia” (1926), “Mësuesi” (1927) “Bashkimi i Kombit” (1942), etj. Në Shtypshkronjën “Luarasi” u botuan edhe një sërë tituj librash të autorëve mjaft të njohur shqiptarë dhe të huaj, si: De Rada, Sterjo Spasse, Mit’hat Frashëri, Haki Stërmilli, Nexhat Hakiu, Thoma Floqi, Xhevat Belegu, Milto Sotir Gurra, Viktor Hygo, Honore de Balzak, Aleksandër Dyma, De Foe, Alfons Dode, Leon Tolstoi etj. Kristo Luarasi u nda nga jeta në vitin 1934 dhe që nga ajo kohë e më pas, shtypshkronja dhe shtëpia botuese që ai kishte në pronësi, u administrua nga familja dhe të afërmit e tij. Jeta dhe vepra e patriotit kolonjar Kristo Luarasi, nuk u vlerësua vetëm gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, por aktiviteti i tij patriotik në shërbim të çështjes shqiptare, u njoh dhe u vlerësua edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili në vitin 1962, e dekoroi atë me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Dytë, për “Veprimtari Patriotike”. Po kështu edhe pas viteve ’90-të, me rastin e 80-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, ai i nderua me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Për jetën dhe aktivitetin patriotik të Kristo Luarasit, është shkruar gjerësisht në mjaft libra, gazeta, revista të vendit dhe të huaja, si dhe në botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe tekstet e historisë së Shqipërisë. Madje, Fan Noli, në një fjalim të tij të mbajtur në një përvjetor të Shpalljes së Pavarësisë në SHBA, e ka konsideruar Kristo Stefan Luarasin, si: ‘një nga 28 pionerët e krijimit të shtetit shqiptar’.
Nipi i Kristos, Lluka Luarasi, “Dëshmor i Atdheut”
Kristo kishte dhe një vëlla tjetër, Llukën, dhe katër motra, të cilat bashkë me Llukën, emigruan në SHBA-ve, ku krijuan familjet e tyre duke u martuar me shqiptarë. Ndërsa katër motrat Luarasi qëndruan përgjithmonë në SHBA-ve, Lluka, i cili punoi për disa kohë në shoqëritë e ndërtimit të rrugëve, u kthye në Shqipëri ku dhe u martua me një vajzë nga qyteti i Korçës. Nga ajo martesë atyre u lindi një djalë, (që i vunë emrin e gjyshit, Stefan Luarasi), i cili pasi mbaroi shkëlqyeshëm Liceun Francez të Korçës, me ndërhyrjen e kushëririt të tij, Thoma Kristo Luarasit, fitoi një bursë shtetërore nga qeveria e Zogut dhe në vitin 1935, u diplomua në një nga universitetet e Torinos, në Itali. Gjatë periudhës së studimeve në Itali, Stefani ra në kontakt me disa shokë që kishin ide komuniste, të cilat u bënë shkak që pas kthimit në Tiranë, ai të merrte pjesë në Lëvizjen Antifashiste dhe të internohej nga italianët në Sarandë. Pas daljes nga burgu ai doli partizan dhe u caktua si zv / komisar i çetës së Sllovës në zonën e Peshkopisë, ku dhe u vra në përpjekje me forcat nacionaliste të Halil Alisë në Fushë-Aliaj. Pas mbarimit të Luftës, ai u shpall ‘Dëshmor i Atdheut’, ndërsa babai i tij, Lluka, i mbetur pa fëmijë, shfaqi dëshirën dhe birësoi kushëririn e tij, Thomain, djalin e Kristo Luarasit. I biri i Kristos, pasi u laurua në Sofje, shërbeu si diplomat i Zogut.
Thoma Luarasi, përfaqësuesi i Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve
Djali i Kristos, Thoma Luarasi u lind në Sofje të Bullgarisë në vitin 1910, ku babai i tij, patriotit i njohur, Kristo Luarasi, kishte emigruar që në vitin 1896, pas largimit nga Rumania. Në qytetin e Sofjes, Thomai përfundoi mësimet e shkollës së mesme dhe në vitet 1927-1930, ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në degët “Drejtësi” dhe “Shkenca Ekonomike”. Ndërkohë që ai studionte në Bullgari, familja e tij ishte kthyer në Shqipëri që në vitin 1920. Në vitin 1924, me anë të dekretit ministror të qeverisë së kryeministrit Sulejman Delvina, ai emërohet në ministrinë e Punëve të Jashtme, me detyrën e atashe-daktilografistit, pranë Krye-konsullatës së Shqipërisë në Sofje të Bullgarisë. Pas diplomimit në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Sofjes, Thomai vazhdoi karrierën diplomatike pranë ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit shqiptar jashtë vendit, duke shërbyer në një sërë detyrash. Fillimisht, në vitet 1930-1932, ai u emërua me detyrën e Sekretarit të III-të pranë Drejtorisë Politike në ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, kur ministër ishte Rauf Fico. Në vitet 1932-1933, ai shërbeu si Sekretar i III-të në Legatën shqiptare në Beograd, në vitet 1933-1935, u kthye dhe punoi si sekretar i III-të në ministri në Tiranë, ndërsa në vitin 1935, ai u emërua me dekret mbretëror, në funksionin e sekretarit të II-të pranë krye-konsullatës Shqiptare në Aleksandri të Egjiptit, por atë detyrë ai nuk mundi ta ushtronte dot, pasi ajo krye-konsullatë nuk u hap për mungesë fondesh. Nisur nga ky fakt, Thoma Luarasi vazhdoi punën pranë ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe në vitin 1936, ai u emërua me detyrën e Gjerentit të Konsullatës Mbretërore të Shqipërisë, sekretar i II-të, si dhe Sekretar i Përfaqësisë Shqiptare pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, detyra të cilat ai i ushtroi rregullisht deri në vitin 1939. Po në këtë vit, ai u emërua me detyrën e sekretarit, (adinter) i Ngarkuar i Dërgatës së Përkohshme të Mbretërisë Shqiptare pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, duke mbuluar kryesisht punët juridike dhe ekonomike-sociale. Gjatë asaj periudhe që ai ishte me punë në Gjenevë, u njoh dhe u martua me një vajzë polake, të quajtur Janina Kaçkovska, të cilën e solli në Shqipëri duke kaluar të gjithë jetën bashkë. Në periudhën e viteve 1938-1939, Thomai u emërua edhe me detyrën e Sekretarit të II-të pranë legatës shqiptare në Berlin, detyrë të cilën e vazhdoi deri në prillin e vitit 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashite e Benito Musolinit. Pas kësaj, Thoma Luarasi u kthye në Shqipëri, dhe në vitet 1939-1942, ai vazhdoi të punonte si funksionar pranë Kryeministrisë në Tiranë. Ndërsa në vitet 1942-1943, ai shërbeu pranë Ministrisë së Tokave të Liruara, me detyrën e Drejtorit të Studimeve të Çështjeve të Përgjithshme. Një vit më vonë, ai u rikthye përsëri pranë ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, duke shërbyer si Sekretar i I-rë Legate në Drejtorinë e Politike në seksionin e Traktateve dhe të Punëve Ekonomiko-Financiare, me të cilën mbylli dhe karrierën e tij në diplomaci. Gjatë atyre viteve që Thomai shërbeu si diplomat karriere, falë shkollimit të tij në Bullgari, Austri dhe Zvicër, ai punoi me një përkushtim të madh, duke u vlersuar me një sërë medaljesh dhe dekoratash nga Mbreti Zog dhe regjenca e asaj kohe.
Gazeta “Java” e 11 korrikut 1937, një shkrim për Kristo Luarasin
Emri, jeta dhe vepra e patriotit të famshëm kolonjar, Kristo Stefan Luarasi, u vlersua mjaft edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut. Kështu në një shkrim të botuar në gazetën “Java” të 11 korrikut 1937, publicisti Alo Dhusha, ndërmjet të tjerash shkruante: “Patriotë të vërtetë nuk quhen ata që, në kohra normale, shprehin një dashuri për atdhe, por patriotë të vërtetë janë ata të cilët, në kohra jo normale, në kohë skllavërije, kur po ndiqen prej pushtonjësit vetëm e vetëm pse dashurojnë Kombin dhe Atdheun e tyre, punojnë për këtë ideal duke mos u zmbrapsur nga frika e forcës së pushtonjësit. “Ari” provohet në zjarr. Patrioti i vërtetë në luftë në përpjekje, në rreziqe. Të këtillë patriotë duhen përmendur, nuk duhen harruar. Shembulli i këtyre duhet të jetë burim i pashtershëm në…”. Me këto fjalë pothuaj, Krye Hirësia e Tij, Imzoti Kristofor, Kryepiskop i gjithë Shqipërisë, çeli diskursin e tij me rastin e përshpëritjes që u zhvillua në Kishën Orthodokse në Tiranë të Mërkurën e kaluar, për prehjen e shpirtit të të ndjerit Kristo Luarasi. Me të vërtetë Kristo P. Luarasi, nuk ishte vetëm një shqiptar i cili ndjente një dashuri dhe dhimsuri për kombin dhe Atdheun e tij, ai ishte një patriot që nuk llogariste asnjë sakrificë, kur ishte puna për të punuar për idealin e tij, për një Shqipëri të lirë dhe nuk zbrapsesh para asnjë rreziku. Kur ishte i ri, hala 18 vjeç, më 1892, Kristo Luarasi pa marrë parasysh rreziqe, bëhet mësonjës i Shqipes s’ëmbël, në vend-lindjen e tij dhe më pas në Athinë dhe pastaj në Rumani, dhe kudo që gjendesh nuk përpiqesh, veçse t’i transmetonte popullit shqiptar flakën e patriotizmit që përvëlonte zemrën e tij. Shumë shpejt, më 1896, 21 vjeç djalosh, themelon të parën shtypshkronjë shqipe në Rumani dhe filloi botimet në gjuhën amtare, duke qitur në qarkullim të parin kalendar kombëtar. Këtë e pasojnë edhe botimet të tjera, të cilat qarkullojnë prej dore në dorë nër shqiptarët e skllavëruar. E shohim pastaj në Bullgari, Organizoi fletoren “Drita’, të cilën e boton rregullisht duke patur si drejtor Shahin Kolonjën. “Drita” shpërndahej e qarkullonte kudo ku flitej shqipeja. Zgjonte të fjeturit dhe elektrizonte të zgjuarit. Sakrifica materiale dhe mundime personale të pa llogaritura. Por kënaqësia që ndjente kur shihte se ay me shokët lëshuan, dal nga dalë po bëhesh flakë, nuk i lente kohë të mendohej për mundime dhe sakrifica.
Në Stamboll, Naimi kish formuar celulën e parë shqiptare dhe çdo të Premte mblidhte shqiptarët dhe u hapte dyert e së vërtetës shqiptare. Me vjershat e tij, krijonte ushtarë fanatikë të shqipes. Kristo Luarasi shkon në Stamboll, piqet (takohet), me këta patriotë të vlefshëm, e inkurajon dhe e shtyn të botojë vjershat e tij. Hidhet në Selanik. Atje një grumbull atdhetarësh, punonin për shqiptarizmin. Kristo Luarasi, konstaton n’ ata patriotë vlera; bashkohet dhe shtyp së bashku me zotin Lumo Skëndon, gazetën “Lirija”, dhe revistën “Dituria”. Njëkohësisht boton një libër “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e çdo të jetë”. Në këtë kohë, përpjekja kombëtare ka marrë proporcione të mëdha. Por edhe rekacjoni ka qenë i fortë. Ngrindjet mjerisht, midis shqiptarëve, rrezikonin interesat e Kombit. Kristo Luarasi, ky karakter aq i fortë dhe ajo fytyrë aq e butë, dhe e ëmbël, ndërhyn dhe bashkon. Autoritetet turq, dhje ata që kishin çdo interes që shqiptarët të ishin të ndarë dhe të haeshin midis tyre, në personin e Kristo Luarasit gjejnë njeriun më të rrezikshëm dhe vendosin ta çdukin. Ishte familjar ahere Kristua. Po ç’do të thotë? Zonja Luarasi shoqe e jetës, e përpjekjeve dhe e rreziqeve, mbledh fëmijët e saj dhe natën ikin nga Selaniku. Midis rreziqesh arrin në Sofje. A thua se u lodh Kristua? Jo! Ay që punon për Kombin dhe Atdheun e vet, nuk lodhet. Nuk duhet humbur kohë. Kristo Luarasi krijon fletoren “Liri e Shqipërisë” nën drejtimin personal të tij. Dhe thotë në numrin e parë të saj më datën 10 Mars 1911: “Me vullnetin tonë dhe të shumë mëmdhetarëve, filluam të shtypim këtu në Sofje fletën “Liri e Shqipërisë”. Programin tonë do ta mbushin bënjat t’ona. Do të veprojmë me mish e me shpirt duke përhapur diturinë dhe ndjenjat kombëtare m’i kombin tonë të dashur që të shpëtojë nga padija dhe errësira…”. Dhe në numrat e më pastajmë me pendën e tij të zjarrtë, denonconte padrejtësitë që i bëheshin kombit t’onë dhe i trumbetonte botës mbarë se Kombi Shqiptar ka të drejtë të jetojë në këtë botë dhe të vazhdojë historinë e tij mijëravjeçare dhe të shkëlqyer. Të tërë artikujt e Kristo Luarasit dallohen për guxim. E vërteta duhet thënë, pa marrë parasysh në se të fuqishmëve të ditës u prishen qejfet. Dhe Kristua e thoshte, kështu lakuriq si duhet thënë e vërteta. Kristo Luarasi jetën e tij i’a kishte dedikuar çështjes kombëtare dhe besonte se vetëm me anën e diturisë do të mund të zgjohej kombi dhe të fitonte lirinë e tij. Dhe gjatë gjithë jetës së tij, për 40 e ca vjet rresht, nuk u përpoq, veçse për të përhapur dijen. Veç gazetave dhe revistave, botoi një numër të madh librash dhe broshurash, përveç abetareve dhe këndimeve shkollore. Midis këtyre shquhen: “Valët e Detit”, “Erveheja”, “I Madhi Ali” etj. Pas fitimit të vetëqeverimit, Kristua nuk pushoi, por vazhdoi së punuari kombëtarisht. Ky ka qenë Kristo Luarasi. /Memorie.al